E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet, 28-vjeçari u vra pas një sherri për femra, shoqërohen 30 persona

DURRES – Një ditë pas vrasjes së 28-vjeçarit në fshatin Radë të Manzës, policia ka shoqëruar 30 persona, kryesisht dëshmitarë apo të afërm të viktimës. Gjithashtu mësohet se është ndaluar një person nga fshati Hamallaj, bashkëfshatar me viktimën, i përfshirë në konfliktin me armë, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 të tjerë si të dyshuar. Festim Lama, mbeti i vrarë me kallashnikov mbrëmjen e së dielës, pas një sherri mes disa të rinjve.

Sipas hetuesve të ngjarjes, në konflikt janë përfshirë 10 të rinj, nga fshati Radë, Hamallaj, e Perlat, në njohje me njëri-tjetrin. Sherri ka nisur brenda një lokali me muzikë ‘live’ dhe balerina. Grupi i djemve nga fshati Hamallaj, ku bënte pjesë edhe viktima me vëllezërit e tij, mësohet se kanë qenë në gjendje të dehur. Ata kanë folur me një kameriere të lokalit, kanë ngacmuar një prej femrave aty, çka më pas ka pasuar me fjalë e grushta.

Mësohet se një tavolinë e lokalit është kthyer përmbys, dhe kjo ka bërë që rojet e sigurisë t’i nxjerrin të gjithë të rinjtë jashtë. Hetuesit, në bazë të dëshmive të mbledhura, nuk përjashtojnë faktin që edhe autorët të kenë qenë të dehur; kjo, pasi arma e krimit, kallashnikov, është lënë në vendin e ngjarjes. Pavarësisht rrethimit të zonës, autori nuk është kapur ende, duke u fshehur në zonën rurale, rreth 30 km larg Durrësit.

Të paktën 18 gëzhoja kallashnikovi ka sekuestruar policia pas krimit, ndërsa pas ekspertizës mjeko-ligjore, konfirmohet se 28-vjeçari është qëlluar me një plumb të vetëm. Plaga ka treguar se ishte qëlluar nga një distancë shumë e afërt, trup me trup, dhe plumbi kishte hyrë pas veshit të djathtë e më pas ka bërë rikoshet në shtyllën kurrizore dhe ka përfunduar në mushkëri.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›