Kampanja e evropianëve

Për një grusht kosovarë që ende nuk e dinë që jemi popullata më e re në Evropë, konsorciumi “BBR Saatchi & Saatchi”, i paguar nga Qeveria e Kosovës, tash e disa ditë ka filluar fushatën “Kosovo the Young Europeas”.
Ndonëse fushata në fillim ishte paramenduar të bëhet vetëm në media dhe shtete jashtë Kosovës, në momentin e fundit, edhe qytetet e mediat kosovare u bënë pjesë e kësaj fushate.
Me këtë rast, Qeveria e Kosovës dhe konsorciumi “BBR Saatchi & Saatchi janë kritikuar nga opozita se kanë harruar që Kosovën ta promovojnë nëpër media prestigjioze ndërkombëtare.
Por, ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, ka paraqitur në Kuvendin e Kosovës të dhëna për paraqitjen e reklamës 60-sekondëshe, përmes së cilës synohet krijimi i imazhit të ri për Kosovës.
Spoti, sipas Shalës, është reklamuar në kanalet më prestigjioze ndërkombëtare në kohën më sociale, sikur edhe në gazetat dhe revistat me renome. Ministri Shala është obliguar t’i japë këto të dhëna pas pyetjes së deputetit Driton Tali në kohën e pyetjeve parlamentare, i cili është interesuar të dijë se sa herë është paraqitur kjo reklamë dhe në çfarë kohe është transmetuar.
Në mungesë të kryeministrit Thaçi dhe zëvendëskryeministrit Kuçi, të cilëve iu është drejtuar pyetja, ministri Shala ka thënë se në “CNN” që nga 4 nëntori janë transmetuar 654 spote, në “BBC World” 56 spote, “EuroNews” 86 spote, e kështu me radhë.
Ai ka thënë se ky spot është reklamuar edhe në “CCN turk”, “Bloomberg”, “Eurosport” dhe në “ESB” të Spanjës, ndërkohë që ka paralajmëruar se në “CNN” do të vazhdojë prapë reklamimi i 71 spoteve, në “Skynews” 62 spote, në “CNBC” 44 spote etj.
Po ashtu, ministri Shala ka thënë se kjo reklamë është publikuar edhe në “The Ekonomist” dhe “News Week”, ku është publikuar nga një herë, ndërsa nga dy herë është publikuar në “The Parlament” dhe në “Politica”.
Shala ka theksuar se kjo reklamë është transmetuar edhe në mediumet e Kosovës, përkatësisht në “RTK”, “KTV”, “RTV 21”, “Klan Kosova”, “Fan TV”, në disa agjenci lajmesh dhe në të gjitha gazetat e përditshme dhe në dy javore, ndërkaq ka përmendur edhe reklamimin në rreth 50 bilborde në Prishtinë.
Deputeti Tali e ka konsideruar si zgjidhje jo të mençur të Qeverisë që të transmetojë këtë spot për qytetarët e Kosovës, ndërkohë që është interesuar të dijë për kohën e transmetimit, ngase, sipas tij, kjo reklamë nuk po emetohet në kohën më sociale, kur mund të jetë më afër publikut.
Por ministri Shala ka bërë të ditur se transmetimi është bërë në orët më të përshtatshme, në orën 20 dhe në orën 21. “Jam i sigurt që ekspertët që e kanë bërë, e kanë zgjedhur kohën më të efektshme të marketingut”, ka thënë Shala.
Ndërkaq, edhe Lulzim Zeneli, shef i Grupit parlamentar të LDD-së thotë se krejt qytetarët e Kosovës e kanë ditur që kosovarët janë “Young Europians”.
“Më doket që Qeveria e Kosovës këtë nuk e ka ditë për vete. Edhe ka pasë nevojë, ndoshta, ata për vetveten të bëjnë fushatë, që është absurditet i llojit të vet. Kjo është hipokrizi, në qoftë se ne vazhdojmë t’i promovojmë. Nëse ato projekte që kanë pasur përmasa ndërkombëtare t’i promovojmë para vetvetes. Kjo është katastrofë”, vlerëson ai.
Zeneli thotë se asnjëherë reklamën për kosovarët e rinj nuk e ka parë në asnjë nga mediat ndërkombëtare. “Unë e përcjell BBC-në, CNN-në edhe asnjëherë nuk kam pasur rast ta shoh. I kam parë reklamat që vijnë nga Mali i Zi dhe Maqedonia, por jo të Kosovës”, shton ai.
Qëllimi i kësaj fushate mediatike, e cila është përgatitur nga konsorciumi “BBR Saatchi & Saatchi”, është që të ngrisë imazhin e Kosovës në botë, përmes reklamimit në mediumet më prestigjioze botërore.
Konsorciumi “BBR Saatchi & Saatchi” ka fituar tenderin në vlerë 5,7 milionë euro, ndërkaq fushata do të jetë shumë e gjerë dhe pritet të zgjasë dy vjet.