E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jakup biznesmeni e Isa rockeri

Ata nuk janë politikanë, por kanë diçka që i bashkon me politikanët. Jakup Krasniqi e Isa Mustafa, njëri me profesion biznesmen, e tjetri rocker, rrëfejnë për Express ndodhitë e tyre, që lidhen pikërisht me emrat e njëjtë me ata që gati çdo natë shfaqen në televizor. Nga Lirita Halili më 03 janar 2011 në ora 10:00

Jakup Krasniqi, sa herë që çohet nga shtrati, e ngroh fytin me një “Johny Walker”, shikon pak televizorin dhe niset për t’i drejtuar bizneset e tij.

Përveç disa bizneseve të tjera, ai është edhe pronar i një restoranti. Jakupit nuk i intereson shumë politika, prandaj as nuk i shikon lajmet. Atij më shumë i pëlqen të mblidhet me shokët e tij për të pirë, sesa të dëgjojë premtimet e parealizuara të politikanëve.

E, ndryshe nga Jakupi, Isa Mustafa nuk e preferon shumë rakinë. Prandaj, ai nuk mblidhet me shokë për të pirë, por për të bërë muzikë rock. Këta të dy e kanë një gjë të përbashkët. Asnjërit nuk i intereson aq shumë politika. Madje, ata nuk janë as politikanë. Jakup Krasniqi nuk është ushtruesi i detyrës së Presidentit të Kosovës, e as Isa Mustafa nuk është kryetari i LDK-së dhe i Komunës së Prishtinës.

Jakup Krasniqi është një 74-vjeçar, me prejardhje nga Lupçi i Poshtëm, por është rritur në Prishtinë. Ndryshe nga ai Jakupi, të cilin jemi mësuar ta shohim në televizor gati çdo mbrëmje, ky është një i moshuar, por biznesmen. Megjithatë, nuk është se Jakup Krasniqi ynë nuk ka qenë kurrë në ndonjë pozitë. Ai para luftës së fundit në Kosovë, ka qenë kryetar i Bashkësisë Lokale në Fushë-Kosovë. “E di mirë se si është me qenë në pozitë. Ja di hallin edhe emnakut tim”, tregon Krasniqi për Express.

Por për Jakupin nuk është shumë i rëndësishëm fakti se ai bart emrin e një kryetari shteti. Kjo, sepse ai ka hequr shumë para luftës në Kosovë, pikërisht për shkak të emrit.

Ai thotë se të gjitha sherret që i ka parë emrit të tij, nisën në vitin 1998, kur doli hapur nëpër media Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në krye me zëdhënësin e saj, Jakup Krasniqi.

“Gjatë asaj kohe, policia serbe janë mbytë t’u e ndalë djalin tim rrugës. I kanë bërë probleme, e i kanë thënë se qysh baba yt, njeri e burrë i mirë është bërë zëdhënës kryesor i UÇK-së”, pohon Jakupi ynë.

Menjëherë pas këtyre fjalëve të policisë, djali i tij ishte nisur drejt shtëpisë për ta pyetur Jakupin, se mos ndoshta ishte pjesëtar i UÇK-së, e nuk i kishte treguar familjes për këtë punë.

“I thash djalit që shko e tregoji policisë se ai Jakupi që është pjesë e ushtrisë, është djalë i ri. E, unë në atë kohë ishte burrë në pension. Edhe pse nuk më interesonte shumë nëse beson a jo”, rrëfen Jakupi, teksa kujton se ky nuk ishte rasti i vetëm që policia ka ngatërruar atë me Jakupin e ish-UÇK-së.

Por, përveç gjërave të këqija, që Jakupi mban mend t’i kenë ndodhur, për shkak të emrit të njëjtë me ish-pjesëtarin e UÇK-së, ai kujton edhe gjërat e mira. Teksa e shikon gotën e rakisë, Jakupit iu kujtua edhe koha e pasluftës, kur emnaku i tij e kishte lënë ushtrinë, për t’u bërë politikan, në periudhën kur ishte edhe pak sëmurë.

“Kur u liruam nga okupatori, filluam të dalim me shokë për të pirë. Një natë dola me një mik timin. Duke ndenjur, dëgjova tek po i bënte atij telefoni. Ishte një mik i tij”, kujton Jakupi, derisa e mban mend edhe bisedën telefonike.

“Sapo ai hapi telefonin, i tha mikut të mos e shqetësonte, se është në qytet duke pirë me Jakup Krasniqin. Gjatë asaj kohe, Jakupi kishte qenë diçka sëmurë. E, ai shoku që ishte në telefon, e dëgjova kur i tha këtij se ‘qysh po e len Jakupin me pi, kur nuk është me shëndet mirë”, tregon Jakupi duke qeshur.

Megjithatë, përveç këtyre ndodhive, Jakupi thotë se ka përfituar shumë në mbrojtjen e pronës së tij. E, edhe kësaj radhe për shkak të emrit. Jakupi menjëherë pas përfundimit të luftës kishte hapur një biznes të tij. Ai kishte një kioskë pranë Spitalit të Prishtinës, ku shiste hamburgerë. “Kioska ka qenë e imja qysh para lufte. Por pas lufte, kur filluan uzurpimet e pronave, e dija që dikush do të ma merrte atë”, pohon ai.

