“Terapia e Artit”, ekspozita me punimet e veçanta të vajzave dhe grave në konflikt me ligjin

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Ali Demi”, u realizua ekspozita “Terapia e Artit”, në kuadër të së cilës gratë dhe vajzat në konflikt me ligjin paraqitën punimet e tyre të realizuara gjatë terapive më të reja të implementuara në këtë institucion.
Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe drejtoresha e burgut “Ali Demi”, Lindjana Laçi.
Terapitë e Art-Craft dhe Legoterapia janë dy nga terapitë më të reja që kanë mundësuar realizimin e këtyre punimeve, duke kontribuar në zhvillimin e aftësive si rritja e përqendrimit, eliminimi i stresit dhe mësimi i bashkëpunimit në grup.
Punimet e realizuara dhe krijuara nga gratë dhe vajzat në konflikt me ligjin do të dhurohen tek Shtëpia e Fëmijës dhe tek Shtëpia e të Moshuarve.
Në ekspozitë morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme, si Avokati i Popullit, Erinda Ballanca, Drejtorja e Caritas Shqiptar, Juliana Reso, Drejtorja e Shërbimit Social Shtetëror, Reme Lala, si dhe mbështetësit kryesorë në implementimin e këtyre terapive të suksesshme, përfaqësuesit e Ambasadës Britanike në Shqipëri.
1 nga 20/a.f/r.e/