Hetlem Çapja, pranë Partizanit
Partizani mund të ketë gjatë fazës së dytë të kampionatit edhe shërbimet e një futbollisti me shumë përvojë, siç është elbasanasi Hetlem Çapja. Trajneri i të kuqve, Marko Pelinxhi, pohon se me mesfushorin në fjalë janë bërë bisedime dhe e pret sot në stërvitje. Ne duam që të marrim vetëm futbollistë me eksperiencë për vazhdimin e kampionatit dhe një nga këta është edhe Çapja.
Deri tani me ekipin është bashkuar në stërvitje Renis Mehja, një ish-futbollist i Partizanit, por na kanë dhënë fjalën edhe sulmuesit Maho dhe Asllani, që gjithashtu e kanë mbajtur fanellën e kuqe më parë. Pa dyshim që Çapja do të na bënte shumë punë për fazën e dytë, ka thënë trajneri Pelinxhi. Çapja është një emër i njohur në superligën shqiptare, ku përveç Elbasanit, me të cilin është shpallur edhe kampion, ka luajtur për Tiranën, Dinamon dhe Shkumbinin.
Tashmë ai është gati për të veshur fanellën e ekipit tjetër kryeqytetas, Partizanit, edhe pse ky ndodhet në kategorinë inferiore. Të kuqtë vazhdojnë stërvitjen dhe seleksionimet këto ditë, ndërsa të shtunën kanë planifikuar edhe një ndeshje miqësore me Olimpikun. Ata kryesojnë grupin e jugut dhe duan që kreun ta ruajnë deri në fund për tu ngjitur direkt në kategorinë e parë.
