E Diel, 1 Nëntor 2026

E lidhën këmbë e duar, dënohen me nga 5 vjet burg grabitësit e taksistit

TIRANE Gjykata e Tiranës dënoi me nga 5 vjet burg dy të rinj të akuzuar për vjedhjen me dhunë të një taksisti mbrëmjen e 11 shtatorit 2011. Sipas Gjykatës, Bujar Leka 21 vjeç dhe Murat Rexha 19 vjeç, janë autorët e grabitjes së taksistit T.S., të cilin duke e kërcënuar me një armë, i morën automjetin dhe të gjitha sendet personale. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ata përfituan uljen e një të tretës së dënimit dhe përfundimisht u dënuan me nga 3 vjet e 4 muaj burg. Gjatë gjykimit ata shfaqën pendesë për veprën e kryer. Në të njëjtin vendim u deklarua i fajshëm edhe Eduard Muja, i akuzuar për përvetësimin e taksisë së vjedhur nga dy të rinjtë. Ai u dënua me 4 muaj burg dhe 66 mijë lekë gjobë. Gjykata e pezulloi ekzekutimin e dënimit me burg dhe e la atë në liri me kusht për një periudhë 2-vjeçare. Referuar vendimit të gjykatës, ngjarja për të cilën u akuzuan të pandehurit Leka dhe Rexha ka zënë fill mbrëmjen e 11 shtatorit 2011, në Tiranë. Ata i kanë telefonuar si klientë taksistit T.S. dhe janë takuar me të tek Pallati me shigjeta. Që aty janë nisur me të për rrugë drejt Kamzës e më pas e kanë drejtuar drejt fshatit Çekrez, në një rrugë dytësore. Kur kanë mbërritur pranë një rezervuari, i kanë vendosur një pistoletë në kokë taksistit dhe e kanë detyruar të zbresë nga makina. Më tej dy të pandehurit i kanë thënë të mbështesë duart te makina dhe kanë filluar ta qëllojnë me shkelma nga barku. I pandehuri Bujar e ka qëlluar edhe me tytën e pistoletës në kokë dhe është realizuar një e shtënë, thuhej në vendim. Në vijim, ata i kanë marrë sendet personale, 5-6 mijë lekë, një telefon, patentën dhe një paketë cigare dhe e kanë lidhur nga duart. Me një copë litar që kanë  marrë në bagazhin e mjetit, i kanë lidhur edhe këmbët, si dhe zënë gojën me një leckë. Pastaj e kanë tërhequr zvarrë duke e lënë në një qoshe tek diga e liqenit, ku fillimisht kanë ndaluar mjetin. Në largim e sipër me mjetin me drejtimin poshtë rrugës së fshatit, të pandehurit i kanë thënë të dëmtuarit të mos kthente kokën dhe të mos bënte asnjë lëvizje, pasi do të ishte i vdekur, thuhej në vendim.                        ar.ba

KALLEZIMI
Policia është vënë në dijeni të grabitjes së taksistit nga vetë i dëmtuari. Sipas vendimit të gjykatës, pas ikjes së të pandehurve, i dëmtuari ka zgjidhur vetë duart duke prerë litarët me një biçak të vogël që mbante në xhep. Më pas, ai është paraqitur në organet e policisë, ku ka bërë njoftimin e veprës penale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›