"Gordon Braun merr këshilla nga Toni Bler"
Kryeministri britanik, Gordon Braun, merr këshilla nga paraardhësi i tij, Toni Bler, për strategjitë që duhet të ndjekë për të fituar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Këtë deklaratë e bën gruaja e ish-kryeministrit britanik, Toni Bler, Cheri, në një intervistë që dha dje për dy gazeta britanike. Gjatë intervistës, ish-zonja e parë britanike nxjerr "lakuriq" marrëdhënien plot ulje ngritje mes të dy burrave, të cilët punuan përkrah njëri-tjetrit për thuajse një dhjetëvjeçar. Ajo e përshkroi krizën e popullaritetit që pati Bler në vitin 2004, për shkak të luftës në Irak me presionin që në atë kohë Braun i bënte Blerit për t‘i dorëzuar çelësat e Kryeministrit. Sipas saj, Braun po i bënte një presion të jashtëzakonshëm Tonit dhe ai do të ishte tërhequr shumë më përpara nga detyra, në rast se Braun do ta kishte mbështetur në reformën e tij të shërbimeve publike. "Ka pasur shumë raste kur Toni ka dashur që të largohet nga posti, por unë gjithmonë i kam thënë se nuk kishte ardhur ende koha për ta marrë një vendim të tillë, përveç se në rastin e fundit, kur tashmë qëndrimi ishte i pamundur", thotë në intervistë Cheri. Për sa i përket marrëdhënies mes të dy burrave në vitin 1994, ata bënë një marrëveshje, që Braun do ta lejonte Blerin të qeveriste, me qëllim që të tërhiqej në kohën e duhur për t‘ia lënë vendin atij. Por Braun u tregua i paduruar dhe kjo, me sa duket, e ka prishur marrëdhënien mes tyre. Deklaratat e Cheri-t erdhën në prag të publikimit të librit të saj me kujtime "Të flasësh për veten", ku ajo rrëfen për jetën e saj personale, por edhe atë përkrah ish-kryeministrit të suksesshëm të Britanisë, Toni Bler. Për sa i takon Braunit, ai kaloi një muaj mjalti të shkurtër, pasi mori postin e Kryeministrit. Kohët e bukura të fillimit u pasuan me një sërë krizash e problemesh të ndryshme, të cilat rrezikojnë seriozisht mundësinë e fitores së laburistëve në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.