Nga frika se do t’ia uzurponte dikush kioskën, Jakupi e kishte porositur një mik, që të shkonte aty dhe ta shkruante emrin e tij. “I thash shkruaje, kjo është prona e Jakup Krasniqit. Këtë s’e kam bërë për ta shfrytëzuar emrin tim, që e kisha të njëjtë me një pjesëtar të UÇK-së, por nuk e mohoj se ky fakt ma ka shpëtuar pronën time. Askush pas luftës nuk e ka prekë kioskën, duke menduar se vërtet është e Jakupit të UÇK-së”, kujton me gaz, Jakupi.

Rockeri Isa Mustafa

Isa Mustafa është një djalë i ri 24-vjeçar, i cili jeton në Prishtinë. Përveçqë e ka emrin e njëjtë me atë të kryetarit të Prishtinës, dhe qytetin e njëjtë ku jetojnë, ai nuk ka asgjë tjetër të përbashkët me Mustafën e politikës.
Isa është basisti i rock grupit kosovar “Gillespie”, por punon edhe si IT në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në fakt, Isa, këtë emër e ka bartur deri në fund të shkollës fillore. Pas kësaj periudhe, kur ai i ka rregulluar dokumentet, i ka shtuar një “H” në fund, për ta bërë kështu Isah Mustafa. Por, edhe pse ekziston ky dallim, Isah thotë se shokët e thërrasin pa shkronjën e fundit.

“Sa herë që i thërras shokët në telefon, me lajmërohen me alo kryetar. Ose sa herë që duan të bëjnë shaka me dikë, i thonë që ja po e thërras kryetarin për kafe”, tregon duke qeshur Isah për Express.

E, përveç kësaj, Isahu thotë se i ka ndodhur shumë shpesh që në vendin e tij të punës të marrë e-maila, të cilat i janë dedikuar kryetarit të Prishtinës. “Pasi punoj në Ministri edhe unë e kam emailin zyrtar. Çdo ditë më vijnë ftesa, ankesa e shumë gjëra të tjera, të cilat në fakt janë për kryetarin e Prishtinës”, rrëfen rokeri Mustafa. Por të njëjtën gjë ai e thotë edhe për kryetarin. “Edhe kryetarit i shkojnë e-maila, që në fakt janë nisur për mua. Ndonjë pyetje për kompjuter, pasi jam IT, pyetje të cilat sigurisht që kryetari nuk di t’u përgjigjet”, thotë ai me shaka.

Përveç e-mailave, Isahu thotë se sa herë ka zgjedhje në Kosovë, telefoni i tij mbushet me mesazhe nga diaspora. Ai në profilin e tij të Facebookut e ka të postuar edhe numrin e telefonit. “Qytetarët bëjnë kërkime në emër të Isës, Kryetarit, dhe më gjejnë mua. E marrin aty numrin e telefonit, duke menduar se jam kryetari”, tregon ai për rrengun që ka krijuar.

Madje, sipas Isës, të gjithë ata qytetarë që i kanë dërguar mesazhe uruese, nuk e kanë lënë pa e marrë një përgjigje, kinse nga kryetari. “Ata më urojnë për postin e kryetarit, e unë nuk përtoj t’ua kthej falënderimet. Unë e bëj, se e di që kryetari nuk do ta bënte”, thotë ai duke qeshur.

E, përveç numrit të telefonit, në profilin e Isës në Facebook, mund ta gjeni edhe një foto, krah për krah me emnakun e tij. Poshtë fotos ka komente ndër më të ndryshmet si: cili është cili? edhe buzëqeshjen e paskeni të njëjtë...e shumë komente të tjera.

Sidoqoftë, edhe pse nuk i intereson shumë politika, Isahu në këto zgjedhjet e fundit, ka dashur ta shfrytëzojë pak emrin e tij. Ai thotë se për pak sa nuk ka hyrë në listën e zgjedhjeve si deputet i pavarur. “ E dija se në krah të Isës, do t’i merrja gjysmën e votave. Mirëpo, ja që nuk e bëra se kushedi çka kishe ndodhë pastaj...”, thotë Isah Mustafa, i cili kurrë nuk do të mund ta paramendonte kryetarin Isa Mustafa, IT dhe rocker.

Por ndërkohë, thotë se veten e paramendon pa flokë si Isa.

Megjithëkëtë, fakti që Jakupi bart të njëjtin emër me atë të ushtruesit të detyrës së Presidentit të Kosovës, kurse Isahu, atë të kryetarit të Komunës së Prishtinës, nuk do të thotë se këta të dy ndjejnë ndonjë simpati për emnakët e tyre.

Jakup Krasniqi thotë se, kjo nuk e ka shtyrë atë që të ndërrojë mendim për ta votuar Jakupin e PDK-së. “E kam identitetin tim. Atë që e dua, e votoj”, thotë i bindur biznesmeni Jakup Krasniqi. “Por respekt për Kryetarin kam”, shprehet ai.

Ndërkaq, Isah Mustafa thotë se po t’i ofrohej shansi i njëjtë, sikurse emnakut të tij, ai do të bënte diçka për Prishtinën. “Punën e parë që do ta bëja do të ishte ngjyrosja e rrugëve me ngjyrë të kaltër. Në mungesë të lumit”, thotë i bindur i riu Isah Mustafa.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›