E Shtunë, 31 Tetor 2026

STATUTI LIGJOR I SHKODRES EVROPIANE TE VITEVE 1300

KODET DHE LIGJET

FYTYRA E VËRTETË E NJË KOHE

Historikisht, e drejta dhe ligji kanë pasur një funksion dhe mision të rëndësishëm; të administrojnë komunitetet njerëzore, të rregullojnë raportet dhe detyrimet ndërindividuale, të garantojnë liritë, të drejtat dhe pronën e tyre, t‘u hapin dhe sigurojnë rrugën zhvillimeve ekonomiko-sociale në epoka dhe stade të caktuara të progresit shoqëror.

Por, me kalimin e kohëve, kapërcimet, zbulimet, zhvillimet dhe realitetet e reja lënë pas normat dhe kodifikimet e një periudhe të caktuar dhe imponojnë hartimin e ligjeve të reja, duke lënë në duart e kujtesave historike dhe atyre arkivale ligjet e vjetra.

Pas kësaj, duket sikur ligjet e vjetra e kanë humbur përfundimisht misionin e tyre, vlerën dhe aq më pak aktualitetin dhe nuk u mbetet asgjë tjetër veçse të renditen në radhojtë e heshtur të arkivave.

Megjithatë, edhe aty në raftet e arkivave, ku duket se ka mbaruar përfundimisht misioni i këtyre ligjeve, teksa regëtijnë të mbuluar nga hiri i harresës, përsëri, ato kode, ato ligje apo statute vazhdojnë të rrezatojnë vlera të papërsëritshme. Çmimi dhe rëndësia e tyre, më shumë se e çdo lloj dokumenti tjetër arkivor, është unikal. Është i tillë, sepse përmes kodeve të vjetra ligjore nuk evokohet vetëm një personazh, një ngjarje e vetme, një episod, një betejë, një datë e caktuar apo një vit; përmes ligjeve të një kohe, të një vendi lexohet një epokë e tërë, një stad i tërë i marrëdhënieve ekonomike në prodhim, i modernitetit apo primitivitetit të teknikave të prodhimit, të llojit të pronës dhe raportet që kanë pasur individët mbi të.

Përmes këtyre kodeve ose statuteve mësojmë thelbin, shpirtin moral dhe atë politik të një populli në një kohë të caktuar, gjejmë se te kush ishte përqendruar pushteti dhe autoriteti i vërtetë i sovranit.

Përmes tij gjejmë se ç‘formë kishte ngrehina administrative e kohës, cilat qenë funksionet dhe hierarkia, mësojmë se ç‘fytyrë kishte pushteti, dhunues (violent) apo paqësor.

Përmes tyre mësojmë cinizmin, egërsinë, despotizmin apo prirjet tolerante, liberale dhe demokratike të një shoqërie.

Përmes tyre arrijmë të mësojmë se cilat qenë vlerat qytetare, urbane, shijet artistike dhe gjer ato etike të një populli në pasazhe të caktuara të rrugës së tij nëpër histori.

Ja pra, janë pikërisht këto dhe shumë informacione e të dhëna të tjera, që na ofron ky lloj dokumenti arkivor - statutet, kodet apo ligjet.

Një i tillë ishte pikërisht edhe Statuti i Shkodrës.

AUTORITETI MË I LARTË POLITIK

I SHKODRËS

Si një ligj bazë i administrimit të jetës së një komune mesjetare (nënkupto principate), "Statuti i Shkodrës" do të rendiste në radhën e dispozitave të tij të para faktin se kush ishte institucioni më i rëndësishëm politik dhe ligjor.

Padyshim, ishte Mbreti!, dhe pranë e afër tij Këshilli (organ i zgjedhur) E tillë ishte ato kohë hierarkia politiko-administrative që ngrihej në çdo "Regnë", "Komunë", apo "Civita" në mbarë Evropën Perëndimore mesjetare.

Mbreti institucionalizohet ligjërisht si subjekti që gëzonte të drejtat më thelbësore dhe të qëndrueshme të drejtimit dhe veprimtarisë së Komunës.

