Hezbollahu: Marrëveshja midis SHBA-së dhe Iranit i jep fund agresionit izraelit kundër Libanit

Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, në një letër drejtuar operativëve të grupit shiit ka deklaruar se një marrëveshje midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është shansi më i mirë për t’i dhënë fund “agresionit” izraelit kundër Libanit.
Qassem hodhi poshtë çdo marrëveshje me Izraelin që përfshin çarmatimin e Hezbollahut.
“Askush jashtë Libanit nuk ka të drejtë të flasë për armët, rezistencën apo organizimin e punëve të brendshme të Libanit. Kjo është çështje e brendshme libaneze dhe nuk bën pjesë në negociatat me armikun”, u shpreh Qassem.
Qassem deklaroi se grupi terrorist është i gatshëm të bashkëpunojë me qeverinë libaneze për të arritur pesë pika kryesore: përfundimin e operacioneve izraelite, tërheqjen e forcave izraelite (IDF), lirimin e të burgosurve libanezë, kthimin e civilëve në Libanin jugor dhe rindërtimin.
Gjithashtu, ai theksoi se Hezbollah mbështet vendosjen e ushtrisë libaneze në jug të lumit Litani, ndërsa kërcënoi se do ta kthejë Libanin në një “ferr” për Izraelin nëse vijojnë luftimet.
“Ne do t’i përgjigjemi agresionit dhe shkeljeve, dhe nuk do të kthehemi në status quo-në para 2 marsit”, ka theksuar ai.
/rtsh.al/