E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hezbollahët nisin tërheqjen nga Bejruti "i pushtuar"

Dje hezbollahët nisën që të tërheqin personat e armatosur nga Bejruti dhe ia dorëzuan rrugët e objektet që kishin marrë një ditë më parë nën kontroll, forcave ushtarake qeveritare. Hezbollahët, një grupim politik i mbështetur nga Irani dhe Siria, që kanë në dispozicion një grup militant të armatosur, deklaruan se po i jepnin fund prezencës së tyre të armatosur në Bejrut. Të premten Hezbollahët vunë nën kontrollin e tyre pjesën më të madhe të qytetit. Edhe pas tërheqjes së trupave, liderët e grupit kanë deklaruar se do të vazhdojnë mënyrat e tyre të protestës, derisa t‘u plotësohen kërkesat, por askush nuk e di se përse bëhet fjalë. Sipas tyre, qeveria u ka shpallur luftë Hezbollahëve, që luajtën një rol shumë të rëndësishëm për fatet e luftës 34-ditore me Izraelin në vitin 2006. Kryeministri i vendit, Fouad Siniora, legjitimiteti i të cilit është vënë në diskutim nga opozita e udhëhequr prej Hezbollahëve, ia faturoi përgjegjësinë e lëvizjes kundër Hezbollahëve ushtrisë. Ushtria është parë gjithmonë si një forcë neutrale në konfliktin mes pozitës në pushtet dhe aleancës së opozitës të udhëhequr nga Hezbollahët. Lideri i koalicionit qeveritar, Saad al-Hariri, politikani sunit më i fuqishëm dhe aleat i afërt i Arabisë Saudite, tha se ai do të mbështeste çdo vendim të ushtrisë që kishte të bënte me qetësimin e situatës. Pjesa më e madhe e luftimeve u bë ndërmjet shiitëve të armatosur, besnikë të opozitës dhe mbështetësve sunitë të Haririt. Dy ushtarë dhe 17 persona të armatosur humbën jetën në përleshjet e fundit të së shtunës, ndërkohë që ditët e fundit të acarimit të konfliktit janë plagosur rëndë 100 persona. Dy personat e vrarë dje po merrnin pjesë në një funeral dhe u bënë pre e disa breshërive me automatik, që shkaktoi më pas shpërthimin e një dhune, që u kujtoi të gjithëve ditët e vështira e tragjike të luftës civile të viteve ‘75-‘90. Hezbollahët akuzuan personat e armatosur e proqeveritarë të Partisë Progresiste Socialiste për grabitjen e tre anëtarëve të Hezbollahëve. Presidenti tha se Bejruti u pushtua sipas një mënyre puçiste të pabesë. Fati i arsenalit ushtarak të Hezbollahëve ka qenë në qendër të kontradiktave mes opozitës dhe koalicionit qeveritar. Sipas qeveritarëve, nuk mund të pranohet fakti që opozita e vendit të ketë një forcë të saj ushtarake, ndërkohë që është ushtria e shtetit ajo që duhet të ketë e vetmja mandatin e veprimit në emër të tij brenda dhe jashtë territorit të vendit. Shtetet e Bashkuara, të cilat i konsiderojnë Hezbollahët një grup terrorist dhe një kërcënim ndaj Izraelit, deklaruan se kishin nisur bisedimet me përfaqësues të tjerë të faktorit ndërkombëtar për të vendosur në lidhje me forcën ushtarake të Hezbollahëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›