E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetohen bankat

Pas vendimit me të cilin e anuloi marrëveshjen e sigurimeve për polisat kufitare, Komisioni Kosovar i Konkurrencës ka nisur hetimet për një marrëveshje tjetër, ku janë të përfshira bankat komerciale, të cilat dyshohet se kanë marrëveshje për kamatat. Ekzistimin e kësaj marrëveshjeje, tashmë të shumëpërfolur, zyrtarët e konkurrencës e bazojnë në kamatat e larta që aplikojnë bankat, duke e bërë kështu të pamundur konkurrencën mes tyre.

Kryetari i Komisionit Kosovar të Konkurrencës, Osman Ejupi, thotë se të gjithë parametrat e tregut tregojnë se ekziston kjo marrëveshje.

“Komisioni ka filluar hetimin dhe do ta investigojë tregun e kamatave në Kosovë. Ka dyshim që edhe këtu ekziston një marrëveshje”, thotë Ejupi.

Bazë për hetim, sipas tij, janë kamatat e larta në kredi, kurse ato në depozita shumë të ulëta. Gjithashtu të gjitha bankat aplikojnë kamata pothuajse të njëjta, që, sipas Ejupit, lind dyshimi se këtu ka shkelje të konkurrencës.

Ai thotë se mjafton të shikohen sa janë kamatat në rajon, për të kuptuar se këtu diçka nuk është në rregull.

Për një marrëveshje të mundshme mes bankave është përfolur gjithë këto vite, ndonëse ato asnjëherë s’e kanë pranuar një gjë të tillë. Arsyetimi i tyre është se normat në kredi varen nga oferta dhe kërkesa e tregut. Sikur nuk mund ta pranojnë se janë më të lartat në rajon.

Zëvendësguvernatori i mbikëqyrjes financiare në Bankën Qendrore të Kosovës, Nexhat Kryeziu, thotë se BQK-ja nuk ka mekanizëm ligjor për përcaktimin e normës se kamatës.

“Meqenëse nuk emetojmë paranë, atëherë nuk ushtrojmë funksionin klasik të politikës monetare dhe kreditore”, tha Kryeziu.

Andaj, ai nuk beson se ekziston një marrëveshje e tillë, duke thënë se kjo nuk është konstatuar asnjëherë nga ekzaminimet që i bëjnë inspektorët e BQK-se nëpër bankat komerciale. Megjithatë, thotë se është e drejtë e Komisionit për konkurrencë të kryejë hetime.

“Nëse do të kishte marrëveshje, ne sigurisht do të kishim reaguar”, tha Kryeziu.

Ndërkaq, njohësi i sistemit bankar në Kosovë, Flamur Keça, thotë se rënia shumë e ulët e çmimit të kredive për vite të tëra, ka krijuar hapësirë për të dyshuar për marrëveshje ndërbankare. Nëse vërtet konstatohet se ky dyshim është i bazuar, Keqa thotë se kjo do të ishte goditja më e madhe për sistemin dhe stabilitetin financiar ne Kosovë.
“Besimi i klientëve dhe i depozitarëve ndaj bankave do të vihej në një pikëpyetje të madhe dhe efektet negative ekonomike e financiare do të duhej të binin në institucionet përgjegjëse përkatëse”, pohon Keqa.

Sipas tij, në krejt këtë mesele ka diçka misterioze, pasi që, normat përafërsisht të njëjta të produkteve dhe shërbimeve që ofrohen ne tregun bankar, nuk janë vetvetiu simptomatike. Keqa inkurajon Komisionin, i cili ka të drejtë të dyshojë dhe dyshimet duhet t’i argumentojë, qofshin ato negative apo pozitive.

Ndërsa, eksperti i ekonomisë në “Riinvest”, Alban Hashani, thotë se sistemi bankar në Kosovë ka një koncentrim të lartë të tregut, ku kemi dy banka që dominojnë tregun dhe tjerat që i përcjellin ato. Sipas tij, kjo i përngjan “paralelizmit të vetëdijshëm”, ku bankat e vogla përcjellin sjelljen e liderëve në përcaktimin e çmimit.

“Konsideroj se norma e interesit që aplikohet nga bankat komerciale në Kosovë është shumë e lartë, megjithatë bankat jodetyrimisht kanë ndonjë marrëveshje formale në përcaktimin e kushteve të tregut”, thotë ai.

Ndryshe, nëse këto vërtetohen, numri një në Komisionin për konkurrencë thotë se përveç që do të anulohet marrëveshja, do të këtë edhe gjoba për palët pjesëmarrëse. Ky komision është themeluar me Ligjin për konkurrencën, dhe vepron si i pavarur ne kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Nëse Komisioni konstaton se një marrëveshje është në kundërshtim me këtë ligj, atëherë kërkon dhe e shpallë atë si të pavlerë. Përveç kësaj, aplikon edhe ndëshkime me gjobë, prej 25 deri 100 mijë euro.

Edhe në hulumtimin e Institutit GAP, i publikuar së voni, konstatohet se kamatat për kredi ende janë shumë të larta. Kështu, norma mesatare për kredi personale sillet mes 10.8 deri në 12 për qind, ndërsa kreditë për biznes dhe ato agrare kanë koston më të lartë dhe sillen nga 12 deri në 15.6 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›