Nëse do t‘u referohemi dispozitave konkrete të "Statutit" (Neni-kreu 1), në të konfirmohet, sanksionohet e drejta e parë e Mbretit për të pranuar të huaj të jetojnë në territorin e komunës. E thënë me fjalë të tjera, ishte vetëm vullneti i monarkut që jepte të drejtën e qytetarisë për atë që do të kërkonte të jetonte në qytet me kushtin që t‘i nënshtrohej një detyrimi financiar dhe nën garancinë e mbrojtjes së tij. Kjo e drejtë ligjore, që në kohët moderne do të përkthehej me - dhënien e shtetësisë - me ligj i jepet Mbretit.

Një tjetër çështje me rëndësi që lidhet me pushtetin dhe të drejtat e Mbretit është edhe ajo e pushtetit dhe kompetencave mbi drejtësinë. Atributi, për administrimin e drejtësisë dhe çështjeve gjyqësore i njihet parimisht monarkut, me specifikën që ai mund t‘ua delegonte këtë atribut institucioneve që ushtrojnë këtë funksion - gjykatës. Konkretisht në nenin 2 thuhet:

"… për çdo çështje gjyqësore që lind mes qytetarëve… Mbreti ia beson të drejtën për të gjykuar gjykatësve. Këtu përjashtohen katër çështje që i gjykon vetë Mbreti dhe kanë të bëjnë me kurorëthyerjen…"

Siç shihet pushteti i Monarkut fuqizohet edhe më tej duke i dhënë atij edhe kompetencat e ushtrimit të pushtetit gjyqësor. Por, kjo e drejtë në Mesjetë apo edhe në kohë të tjera, qoftë edhe ato moderne, nuk ishte e pakët, pasi i jepte vlera të jashtëzakonshme fuqizimit të pushtetit absolut të monarkut.

Ndërsa në nenin 85 i jepet atij një e drejtë tepër e veçantë dhe e rëndësishme, e drejta e mobilizimit të qytetarëve për luftë, e thënë me fjalë të tjera e shpalljes së luftës. Pa dyshim, kjo e drejtë që sanksionon këtë fuqi të veçantë të monarkut shton te kurora elementët e fuqisë absolute.

Por, duhet të kujtojmë se gjer në vitet e hartimit të këtij statuti (shek XIV, Evropa dominohej nga absolutizmi, pra pushtetet e pakufizuara të monarkëve, që siç shihet edhe Arbëria si pjesë e pandarë e saj përkundej nën të njëjtin shtrat ligjor e moral. Legjislacioni evropian i asaj kohe parashikonte një sërë dispozitash që garantonin pushtetin e Mbretit dhe interesat e tij. Instrumentet që e realizonin këtë mision ishin aparati ekzekutiv dhe ai gjyqësor.

Të njëjtën gjë bënte edhe Statuti i Shkodrës përmes dispozitave, ku duket qartë roli aktiv në mbrojtje të monarkut dhe pushtetit të tij.

Sidoqoftë, kjo nuk ishte ndonjë gjë e veçantë apo privilegj "in extremis", që vetëm ky "Statut" i jepte monarkut. Në këtë kuptim, roli dhe vendi që ka Mbreti në të është jo vetëm normal, por edhe progresiv për kohën, pasi ai vjen dhe zëvendëson absolutizmin e perandorit në perandorinë kristiane, një subjekt me fuqi dhe të drejta të paprekshme, absolute, të padiskutueshme dhe të pakufizuara.

E DREJTA E QYTETARIT

PËRBALLË PUSHTETIT TË MONARKUT.

Por, arritja akoma më e madhe institucionale për atë kohë ishte ajo ç‘ka reflektonte një dispozitë e këtij statuti - "rebelimi" i qytetarit përballë absolutizmit të Mbretit. Është fjala për të drejtën e tij që të mos iu bindur urdhrit kur ai kërkohet të paraqitet në gjykatë, për raste konfliktesh civile procesesh penale, kur ndodhej përpara detyrave të rëndësishme, si fushatat e mbjelljeve, korrjeve …

Duke iu referuar konkretisht nenit 3 të "Statutit", gjejmë:

"Me dëshirë të zotit Mbret, qytetarët tanë që thirren në gjyq me letër e vulë, nuk janë të detyruar të paraqiten në periudhën nga festa e Shën Stefanit deri në festën e Shën Shirgjit…në fillimin e mbjelljeve,… Krishtlindje"

Kjo dispozitë, me karakter procedurial, është padyshim e një rëndësie të veçantë, pasi në thelb ajo pasqyron "një rebelim", një kapërcim të madh e të rëndësishëm politik e juridik për kohën.

