Hetohet incidenti me armë në Malishevë

Nga Express më 03 janar 2011 në ora 10:47
Një person është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur gjatë një përleshjeje me armë zjarri në një lokal nate në Banjë të Malishevës, 50 kilometra në jug-perëndim të Prishtinës.
Policia e Kosovës tha se zënka ka ndodhur gjatë kremtimit të festave të fundvitit dhe në të janë përfshirë një numër personash.
Të paktën 7 veta janë arrestuar dhe policia po heton rastin, motivet e të cilit sipas saj ende nuk janë të njohura.
Lëvizja Vetëvendosja, partia e tretë politike në vend, e ka dënuar incidentin dhe ka kërkuar që të mos politizohen problemet personale.
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kremtimit të festës së Vitit të Ri, një numër personash janë lënduar nga pakujdesia e përdorimit të fishekzjarreve. /bbc/