E Diel, 1 Nëntor 2026

Panairi, përpalsja që mund të lerë jashtë “Kurbanin” e Ramës

Mosmarrëveshjet mes organizatorëve dhe shtëpisë botuese “Dudaj” ka lënë ende pa stendë në panair këtë të fundit. Ja argumentet e të dyja palëve

“Kurbani” bëhet kurban. Ky ndoshta do të ishte një përcaktim alternativ për atë që është duke ndodhur me organizimin e Panairit të Librit, një aktivitet që si rrallë ndonjëherë duket se është përfshirë në “bërryla” mes organizatorëve dhe shtëpisë botuese “Dudaj”. Mes palëve prej dy ditësh kanë nisur akuzat dhe kundërakuzat publike për një lojë të pandershme.E gjithë historia e përplasjes ka nisur në korrik të këtij viti, kur nisën të ndërmerren hapat e parë për organizimin e panairit të këtij viti. Këtë panair e organizon Shoqata e Botuesve e drejtuar nga Petrit Ymeri, për të cilin “Dudaj thotë se qëllimisht ka lënë jashtë aktivitetit këtë shtëpi botuese. Mes shtëpisë botuese “Dudaj” dhe organizatorit që prej korrikut të vitit 2011 janë këmbyer e-mail-e në lidhje me kostot e stendave në panair, që sipas shtëpisë “Dudaj” këtë vit janë rritur me 40 për qind. Mosmarrëveshjet për çmimin e stendave duket se kanë vazhduar me javë dhe kanë kaluar dhe afatin limit të 10 shtatorit për regjistrimin e shtëpive botuese. Pikërisht këtë kalim afati organizatori Petrit Ymeri e konsideron si momentin kur shtëpia botuese “Dudaj” ka humbur shansin për të përfituar drejtpërdrejt stendën e vet. Megjithatë, tejkalimi i afatit të 10 shtatorit nuk ka nënkuptuar përjashtimin nga aktiviteti të kësaj shtëpie botuese, pasi ajo mund të negocionte me të tjera shtëpi botuese që ishin regjistruar në kohë dhe të lidhte me to një marrëveshje për sigurimin e stendës. Organizatori Petrit Ymeri është shprehur se ka patur dijeni për një negociatë të shtëpisë “Dudaj” me një tjetër shtëpi botuese, por në dijeninë e tij marrëveshja nuk ishte arritur, ndërsa Ymeri më tej ka theksuar se dëshironte që “Dudaj” mjaft të arrinte një marrëveshje me një tjetër shtëpi botuese për stendën dhe organizatorët do i kishin dyert e hapura dhe për “Dudaj”. “Dikush duhet të bëj vend për të, sepse siç e dini janë ditët e fundit të Panairit dhe të gjithë janë sistemuar. Kam informacion se kishte bashkëpunuar me një shtëpi të madhe botuese, por nuk e di se pse e kanë prishur marrëveshjen. Nëse do arrijë të bashkëpunojë me dikë, është e mirëpritur”- është shprehur dje organizatori i panairit, Petrit Ymeri. E kontaktuar dje nga gazeta MAPO, Arlinda Dudaj, botuese e shtëpisë “Dudaj”, është shprehur se pikërisht në negociatat që po zhvillon me një tjetër shtëpi botuese është rënduar e gjithë prapaskena e këtij konflikti. “Po, ne jemi në negociata me një tjetër shtëpi botuese, të cilën unë nuk dua ta përmend. Arsyeja që nuk dua ta përmend është sepse edhe ata janë nën presion dhe janë nën presion që të mos lidhin marrëveshjen me ne, që ne të përfitojmë stendën tonë në panair. Kjo është ajo çka po ndodh pas kuintave”, - i tha dje MAPO-s Arlinda Dudaj. Më tej botuesja ka pohuar se një tjetër arsye që kjo shtëpi botuese rrezikon pjesëmarrjen në aktivitet lidhet dhe me botimin nga ana e saj të librit “Kurban” me autor Edi Ramën. “Mosmarrëveshjet datojnë që prej muajit korrik. Deri në muajin shtator ne humbëm të drejtën për stendë, pasi nuk gjetëm në kohë ujdinë për çmimin e stendave. Unë nuk jam dakord me këtë, ne u sulmuam, vetëm ne, në një luftë të ulët e meskine kundër konkurrencës së lirë. Nuk ka lidhje që ne nuk paguanim dot çmimin e stendës, e kemi thënë përherë që s’do bojkotonim, por ai na e zuri vendin. Kjo shtëpi botuese është nën presion, si për shkak të mosmarrëveshjeve të nisura që në korrik, por edhe për shkak të një prapavije politike që mund të ketë lidhje me botimin nga ana jonë të librit ‘Kurban’ të Edi Ramës”, - pranoi Dudaj për MAPO-n ditën e djeshme. Nga ana e tij organizatori Petrit Ymeri është shprehur se nuk ka asnjë pengesë të krijuar nga organizatorët duke lënë të nënkuptohet se “Dudaj” i ka të gjitha mundësitë të jetë pjesëmarrëse dhe se i gjithë reagimi i shtëpisë botuese mbi këtë çështjemund të ketë vetëm qëllime marketingu. “Vetëm në mos e gjithë kjo të jetë një çështje marketingu. Për të gjithë ne është shumë mirë që të ketë tituj e autorë të mirë librash, sikundër edhe janë, askujt nuk i bëjmë presion, e theksojmë edhe njëherë që janë të gjihtë të mirëpritur”, - tha dje Petrit Ymeri, organizatori i panairit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›