Nuk duhet harruar se në shekujt e 13-14, të gjithë ligjet evropiane konsakronin fuqinë dhe pushtetin e privilegjuar dhe të padiskutueshëm të monarkëve. Do të duhej të kalonin kohë gjersa të lindnin mendimtarët kurajozë si Baldo, Okhami, Padova; të kalonin gati tre - katër shekuj që të hartoheshin doktrinat e para të shtetit ligjor, nga Xhon Lok e Forteskje; apo të gatuhej revolucioni borgjez francez; që të kufizoheshin apo limitoheshin me ligj të drejtat e pushteteve absolute dhe në tërësi absolutizmi monarkik.

Pikërisht kjo pjesë e dispozitës së "Statutit", është ndoshta më e rëndësishmja, pasi ajo udhëheq drejt kundërshtimit të vullneteve të paprekshme dhe arrogante të mbretërve. Në këtë aspekt, me ketë dispozitë dhe ndonjë tjetër, "Statuti" bëhet pararendës i idesë parlamentariste që do të fitonte terren për herë të parë me luftërat civile në Angli, në shekullin XVII kundër Stjuartëve dhe do të shtrihej mandej në tërë Evropën Perëndimore.

QYTETI I SHKODRËS DHE

E DREJTA PUBLIKE E PRIVATE

Në radhën e dispozitave të para të këtij Statuti, hartuesit e tij, kanë renditur një numër jo të vogël nenesh ( nga neni 8 gjer në nenin 27), të cilat kanë për objekt hapësirat urbane të qytetit, normat dhe kriteret që përcaktojnë rregullat në ndërtimin e shtëpive, distancat dhe pozicionet e tyre në raport me fqinjët, kushtet dhe kriteret ligjore që duhet të përmbushin terreni dhe zotëruesi i truallit etj. Në këtë çështje, Statuti përcakton kritere të rrepta ligjore për të arritur dhe shmangur çdo abuzim apo arbitraritet të mundshëm me pronën dhe për të pasur nën kontroll të rreptë administrimin e tokës, territorit dhe ndërtimeve abuzive, pa leje. Duke iu referuar konkretisht vetëm njërës prej dispozitave, nenit 8, ai thotë:

"Në rast se dikush ka ndërmend të ndërtojë një shtëpi me gur apo me dru në një truall ku nuk ka pasur ndërtesë më parë, së pari duhet të thërrasë gjykatësit dhe të rrethojë vendin me mur ose me gardh. Përtej rrethimit të mbetet një hapësirë 2 hapash. Nëse nuk i fillon punimet, detyrohet t‘i paguajë Komunës 20 hyperperë duke humbur edhe truallin. Këto gjëra duhet të kryhen me akte të noterit."

Padyshim, koha e hartimit të këtij Statuti është ende e largët nga ajo epokë kur qytetërimi evropian dhe reformatorët e mëdhenj të së drejtës filluan të kodifikojnë pra të veçojnë në kode, sipas objektit, dispozitat e të drejtave të veçanta. Ato mote ishte ende herët të mëvetësoheshin dispozitat sipas specifikimit të tyre.

Është kjo arsyeja që në radhën e neneve të Statutit ne gjejmë të radhitura bashkërisht dispozita të së Drejtës Publike, të së Drejtës Civile, të së Drejtës Familjare, të së Drejtës Penale, etj. Aty gjenden nene që marrin në mbrojtje çështjet e ruajtjes së ambientit, ndërtimin e mureve mbrojtëse, kanalizimeve…, mbjelljen e pemëve, ndalimin e prerjes së drurëve etj. (nenet 43-48)

Në radhët e dispozitave të Statutit renditen gjithashtu edhe një numër i madh nenesh, të cilat rregullojnë veprimtarinë dhe detyrimet ligjore të profesioneve të ndryshme, si ato të këpucarit, marangozit, hekurpunuesit, mjekut, detyrimet dhe të drejtat e tyre ligjore dhe financiare etj (nenet 45-63)

Aq me detaje dhe saktësi ligjore janë hartuar dhe definuar këto dispozita sa vështirë të abuzohet financiarisht apo të gjenden shtigje për evazion fiskal nga ushtruesit e këtyre profesioneve.(neni 50..) Kështu, duke iu referuar ushtrimit të aktivitetit të një profesioni, atij të marangozit, dispozita konkrete në këtë Statut shprehet si më poshtë:

"Mbi mjeshtrat marangozë."

