Shtyhet në GJKKO seanca për pasuritë e Martinajt/Babai i tij, Mustafa Martinaj, akuzon autoritetet për mungesë hetimesh

Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua sërish seanca për konfiskimin e 34 pasurive të lidhura me Ervis Martinajn, me vlerë të përllogaritur rreth 10 milionë euro. Seanca u shty për mungesë të dy avokatëve.
Në gjykatë u paraqit babai i tij, Mustafa Martinaj, i cili pas seancës u tha gazetarëve se autoritetet nuk po bëjnë përpjekje për zbardhjen e fatit të djalit të tij, duke pretenduar se ka dhënë koordinata dhe emra konkretë. Ai akuzoi edhe drejtues të policisë kriminale ndër vite për mungesë interesi dhe tha se ka dëshmuar në SPAK me iniciativën e tij, por nuk ka pasur asnjë zhvillim pasues.
Në tetor 2025, ai kërkoi në Gjykatën e Lezhës që Ervis Martinaj të shpallet zyrtarisht i zhdukur, por ende nuk ka vendim. Ndërkohë, për SPAK, Martinaj vijon të konsiderohet i gjallë në mungesë provash ndryshe.
Ervis Martinaj është në kërkim ndërkombëtar, pas dëshmive të Nuredin Dumanit, i cili e ka implikuar në porosi për vrasje.
/rtsh.al/