E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetime për dy sfida të Kategorisë I

Disiplina Inspektorët në punë për Elbasani-Bylis dhe Kamza-Turbina

Mbetet ende pa asnjë zgjidhje problemi i goleadave që shkatërruan javën e fundit të kampionatit në Kategorinë I. Komisioni i Disiplinës në FSHF, gjatë mbledhjes së djeshme nuk ka arritur të marrë asnjë vendim për sfidat Elbasani-Bylis dhe Kamza-Turbina, dy ndeshje në të cilat janë shënuar plot 22 gola. Kamza fitoi 10-0 me shpresën se do t’i rrëmbenin vendin e dytë verdhebluve falë golavarazhit. Por, duke parë situatën e krijuar, Elbasani fitoi 8-4 me Bylisin, madje skandali në “Ruzhdi Bizhuta” qëndron në faktin se nga minuta e 86-të, deri në të 94-ën u shënuan plot gjashtë gola (4 nga elbasanasit dhe dy nga ballshiotët). Për shifrat e pazakonta, komisioni në institucionin që drejton futbollin në vend ka pritur relacionet e gjyqtarëve, vëzhguesve dhe delegatëve, por as ato nuk mjaftuan që të merreshin masa konkrete. “Për ndeshjet Kamza-Turbina dhe Elbasani-Bylis, janë ngarkuar inspektorët e Disiplinës të FSHF-së, të cilët do të bëjnë hetime për manipulim të rezultatit në këto takime, për sigurim të avantazheve në klasifikim. Relacionet e inspektorëve do të paraqiten deri në mbledhjen e ardhshme”, theksohej në deklaratën e Disiplinorit. Ndërkohë, sekretari i federatës, Eduard Prodani deklaroi: “Në rregullore, si masë ndëshkimore për ngjarje të tilla është edhe zbritja një kategori më poshtë. Sipas procedurës, ne do të flasim më gjerësisht vetëm pas vendimeve të komisioneve. Megjithatë, ngërçi për këto dyshime qëndron në faktin se është e vështirë të gjenden prova dhe që gjëra të tilla të vërtetohen”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›