"Lidhur me mjeshtrat marangozë urdhërojmë që asnjëri prej tyre të mos përfitojë për pagë ditore më shumë se tre grosh Sklavonie bashkë me një vakt të mjaftueshëm ngrënieje. Nga dita e Shën Sergjit në fund të shtatorit e tutje të paguhet me 12 grosh. Kush vepron ndryshe, të dënohet me 12 grosh gjobë, që do të ndahen përgjysmë midis Kontit dhe paditësit. Por me këtë nuk i hiqet e drejta e ushtrimit të zanatit."

Normat e Statutit, gjithashtu, parashikojnë edhe parandalimin e punimeve me cilësi të dobët dhe ndëshkimin e autorëve të tyre.( neni 49)

Mbi punën e pandershme.

"Nëse dikush pëson dëm nga puna e keqe e një mjeshtri dhe është në gjendje ta provojë këtë, ky i fundit detyrohet t‘i paguajë 12 hyperperë për dënim, si dhe t‘i shlyejë të gjithë dëmin."

Me vëmendje të veçantë është trajtuar në këtë Statut edhe roli dhe misioni i mjekut.

Detyrimi ligjor për t‘i shërbyer të sëmurëve dhe të mos i braktisë ata janë shprehje e një këndvështrimi human që reflektojnë hartuesit e këtij Statuti dhe në tërësi shoqëria shkodrane e kohës.(neni 55)

"Mbi mjekun".

"Urdhërojmë që çdo mjek që pranon të kurojë një të sëmurë, të mos e braktisë atë përpara se ta ketë shëruar, veç në e thirrtë Mbreti. Kush vepron ndryshe, detyrohet të paguajë 8 hyperperë gjobë, gjysmën Kontit dhe gjysmën tjetër paditësit".

PAPREKSHMËRIA E PRONËS,

DHE TË DREJTAT NË KODIN AGRAR

Shoqëria mesjetare shkodrane ishte një shoqëri e lidhur dhe ndërvarur maksimalisht prej bujqësisë, punëve dhe produkteve bujqësore e blegtorale.

Si e tillë nuk kishte si të mos reflektoheshin gjerësisht në dispozitat e këtij "Statuti" të drejtat, detyrimet dhe sanksionet që i shërbenin paprekshmërisë së pronës, ruajtjes dhe zhvillimit të aktivitetit bujqësor, atij blegtoral dhe produkteve të tyre. Është kjo arsyeja që qysh prej nenit 57 e gjer në nenin 84 Statuti trajton këto çështje.

KONTRATA E PUNËS

Me interes është një dispozitë e veçantë e Statutit e titulluar "Mbi punëtorët dhe pagën"- neni 71.

E thënë ndryshe kjo dispozitë është një kontratë e mirëfilltë pune

"Nëse një punëtor, shërbëtor ose shërbëtore, i cili në prani të garantëve ka rënë në ujdi me padronin e vet për të qëndruar kaq apo aq vite ose muaj, dëshiron të shkojë përpara kohe, nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, qoftë sepse mund të jetë parapaguar dhe qoftë për faktin e thjeshtë se nuk lejohet largimi përpara përfundimit të kontratës. Nëse ngul këmbë në të tijën, të paguajë një gjobë prej 8 hyperperësh Sklavonie që do të ndahen barazisht midis Kontit dhe padronit. Po të mos i qëndrojë më marrëveshjes, do të paguajë të njëjtën gjobë dhe do të vazhdojë t‘i bindet besnikërisht të gjithë urdhrave të padronit ose padrones.

