E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Sistemi bankar, motorr i zhvillimit

I pranishëm në një takim të organizuar në Tiranë, nga Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e mbylljes së vitit 2009, Guvernatori Fullani theksoi se "në përgjithësi, kjo periudhë ka pasur uljet dhe ngritjet e veta, ku padyshim ndikim ka pasur dhe sistemi bankar".Duke u ndalur në disa nga elementet kryesore që tregojnë përparimin e sektorit bankar shqiptar gjatë këtyre viteve, Fullani vuri në dukje se sektori bankar që dominon sektorin financiar në Shqipëri, ka kaluar nga një sektor me 3 banka, ku të gjitha ishin pronë shtetërore dhe kishin mangësi të ndryshme, në një sektor që sot numëron 16 banka, të gjitha me pronësi private, ku mbizotëron kapitali i huaj. Sipas tij, gjatë kësaj kohe sektori bankar e ka zgjeruar aktivitetin e tij, duke zënë 77% të PBB-së së vendit, ka rritur numrin e degëve, ka ofruar më shumë produkte ndaj publikut dhe ka përmirësuar cilësinë e tyre. Po ashtu sektori bankar ka rritur rolin ndërmjetësues financiar, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Njëkohësisht, hyrja e grupeve të njohura bankare evropiane nga Greqia, Austria, Italia dhe Franca, është shoqëruar me episode të konsolidimit në industrinë bankare. Në këtë periudhë të zhvillimit të këtij sektori, nënvizoi Fullani, janë miratuar standarde të larta për një qeverisje më të mirë të bankave dhe marrëdhënie më transparente me publikun.  "Gjatë këtyre viteve, sektori bankar ka qenë mjaft fitimprurës dhe ka operuar në përputhje me kuadrin rregullator dhe mbikëqyrës lidhur me kapitalin dhe likuiditetin”, shtoi Fullani.      Sipas tij, Bordi i Drejtorëve dhe aksionerët kanë prezantuar menjëherë masat e nevojshme për ruajtjen e gjendjes së shëndoshë financiare dhe në mbështetje të zgjerimit të bankave të tyre me kapital shtesë. Puna mbikëqyrëse e Bankës së Shqipërisë ka ndjekur dhe monitoruar zhvillimin e sektorit bankar gjatë kësaj kohe, në përpjekje për të adoptuar standardet më të mira ndërkombëtare në këtë fushë.      Megjithatë, shtoi Fullani, industria bankare është përballur me një numër çështjesh, shumë prej të cilave janë pjesë e fazës së zhvillimit të sektorit tonë financiar në drejtim të konsolidimit të tij dhe zhvillimit të ekonomisë dhe shoqërisë. "Ne kemi diskutuar në lidhje me këto çështje në shumë raste të tjera, por kurrsesi nuk do të lija pa përmendur rëndësinë e mekanizmave të duhura për menaxhimin e rrezikut, zgjerimin e balancuar të aktivitetit, procedura të qarta e transparente, e shumë çështje të tjera", përfundoi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.                                                                                             

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›