Teksasi padit Netflix për spiunim, akuzat: Platforma vjedh të dhënat e fëmijëve dhe krijon varësi te përdoruesit

Gjiganti i transmetimit online, Netflix, është vënë në shënjestër të drejtësisë amerikane pas një padie të bujshme të ngritur nga shteti i Teksasit. Prokurori i Përgjithshëm, Ken Paxton, e akuzon hapur kompaninë për spiunim të qytetarëve dhe mbledhje të paligjshme të të dhënave personale.
Sipas autoriteteve, platforma përdor teknika dizajni që krijojnë varësi te përdoruesit për t’i mbajtur ata sa më gjatë të mbërthyer pas ekranit. “Kur ju shikoni Netflix-in, në fakt është Netflix-i ai që po ju vëzhgon ju,” thuhet shprehimisht në dokumentin e dorëzuar në gjykatë.
Padia pretendon se kompania ka regjistruar çdo klikim dhe lëvizje të familjeve, duke përfshirë këtu edhe privatësinë e fëmijëve, pa marrë asnjë pëlqim paraprak. Nga ana tjetër, zëdhënësit e Netflix-it kanë reaguar menjëherë duke i cilësuar këto akuza si të pabaza dhe krejtësisht të pasakta.
“Ne e marrim seriozisht privatësinë e anëtarëve tanë dhe respektojmë ligjin në çdo vend ku operojmë,” deklaroi prerë kompania përmes një njoftimi zyrtar, duke shtuar se do t’i kundërshtojë akuzat në gjykatë. Megjithatë, hetimi thekson se miliarda informacione mbi sjelljen e njerëzve janë shitur te ndërmjetësit komercialë për të gjeneruar fitime marramendëse.
/rtsh.al/