Bisedojnë deri në vjeshtë
Procesi i nisur i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë mund të ndërpritet në vjeshtë, për shkak të zgjedhjeve në Serbi.
Por, ky dialog mund të pengohet edhe nga zhvillime të tjera të brendshme politike në të dyja vendet, pavarësisht dakordimit të palëve për dy takime brenda një muaji në Bruksel.
Kështu vlerëson Naim Rashiti, analist nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICJ) në Prishtinë, i cilit thekson se faza aktuale e bisedimeve është e rëndësishme për arritjen e disa marrëveshjeve mes dy palëve.
“Kjo fazë parashihet të zgjasë deri në vjeshtë. Me hyrjen e Serbisë në ciklin zgjedhor, ky dialog do të pushojë për disa muaj, me shpresën se palët do të kthehen në tavolinë prapë. Kjo fazë është shumë e rëndësishme për nxjerrjen e disa marrëveshjeve rreth një numri të çështjeve teknike, por edhe për të krijuar një atmosferë më të mirë mirëbesimi”, ka thënë Rashiti, të shtunën, për Express.
Ai ka vlerësuar se dialogu mund të cenohet lehtë edhe nga zhvillime tjera politike në të dyja vendet.
“Gjithkush ka paraparë se ulja në një tavolinë ka qenë e pamundur. Tani është bërë e mundur dhe ndoshta në një fazë tjetër edhe komunikimi më intensiv mes dy qeverive do të jetë i mundur. Dialogu gjithsesi mund të ndikohet në çdo moment nga dinamikat e ndryshme në Prishtinë dhe Beograd, por duhet bërë çmos që kjo fazë të përmbyllet me sukses”.
Rashiti thekson se dialogu është edhe një test i vërtetë për vetë BE’në.
“Gjithsesi ky do të jetë test për të ardhmen, por edhe për angazhimin e BE’së në çështjen e thellë mes Kosovës dhe Serbisë”, ka vlerësuar ai.
Pala serbe është duke e përfshirë çështjen e statusit në këto bisedime. Zyrtarë të lartë serbë pikërisht pas fillimit të raundit të parë kanë propozuar që Kosova të zgjidhet sipas modelit të Hong-Kongut, për të lënë përshtypjen se statusi i Kosovës është megjithatë në tavolinë.
Rashiti thotë se askush nuk do të kërkojë që të bisedohet për statusin.
“As BE as SHBA e askush nuk do të kërkojë dhe lejojë te hapet çështja e statusit. Statusi është përmbyllur dhe edhe shumë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, e bile edhe vetë Beogradi, e kanë të qartë se statusi i Kosovës është përmbyllur”, thotë Rashiti.
Bashkimi Europian si lehtësues i bisedimeve, sipas Rashitit, mund të bëjë nga pak kushtëzime mbi palët për të arritur marrëveshje rreth temave që janë duke u diskutuar.
Pra, presioni nga Brukseli nuk përjashtohet.
“Të gjitha nga pak, por sa më shumë vullnet tregohet në këtë fazë, do të jetë lehtësim për fazat tjera të dialogut në vitet e ardhshme. Është e qartë se Kosova dhe Serbia kanë shumë çështje për t’i diskutuar. Por, megjithatë një formë kushtëzimesh që do të aplikohet nga BE-ja me siguri se do të ndihmojë në nxjerrjen e konkluzioneve”.
Sido që të jetë, bazuar në takimet e para mes palëve, Rashiti thotë se mund të priten marrëveshje.
“Mund të themi se për disa nga temat teknike si CEFTA, tabelat, telekomunikacioni dhe doganat, të cilat janë përpunuar në një masë nga moderatori i takimeve më herët, mund të priten edhe marrëveshje të cilat ndoshta nuk do të jenë në formë të marrëveshjeve të nënshkruara, por gjithsesi do të bihet dakord për to”, vlerëson Rashiti.
