E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkatoja e Lushnjës mbetet e hapur për një sulmues

Nga Julian Kasapi

Bullgari Penev nuk i plotëson kërkesat e stafit teknik, që ka parë gjendjen e skuadrës në testin e djeshëm mes grupit

Lushnjarët kanë mbyllur javën e parë stërvitore me një ndeshje testuese midis tyre, pasi kundërshtari i planifikuar, Ribnica e kategorisë së dytë të Malit të Zi, nuk është paraqitur. Ky ishte testi i parë për verdhejeshilët në grumbullimin e Ulqinit dhe trajneri Malko ka parë gjendjen e të tijve. Ka qenë e nevojshme kjo ndeshje për të treguar se ku është aktualisht Lushnja me përgatitjet për fazën e dytë.

Gjatë javës së parë stërvitore futbollistët kanë marrë ngarkesa të mëdha, me nga dy seanca në ditë. Spas informacioneve nga shteti fqinj, futbollistët lushnjarë po e përballojnë më së miri këtë pjesë të minifazës dhe janë të gjithë të anagazhuar për ta zbatuar me përpikëri programin stërvitor. Fazën e dytë, ashtu si edhe të parën, ata duhet të jenë sa më mirë fizikisht për të arritur rezultatet e duhura.

Merkato Merkatoja e Lushnjës nuk është mbyllur, sepse stafit teknik nuk ia ka mbushur mendjen bullgari Penev, i cili ka pasur një dëmtim dhe nuk e luan dot rolin e kërkuar. Kjo do të thotë se verdhejeshilët do të kërkojnë të tjerë futbollistë, që i plotësojnë kërkesat e tyre për fazën e dytë. Deri në këto momente, Lushnja ka afruar Erjon Xhafën në repartin e mbrojtjes dhe është larguar po nga ky repart vetëm Mërtiri.

Ndoshta do të kërkojmë për të tjerë futbollistë, sepse merkatoja jonë nuk është mbyllur, – ka thënë shkurt sekretari i klubit lushnjar, Judmir Shurdhi. Në planet e stafit teknik të Lushnjës është një sulmues dhe për një të tillë do të vazhdojnë  kërkimet, pasi tashmë ka rënë pista e bullgarit Penev.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›