Nëse provohet e kundërta, humbet pagën e krejt vitit ...... Nëse punëtori ose punëtorja do të sëmuret, padroni detyrohet ta ushqejë dhe kur të shërohet, punëtori..... Nëse ndokush do të arrinte ta tërhiqte dhe ta merrte në punë përpara se të ketë shlyer llogaritë me padronin e vjetër, dhe nëse një gjë e tillë provohet, rrogëtari detyrohet të paguajë 8 hyperperë gjobë,..... Nga ana e tij, pronari nuk është i detyruar të plotësojë me çdo kusht detyrimet që lindin nga marrëveshja.

E parë me kujdes ajo është një kontratë e mirëfilltë pune dhe në hartimin dhe konceptimin e saj, ajo nuk është aspak larg kontratave që hartohen sot mes punëmarrësit e punëdhënësit, detyrimet mes palëve nëse shkelen apo nuk zbatohen detyrimet etj.

FJALA "TRADHTAR" FYERJA MË E RËNDË

E PARASHIKUAR NGA LIGJI.

Tërheq vëmendjen dhe duket se ka interes të veçantë një dispozitë të këtij Statuti, e cila merr në mbrojtje personalitetin e shtetasit, pra të qytetarit shkodran. Ajo lidhet me fyerjen publike që mund t‘i bëhet atij dhe që siç duket cenonte më rëndë dinjitetin në ambientin ku ai jetonte. Siç shihet më poshtë, përmes nenit 92 mësojmë se fjalët, që rëndonin më shumë qytetarin e asaj kohe nuk kanë qenë fyerjet banale, as ndonjë term vulgar, që në ditët tona është kthyer në zhargon të ditës. Asokohe duket se ajo që godiste dhe lëndonte më shumë shpirtin, nderin dhe dinjitetin e banorit të Shkodrës ka qenë termi "tradhtar"!!! Prandaj edhe sanksioni, gjoba që parashikonte ky nen ishte më i madhi pothuaj nga çdo ndëshkim tjetër financiar -500 hyperperë.

E çuditshme, por edhe dinjitoze njëkohësisht!

Neni 92, thotë:

"I ndalohet çdo qytetari t‘i drejtohet bashkëqytetarit të tij me fyerjen "ti je tradhtar i Mbretit" ose "i Komunës"... Kush vepron ndryshe do t‘i dorëzojë kryezotit tonë 500 hyperperë."

Kaq shumë e ka tronditur shpirtin e shqiptarit të asaj kohe kjo fjalë?

Çuditërisht, ligji nuk parashikon dhe nuk na bën të njohur ndonjë fjalë apo term tjetër që do të vinte përballë ndëshkimit, fyesin.

Duket se termi "tradhtar" ka qenë fyerja më e rëndë dhe se vetëm ajo fjalë merrte kuptimin e vërtetë të veprës penale. Që kjo fyerje të kishte atë rëndesë, atë peshë denigruese dhe depersonalizuese, sa ajo të vlerësohej kaq seriozisht, nënkupton se klima dhe terreni qytetar i asaj kohe duhej të ishte i mbarsur me patriotizmin qytetar, të ketë qenë i ndezur me respektin ndaj vendit dhe për pasojë morali më i shenjtë dhe i paprekshëm për njeriun të ketë qenë besnikëria ndaj Atdheut.

Vetëm në një klimë të tillë, ku ndjeshmëria dhe devocioni qytetar ndaj vendit është sensibilizuar maksimalisht, fjala "tradhtar" duket që godiste dhe shkaktonte efekte të papranueshme, hapte plagë të rënda dhe gjurmëlënëse, më shumë se çdo lëndim apo dhimbje tjetër fizike; prandaj dispozita parashikonte një ndëshkim të pafalshëm, një sanksion ekonomik të papërballueshëm.(500 hyperperë!!!)

Ndoshta kjo dispozitë e "Statutit" i bën apel moralit tonë për të reflektuar për vlerat që ajo mbart mbas kaq shekujsh, kur fyerja dhe zhargonet amorale në ditët e sotme duket se po fitojnë përherë e më tepër padrejtësisht qytetari mes nesh!

