E Diel, 1 Nëntor 2026

Superiorja jep verdiktet, gara lehtësisht e parashikueshme

Kampionati Java e fundit luhet vetëm në zonën e rënies nga kategoria

Kategoria Superiore zbret sot në fushë për të dhënë verdiktet përfundimtare të këtij sezoni në aktivitetin elitar. Megjithatë, takimet e javës së 33-të të kampionatit, janë lehtësisht të parashikueshme dhe gjithçka duket se është vendosur në një kohë kur skuadrat ende nuk kanë zbritur në fushë. Në fakt, katër ekipe luajnë për objektiva realë, ndërsa tetë të tjerat e kanë mbyllur virtualisht edicionin dhe tashmë presin vetëm vërshëllimën finale.

Teuta, Skënderbeu, Kastrioti dhe Apolonia shpresojnë të përfitojnë nga hapat falsë të njëra-tjetrës, edhe pse kjo duket shumë e vështirë që të ndodhë. Të paktën për tri të parat. Durrsakëve u nevojitet një fitore në fushën e Vllaznisë, për të evituar ndeshjen “play-out”, me Kamzën ose Lushnjën që pretendojnë të ngjiten në Superiore. Edhe pse kanë deklaruar se duan të lajnë hesape të së kaluarës me “djemtë e detit”, duket e vështirë që shkodranët të jenë të motivuar për të kërkuar tri pikët. Gara e tyre në kampionat përfundoi me fitoren në fushën e Apolonisë, të premten e kaluar: ata siguruan matematikisht mbijetesën (me 46 pikë) dhe natyrisht që nuk pritet të luajnë në maksimumin e forcave. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Skënderbeun e Kastriotin, ekipet e destinuara që të luajnë një ndeshje shtesë për të mos rënë një kategori më poshtë. Korçarët presin në fushën e tyre Tiranën, ndërsa krutanët ndeshen me Laçin, dy skuadra që e kanë siguruar pjesëmarrjen në Europa League. Tri pikëshi duket thjesht një formalitet, i cili dëmton drejtpërdrejt Apoloninë. Fierakët luajnë në fushën e Gramozit, skuadër që i ka dhënë lamtumirën elitës, por shpresojnë që Skënderbeu ose Kastrioti të mos marrin pikët e plota. Gjithsesi, rënia e Apolonisë si skuadra e parafundit në renditje duket e paevitueshme dhe as fjalët e trajnerit bardheblu, Sulejman Starova, nuk mund të shërbejnë si ngushëllim. Drejtuesi i stolit të Tiranës tha: “Kërkoj fitore përballë Skënderbeut, por do të jetë e vështirë, pasi skuadra nuk ka më asnjë motivim. Gjithsesi, do t’u kërkoja një nder futbollistëve: ta mbyllin me fitore këtë vit, në të cilin skuadra ka përjetuar shumë zhgënjime”.

Në takimet e tjera, Flamurtarit i mjafton vetëm një pikë në shtëpi përballë Shkumbinit për të mos u përfshirë në “vorbullën” e ndeshjeve “play-out”. Vlonjatët mund të përfitojnë nga fakti se peqinasit kanë filluar të mendojnë përpara kohe për pushimet. Ndërkohë, në “Qemal Stafa”, Dinamo do të shpallet zyrtarisht kampione e Shqipërisë. Blutë do të festojnë titullin numër 18 në histori pas ndeshjes me Besën, me një koncert muzikor.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›