Hetimi i zgjedhjeve, skadon afati
Erald Kapri
Transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit mund të bëhet vetëm mbi bazën e një komisioni hetimor, por praktikisht edhe kjo alternative ka mbetur pezull për momentin.Arsyeja është se këtij komisioni i ka mbaruar mandati i tij 3 mujor i veprimit. Kuvendi miratoi në seancën e datës 18 mars, vetëm me 73 vota të maxhorancës, ngritjen e Komisionit hetimor Parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Por ligji i Komisioneve hetimore, përcakton një afat 3 mujor për veprimin dhe hetimin. Pas datës 18 qershor, ky vendim i Kuvendit nuk ka më vlerë pasi tashmë ka përfunduar afati 3 mujor i këtij komisioni. Vlen të theksohet se ky komision, i cili nuk u pranua nga opozita, nuk u mblodh asnjëherë. Rruga e vetme e ngritjes së këtij komisioni është vetëm një vendim i ri nga Kuvendi për ngritjen e një komisioni të ri. Por me situatën politike aktuale ku palët ende nuk kanë gjetur konsensusin si dhe faktin që Kuvendi brenda pak javësh do marrë pushimet e verës, ngritja e Komisionit hetimor Parlamentar do të jetë i munguar vetëm në shtator kur të rimblidhet Kuvendi. Edhe nëse komisioni do të ringrihej, ai do të duhej të pezullonte punën për shkak të pushimeve të verës. Shtyrja e afatit të veprimit të Komisionit hetimor, mund të bëhet vetëm nga Kryetari i Komisionit, i cili i adresohet me shkresë zyrtare Kryetares së Kuvendit ku i kërkon më shumë kohë në dispozicion për hetimin.
Ky komision u miratua në seancën e datës 18 mars vetëm me votat e maxhorancës, ndërsa opozita nuk e pranoi dhe votoi kundër. Vendimi erdhi pas një seance maratonë prej më se 30 orësh debat, i shtrirë në dy ditë diskutime ku PD dhe PS nuk gjetën konsensus.
Albertini: E majta donte bllokimin e vizave
Anëtari i Partitë Popullore Europiane në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, Gabriele Albertini, tha dje se e djathta ka vendosur të votojë gjatë ditës së sotme raportin e eurodeputetit Chountis për Shqipërinë. “Grupi i Partive Popullore Europiane ka qenë vendimtar për këtë zgjidhje, pasi eurosocialistët duke mbështetur socialistët në Shqipëri, donin që ta evitonin hedhjen e këtij hapi, duke nxjerrë si argument negociata për arritjen e një marrëveshjeje midis maxhorancës dhe opozitës për kapërcimin e ngërçit politik, i cili duket që nuk do të arrihet”, tha Albertini. Sipas tij, shumica e Komisionit Europian ka vendosur të votojë gjatë ditës së sotme draftin për Shqipërinë. “Duke parë në ç’kundërshtim has kjo marrëveshje, grupi i PPE bashkë me një pjesë të konservatorëve dhe liberalëve, madje edhe radikalët kemi mbështetur qëndrimin e maxhorancës dhe Qeverisë së Shqipërisë dhe raporti nesër do të votohet ashtu siç e dëshironte maxhoranca shqiptare”, theksoi më tej Albertini.