Hetim për kallëzimin e rremë

Instituti i Mjekësisë Ligjore
Griselda Zaimi, ish-bashkëjetuesja e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, është zyrtarisht në hetim për akuzën e njoftimit të rremë në organet e rendit publik.Hetimi i referohet vetë padisë që Griselda Zaimi bëri në Policinë e Tiranës më 1 qershor 2011, kur pretendoi se e kishin rrëmbyer e mbajtur peng duke i marrë edhe fëmijën. Një ditë më pas, vetë Griselda Zaimi pranoi se denoncimi i saj në polici kishte qenë një sajesë. Ndodhur në këto kushte, prokuroria ka shënuar emrin e Griselda Zaimit në regjistrin e veprave penale, por ende nuk ka ngritur akuzë ndaj saj. Shkak është bërë vendimi për të kryer një ekspertizë mendore për 28-vjeçaren, me qëllim përcaktimin ligjor të përgjegjësisë. Në momentin e paraqitjes së kallëzimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, por edhe më pas, gjatë deklarimeve në Prokurori, Griselda Zaimi nuk ka qenë në gjendje të mirë emocionale. Po kështu, gjatë gjithë ngjarjes së ndodhur me denoncimin për rrëmbim dhe më pas me mohimin e ngjarjeve, 28-vjeçarja ka treguar mungesë qëndrueshmërie në gjendjen e saj emocionale. Për këtë shkak, prokuroria ka vendosur të ekzaminojë gjendjen mendore të Griseldës. Nëse specialistët psikiatër e gjejnë të rregullt dhe normale gjendjen e 28-vjeçares, ajo rrezikon të mbajë përgjegjësi ligjore, dhe, që nëse ajo konstatohet se ka probleme, ligji e përjashton nga përgjegjësia për kryerjen e veprës penale.
Denoncimi
Griselda Zaimi është paraqitur në Policinë e Tiranës më 1 qershor, në orët e pasdites. Ajo kishte udhëtuar nga Kavaja me shtetasin Saimir Rroshi, 36 vjeç, vëllai i kryetarit të Bashkisë së Kavajës. “Më 1 qershor, rreth orës 10:00, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës është paraqitur shtetasi Saimir Azem Rroshi, 36 vjeç, i cili ka depozituar kallëzim penal se kunata e tij (nusja e vëllait të shtetasit Elvis Rroshi), shtetasja Griselda Zaimi, është rrëmbyer nga disa persona të paidentifikuar në rrugën ‘Komuna e Parisit’ në Tiranë”, ka pohuar Policia. Sipas saj, shtetasi Saimir Rroshi, gjatë deklarimit të tij në Polici ka thënë se Griseldën e kanë marrë forcërisht dhe e kanë detyruar të lindë jashtë dëshirës së saj. Më pas i kanë rrëmbyer foshnjën e sapolindur. Rreth orës 04:00 të datës 1 qershor 2011, kjo shtetase është lënë e lirë nga personat që e kishin rrëmbyer, pranë shtëpisë së saj, në qytetin e Kavajës. Policia filloi hetimet, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi hetim për rrëmbim personi dhe dërgoi në Kavajë dy prokurorë të saj. Ditën e nesërme pas ngjarjes, Prokuroria e Përgjithshme, me një njoftim shtypi, deklaroi se nuk bëhej fjalë për rrëmbim personi apo për lindje me detyrim të foshnjës.
Akuza për shkaktim vetëvrasjeje në tentativë
TIRANE – Prokuroria është duke hetuar disa telefonata të familjarëve të Griselda Zaimit me të afërm të tyre jashtë Shqipërisë. Në këto telefonata është pretenduar se të afërm të 28-vjeçares kanë qenë në dijeni se rrëmbimi ka qenë i sajuar. Ndërkohë, prokuroria mësohet se ka kërkuar edhe tabulatet e dy “bashkëshortëve”, Elvis Roshi dhe Griselda Zaimi. Lista e telefonatave dhe mesazheve hyrëse dhe dalëse është kërkuar për të verifikuar nëse mes dy personave ka pasur mosmarrëveshje që mund të ndikonin në atë masë sa për t’i shkaktuar vetëvrasjen 28-vjeçares. Nga dëshmia e saj ajo ka pohuar se ka pasur probleme me bashkëjetuesin e saj, ndërkohë që mjekët ligjorë kanë gjetur në gjymtyrët e Griseldës shenja të qarta dhe të dukshme të tentativës së vetëvrasjes me anë të prerjes së damarëve. Në rast se konfirmohet se persona të tjerë kanë ndikuar në tentativën e vetëvrasjes së 28-vjeçares, atëherë një vepër e tillë parashikohet si krim nga Kodi Penal shqiptar për shkaktim vetëvrasje në tentativë.
Përgjegjësia
“Kunati” i Griselda Zaimit, shtetasi Saimir Roshi, i cili është paraqitur në Policinë e Tiranës dhe ka denoncuar për rrëmbimin e 28-vjeçares, është përjashtuar nga përgjegjësia për kallëzim të rremë. Sipas prokurorisë, në momentin që ai ka paraqitur padinë, 36-vjeçari nuk ka qenë koshient se po denonconte një ngjarje të rreme. Organi i akuzës pohon se koshiente për ngjarjen e rreme ka qenë Griselda Zaimi, e cila padisë së ngritur nga “kunati” i ka shtuar dëshmitë e saj të hollësishme për rrëmbimin, lindjen e fëmijës e deri te rrëmbimi i foshnjës nga autorët e pretenduar të ngjarjes. Për këtë shkak, Saimir Roshi është përjashtuar nga përgjegjësia.