TRADHTIA NDAJ QYTETIT

Duket që morali i shkodranëve në çështjen e besnikërisë ndaj qytetit të tyre ka qenë më shumë se një çështje sublime. Kur themi "qytetit", për dimensionet dhe botën mesjetare nënkuptohej Atdheu. Dhe kur themi pabesia ndaj qytetit nënkuptohej pabesia ndaj Atdheut. Duke folur pikërisht për këtë çështje të ndjeshme, në nenin 228 të "Statutit" thuhet:

Mbi pabesinë-tradhtinë.

"Nëse provohet se dikush nuk i ka qëndruar besnik qytetit tonë, gjithë pasuria e tij bëhet pronë publike, kurse tradhtarit i pritet koka dhe nëse arrin të arratiset të shpallet i dëbuar përjetë nga qyteti ynë."

Gjykojmë që kjo dispozitë, që i takon të drejtës penale, nuk ka nevojë për komente të mëtejme. Ndëshkimi dhe hakmarrja ndaj atij njeriu që nuk do t‘i qëndronte besnik vendlindjes përpara interesave të të huajve ishte e pafalshme. Dënimi për të është kapital dhe brenda Statutit nuk gjendet sanksion alternativ. Jo vetëm kaq, por sanksioni i kësaj dispozite parashikon pasoja të dyfishta jetësore dhe pasurore njëkohësisht. Mund të themi se radikalizmi i saj është unik dhe nuk gjendet në asnjë figurë krimi tjetër që parashikon ky "Statut".

TË MBROSH PERSONALITETIN E QYTETARIT

ME LIGJ

Veç "paralajmërimeve", detyrimeve dhe ndëshkimeve që përcakton Statuti për shkelje, faje dhe krime të ndryshme ndaj qytetarit që shkel apo tenton të shkelë ligjin, nga ana tjetër "ai merr në dorë" mbrojtjen e tij dhe të personalitetit, për të mos u prekur aq më pak për të mos u cenuar nga askush. Në një pozitë të veçantë dhe të privilegjuar Statuti vendos edhe femrën duke i dhënë kështu asaj një statut të veçantë. Kështu nenet 255 - 256 dhe ndonjë tjetër na thonë:

Neni 255

Mbi fyerjen "hajdut", "bir kurve", "zgjebanjos".

"Nëse dikush shan tjetrin me shprehjet "hajdut", bir kurve, zgjebanjos", dobiç, gomar, kur akuza të tilla nuk provohen dënohet..

....

Neni 265 -

...Dhunimi apo vënia dorë mbi një femër dënohet..

PROSTITUCIONI (87)

Padyshim, dispozitat e "Statutit" kanë, veç të tjerave dhe vlerë njohëse. Përmes tyre ne mund të dallojmë detaje të realiteteve që dominonin jetën e përditshme qytetare shkodrane e më gjerë, klimën dhe botën morale të banorëve që popullonin dhe qarkullonin në rrugët e qyteteve arbërore të kohës.

Në radhën e këtyre dispozitave, te neni 87, shikojmë të shprehur shqetësimin publik mbi shfaqjet e prostitucionit; si konsiderohej ai dhe në të njëjtën kohë si stigmatizohej dhe si ndëshkohej moralisht e ligjërisht. Duke iu referuar në mënyrë konkrete këtij fenomeni, dispozita për të na thotë:

"Mbi gratë e përdala"

"Nëse një grua provohet se është e përdalë nga dëshmia e dy ose tre burrave, të mos lejohet të mbajë kapelë në kokë, siç është zakoni ynë as të shoqërohet me këdo. Nuk i lejohet të rrijë pranë zonjave fisnike.... Nëse provohet se një grua e përdalë bën punë të liga ose kërkon të prishë të tjerët ajo duhet të lërë qytetin tonë brenda tri ditësh dhe nëse e kapërcen këtë afat të ndëshkohet me tetë hyperperë gjobë, të sillet rrugëve të qytetit duke u rrahur me shkop dhe më në fund të syrgjynoset dhe kurrë të mos kthehet në tokën tonë".