Ai pret që dy palët do të diskutojnë edhe çështje tjera të natyrës teknike. Por, sipas tij, është e rëndësishme që palët po diskutojnë në atmosferë normale.
“Në tavolinë me përfaqësues të lartë të BE’së dhe SHBA’së janë ulur një zëvendëskryeministre dhe një zyrtar i lartë nga ana tjetër, që nuk ka qenë e lehtë të mendohet para disa muajsh se do të ndodhë. Tani po ndodh në një atmosferë normale dhe ky proces duhet te mbështetet fuqishëm”, ka vlerësuar Rashiti.
Tahiri: Ka pasur përparime
Kryesuesja e delegacionit në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, pas kthimit nga Brukseli, ka thënë se në rrethin e parë të dialogut ka përparime në temat e diskutuara pa arritur marrëveshje.
Ajo ka vlerësuar se dialogu me palën serbe ka shënuar përparime interesante, pasi që, sipas saj, dy palët u treguan mjaft konstruktive në përpjekjet për të gjetur zgjidhje për temat e diskutuara, siç janë regjistri civil, dokumentet e udhëtimit, regjistri kadastral, CEFTA, vulat doganore.
Tahiri ka thënë se dialogu do të vazhdojë pas dy javësh.
“Ne si palë dhamë idetë tona për zgjidhje, edhe pala tjetër i dha idetë e veta. Në përfundim mund të them se nuk kemi arrit marrëveshje në asnjërën prej këtyre çështjeve, por mund të konstatojmë se ka pasur përparime. Dialogu do të vazhdojë. Interesimi ynë është që mos të jetë i gjatë ky dialog, por të përfundojë në një periudhë optimale”.
Ajo ka përjashtuar edhe njëherë mundësinë e diskutimit të çështjes së statusit dhe integritetit territorial të Kosovës në dialogun me Serbinë.
“Nuk ekziston çështja e veriut. Ekziston çështja e serbëve që gravitojnë në pjesën veriore të Kosovës, të cilët ende kanë hamendje se a duan të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës dhe të ardhmes së Kosovës”, ka thënë Zëvendëskryeministrja.
Tahiri ka bërë të ditur se në kuadër të dialogut me Serbinë do të diskutohen rreth 15-20 tema, ndër to të flitet për lirinë e lëvizjes, njohjen e dokumenteve, tejkalimin e asimetrisë tregtare, telekomunikacionin, të pagjeturit, pensionet, dëmet e luftës e të tjera.
Beogradi pret rezultate
Shefi i delegacionit serb, Borko Stevanovic ka thënë se gjatë bisedimeve në Bruksel janë arritur përparime për zgjidhjen e problemeve konkrete.
“Rreth disa temave jemi afruar mjaft në realizimin e propozimeve, të cilat do të mundësojnë jetë normale të njerëzve në Kosovë dhe Metohi”, ka thënë Stevanovic.
Ai e ka vlerësuar arritje faktin që dy palët kanë arritur të bisedojnë hapur dhe në mënyrë konkrete për çështjet të pazgjidhura pa lëvizur, siç ka thënë ai, nga interesi nacional serb.
Ministri serb për Kosovë, Goran Bogdanovic, ka thënë se rezultatet e para të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës mund të priten qysh pas takimit të dytë në fund të marsit.
“Në bisedimet e ardhshme në fund të marsit mund të presim rezultatet e para”, ka thënë Bogdanovic.
Ai ka vlerësuar pozitiv dialogun e filluar, duke thënë se çështjet e vështira mund të zgjidhen vetëm me dialog.
Ai ka thënë se është edhe në interes të serbëve dhe të shqiptarëve dhe të shtetit të Serbisë që të zgjidhen disa çështje që rëndojnë të dyja palët
Sipas Bogdanovic, çështjet si tabelat, telefonia mobile, dokumentet, librat amëz do të mund të zgjidhen shpejt.
Sido që të jetë, ai ka thënë se nuk janë teknike çështjet që kanë të bëjnë me dy komunitetet, duke thënë se ato janë të ngarkuara politikisht.