E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pare për kerre

Presidenti i Kosovës ka vendosur përfundimisht t’i largojë disa nga veturat që i kanë shërbyer paraardhësit të tij, Ibrahim Rugovës.

Kështu, Zyra e presidentit ka bërë një kërkesë në Komisionin për ekonomi dhe financa të Kuvendit të Kosovës për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 350 mijë eurosh në kuadër të investimeve kapitale, të cilat do të shfrytëzohen për blerjen e veturave të reja.

Edhe pse eskorta e presidentit numëron mbi katër vetura, ai ka vendosur që ta përtërijë atë. Se sa vetura do të jenë, këtë nuk e di as zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri. Por, sa vetura e ka ndërmend t’i blejë presidenti, këtë ende nuk e di as vetë.

“Nuk është e precizuar se sa makina. Makinat që aktualisht i ka presidenti, pas kontrolleve teknike është konstatuar që janë bukur të vjetra, janë qysh të kohës së se ish-presidentit historik, Rugova. Kërkesa është bërë dhe është miratuar nga Komisioni. Edhe nëse eventualisht shpallet ndonjë tender, do të bëhet në mënyrë transparente dhe legale”, shton ai.

Ndonëse pjesë e eskortës së presidentit, është edhe policia e Kosovës, sipas Beqirit, automjetet do të përdoren për përcjelle të presidentit të Kosovës, pra për nevoja drejtpërdrejt të presidentit Sejdiu.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për buxhet dhe financa në Kuvendit e Kosovës, Gani Koci nuk dëshiron të flasë lidhur me këtë temë.

Në kohën kur ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova kishte të njëjtat vetura, Lulzim Zeneli ishte zëdhënës i tij. Në atë kohë, sipas Zenelit, veturat kanë qenë në gjendje të mirë, derisa tash nuk e di se në çfarë gjendje janë.

Megjithëkëtë, ai është i bindur se kërkesa e Presidencës për 350 mijë euro bëhet nga mungesa e një agjende shtetërore dhe politikave funksionale. Zeneli konstaton se këto politika janë të dyshimta.

“Ajo çka është e ditur në Kosovë kemi shpëlarje të parave... është vështirë të gjendet arsyetimi. Këto ndodhin si rezultat i asaj kush mundet me grabllue sa më shumë, duke filluar prej presidentit, e deri te mekanizimi më i ulët”, thekson ai.

Ai ende nuk e di se a ekziston nevoja e presidentit për t’i blerë këto vetura.

Duke e komentuar kërkesën e Zyrës së presidentit Sejdiu, Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Lirive të Njeriut arsyeton kërkesën e presidentit me një dozë të madhe të ironisë.

“Pse jo? Kosova është vend shumë i pasur, me ekonominë më të madhe në Evropë, nuk janë asgjë ato, i ka kërkuar 350 mijë, duhet t’ia japin 900 mijë euro, në Kosovë nuk ka varfëri, nuk ka papunësi. Të gjitha janë”, thotë Shala i mllefosur.

Ndërsa versioni serioz i Shalës është kështu: “Unë nuk e di kur e kanë ndërmend këta m’u ndalë, deri ku kanë me shku këta? Kur ia shoh veturat, së paku i ka katër deri në gjashtë vetura... Nuk është Kosova vend aq i madh me i shpenzue paratë në luks, thjesht nuk kanë interesim për fatin e këtij populli, për vuajtje”, vlerëson Shala.

Por, kjo çështje edhe përkundër kritikave duket të jetë e pakthyeshme. Presidenti do t’i marrë 350 mijë eurot për blerjen e veturave.

Kështu të paktën ka vendosur Komisioni për buxhet dhe financa, e ka mbështetur të mërkurën kërkesën e Zyrës së presidentit të Kosovës, për ndarjen e mjeteve në kuadër të investimeve kapitale në vlerë prej 350 mijë eurosh për blerjen e veturave.

Ditë më parë, organizata joqeveritare kanë kritikuar ashpër edhe vendimin e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për rritjen e pagave të deputetëve të Kosovës.

Edhe mjekët kanë protestuar ndaj këtij vendimi. Behxhet Shala paralajmëron reagim edhe ndaj kësaj çështjeje. Shpenzimi i parave si për deputetë, ashtu edhe për vetura të presidentit, janë të panevojshme dhe në shpërpushje me gjendjen sociale të punëtorëve të tjerë të shëndetësisë, arsimit dhe sektorëve të tjerë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›