Pra, shihet që gratë arbërore të qytetit asokohe mbanin një kapele, shenjë e fisnikërisë dhe e moralit e të tyre. Natyrisht, ne nuk dimë se si dhe ç‘formë ka pasur ajo. Por, nga ana tjetër ne mësojmë qëndrimin shoqëror dhe ligjor-institucional ndaj një femre e cila deklarohet si e përdalë. Ajo izolohej nga shoqërimi dhe marrëdhëniet me tërë shtresën e grave të nderuara të qytetit. Në rastet se do të konstatoheshin veprime të përsëritura të saj, pra ajo vlerësohej si recitiviste, ndëshkimi ishte edhe më i madh - asaj i hiqej përfundimisht e drejta për të jetuar në këtë qytet duke u syrgjynosur larg tij, pa të drejtë kthimi.

Përmes dispozitës mësojmë gjithashtu se çfarë ndjeshmërie ka pasur opinioni vendas ndaj një fenomeni të tillë shoqëror dhe çfarë sanksionesh sociale e ligjore ai vendoste si reagim për të ndëshkuar dhe parandaluar atë.

NDARJA E SË DREJTËS LAIKE

NGA E DREJTA FETARE

Fundi i mesjetës evropiane arriti të ngrinte një sistem të së drejtës laike që do të administrohej nga ligje që mbështeteshin mbi koncepte të tjera nga ato tradicionale, të së drejtës kristiane. Kjo e drejtë evidentohet qartë dhe dukshëm edhe në Statutin e Shkodrës. Ai, veç të tjerave, ka mbi dyzet dispozita që rregullojnë veprimtarinë e pushtetit gjyqësor, të gjykatave, të organizimit dhe funksionimit të tyre, të drejtat e gjyqtarëve, etj. (shih nenin 110 - 151)

Në to flitet gjithashtu për procedurat e gjykimit, dëshmitarin dhe të drejtat e tij, dëshminë e rreme dhe pasojat juridike, shtrëngimi dhe presionet ndaj dëshmitarëve, marrja nën mbrojtje e tyre etj. Një vend të veçantë zë avokati dhe funksionet e tij, noteri, kompetencat dhe llojet e akteve që ai përpilon, provat e paraqitura në gjyq, mbi fillimin e çështjeve, betimi mbi ungjill, etj.

Në nenin 5 të Statutit flitet për përgjegjësinë penale të qytetarëve të huaj që pretendojnë se nuk e njohin Statutin. Çuditërisht, edhe ligjet e kohëve moderne shprehin, as më pak e as më shumë, të njëjtën gjë se; "askush nuk mund të pretendojë përjashtimin nga përgjegjësia ligjore me arsyetimin se nuk e ka njohur ligjin..."

"Statuti" gjithashtu bën qartas dallimin mes të drejtës kishtare dhe asaj laike, qytetare. Kleriku në konflikt me qytetarin e zakonshëm mund të paraqitet sipas rastit në gjykatën civile apo përpara hierarkisë fetare, te peshkopi, në varësi të objektit të konfliktit mes palëve. Nëse është fjala për konflikte pronësie apo objekte që i takojnë institucionit klerikal, atëherë çështja bëhet objekt i gjykimit vetëm të së drejtës kristiane (rangjeve klerikale) dhe ky Statut i ndalon gjykatës civile të marrë në shqyrtim këtë rast.

Siç përmendim edhe më sipër, dimensionet dhe larmia e subjekteve, të neneve të Statutit është shumë e madhe, ajo rrok pothuaj të gjitha aspektet me të rëndësishme të jetës arbërore mesjetare. Është e pamundur të renditen dhe analizohen ato një për një, por duke shkuar drejt përmbylljes të kësaj ekspozeje të parë mund të përmendim se aty nuk lihet jashtë vëmendjes as diplomacia, fenomeni i dhimbshëm shoqëror që e vuan edhe sot shoqëria shqiptare - gjakmarrja, vendvarrimi i individit etj.

Duke shkuar me emocion drejt mbylljes së qëmtimeve mbi këtë Statut duhet të pohojmë edhe një herë se fondi arkivor i Muzeut Karer në Venecia duke na prurë këtë dokument të shkruar në papirus, në dukje të parëndësishëm, ai na solli një pjesë të mrekullueshme të historisë së vendit tonë, një pjesë që nuk ishte njohur kurrë më parë. Historia e këtyre shekujve të popullit tonë tanimë ka shumë ç‘të shohë, të rishohë, pse jo të rikuperojë dhe së fundmi edhe të jetë krenare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›