E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta për Shqipërinë, sot votimi në Komisionin e Jashtëm



Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian ka vendosur të votojë mëngjesin e sotëm rezolutën e eurodeputetit Nikolaos Chountis për Shqipërinë. Në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni, grupi i të majtëve ka propozuar që drafti të shtyhet sërish për të gjetur një zgjidhje. Ka qenë eurodeputeti Kristian Vigenin, i cili tha në seancën e djeshme se në Tiranë nuk ka ende një pakt politik mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe për t’i ardhur në ndihmë edhe vizitës së shefit të PPE-së, Joseph Daul, i cili do të takojë sot Kryeministrin Berisha, Parlamenti Europian duhet të shtynte rezolutën mbi Shqipërinë. Por kundër këtij qëndrimi të të majtëve kanë qenë përfaqësuesit e djathtë në Komision. Eurodeputetja Doris Pack tha se “kjo rezolutë u shty një herë dhe ajo çfarë pret tani Parlamenti Europian nga Qeveria është që të bashkëpunojë me opozitën mbi një ligj të ri elektoral, për zgjedhjet e ardhshme, se të kaluarat shkuan tashmë”. Ndërkohë edhe raportuesi për Shqipërinë, Chountis, theksoi se rezoluta për Shqipërinë duhet votuar. Deklarata e tij bëri që edhe të majtët të ndryshojnë qëndrim dhe të bien dakord që drafti së bashku me 114 amendamentet të votohet sot. Anëtari i të majtëve në Komision, Libour Roucek, tha në përfundim të mbledhjes së Komisionit se përfaqësues të Qeverisë kanë lobuar që rezoluta të votohet sot. “Po, e takova zonjën Bregu dhe ajo më informoi mbi situatën aktuale në Parlament. Diskutuam sigurisht edhe mbi rezolutën, sepse për Shqipërinë ishte shumë e rëndësishme kjo. I tregova se cilat ishin pozicionet e grupimeve të ndryshme politike dhe se gjatë pasdites do të vendosnim nëse do ta votonim ose jo këtë rezolutë, ndoshta nesër. Sa herë ka një rezolutë ndaj një vendi, gjithmonë përfaqësuesit e këtij vendi tentojnë të lobojnë tek eurodeputetet duke treguar pikëpamjet e tyre. është një proces normal dhe Shqipëria po bën të njëjtën gjë”, tha Libor Roucek. Në dokumentin që do të votohet sot të djathtët dhe të majtët përplasen sërish për krizën politike në Shqipëri. Në një kohë që të djathtët, të cilët kanë shumicën propozojnë zgjidhjen e krizës përmes dialogut konstruktiv, të majtët shkojnë deri në bllokimin e vizave dhe të integrimit të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›