E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi ndaj Spahiut, Uollfarth: Parlamenti është vendi ku duhet të diskutohet

 Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Uollfarth, ka ripërsëritur sot domosdoshmërinë e konsensusit mes palëve politike në vend.

Është i rëndësishëm konsensusi. Është thelbësore që hapat themelorë të merren me konsensusin e maxhorancës dhe opozitës. Do të ritheksoj ftesën për partitë politike të cilat duhet të gjejnë konsensusin që i duhet vendit, tha Uollfarth për mediat sot paradite.

I pyetur për nismën e deputetëve demokratë për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Uollfarth u shpreh se në rastin e funksionarëve të lartë, Parlamenti është vendi i duhur ku duhet të diskutohet.  Uollfarth theksoi se çdo funksionar i lartë duhet të respektojë detyrën në të cilën është emëruar.

Nga një zyrtar publik do të prisja tia kushtonte të gjithë kohën detyrës për të cilën është emëruar. E shoh jo vetëm legjitime, por edhe të rëndësishme që të bëhen pyetjet e nevojshme në parlament. Zyra publike ose funksioni publik duhet të respektohet dhe detyra të kryhet ashtu siç duhet. Kur bëhet fjalë për sjellje të funksionarëve të tillë të larta, parlamenti është vendi ku duhet të diskutohet, tha ai.

Në lidhje me qëndrimin e opozitës në këtë pikë, Uollfarth u shpreh se largimi i deputetëve socialistë nga Komisioni i Ligjeve një ditë më parë nuk përbën një qëndrim antikushtetues. / Gazmira Ndoja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›