E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hi Classic pasuron bibliotekat

Fondacioni kulturor shqiptar Hi Classic, i themeluar nga sopranoja shqiptare Inva Mula dhe biznesmeni kosovar, Hetem Ramadani, organizoi shpërndarjen e veprës së plotë të Ismail Kadaresë për 50 biblioteka të Kosovës. Fondacioni ndau falas 100 komplete të Kadaresë. Nga Albana S. Muja më 28 janar 2011 në ora 19:47

Kohë më parë sopranoja shqiptare e njohur ndërkombëtarisht, Inva Mula, u shfaq në Tiranë si drejtuese e fondacionit kulturor të emëruar Hi Classic, të cilin e kishte themeluar bashkë me biznesmenin kosovar, Hetem Ramadani.

Fondacioni Hi Classic ka për qëllim mbështetjen e artit dhe kulturës mbarëshqiptare.

Ky fondacion, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, në mesditën e së enjtes organizoi shpërndarjen e veprës së plot të Ismail Kadaresë, pothuaj për të gjitha bibliotekat e Kosovës.

Në kuadër të veprimtarisë së tij për mbështetje të nismave kulturore mbarëkombëtare, Hi Classic deri tani dhuroi rreth 250 komplete të veprave të Kadaresë. Përderisa 100 komplete iu dhuruan të enjten 50 bibliotekave të Kosovës, 80 iu ndanë bibliotekave të Shqipërisë, ndërsa 30 do të shkojnë në Maqedoni, 20 në Mal të Zi dhe 20 në Luginën e Preshevës.

Në ceremoninë e organizuar me rastin e ndarjes së librave për bibliotekat kosovare i pranishëm ishte drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Sali Bashota. Ai nismën e fondacionit hi Classic e quajti një simbolikë të veçantë, jo vetëm për Bibliotekën Kombëtare, por edhe për të gjitha bibliotekat e Kosovës.

“Vetë simbolika e shpërndarjes së këtij botimi e ka rëndësinë e veçantë, sepse këto komplete shkojnë në të gjitha bibliotekat shqiptare, jo vetëm në Kosovë. Ky është një motiv edhe më i madh që shkrimtarët e mëdhenj, si Kadare, të jenë të pranishëm në bibliotekat tona, sepse duke nderuar një personalitet të tillë ky fondacion e nderon edhe vetë kulturën tonë kombëtare”, theksoi Bashota.

Përfaqësues i fondacionit që i duhuri veprat ishte kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Adem Demaçi. Ai nënvizoi se ky fondacion, që po realizohet në mënyrën më të mirë, është themeluar nga dy njerëz të mëdhenj, të cilët kanë bërë një vepër të madhe.

“Vetëm dija kur ndahet bëhet më e madhe, e të gjitha tjerat zvogëlohen. Në këtë mënyrë, dy donatorët e këtij fondacioni e kanë menduar që një shkrimtar i madh, si Kadare, nëse lexohet tek-tuk nuk mund ta shijosh sa duhet, por kur ai të lexohet në tërësinë e vetë, atëherë kjo është ajo bota e tij, në të cilën ai e pasqyron botën tonë reale”, tha Demaçi.

Ndryshe, pas Kosovës, fondacioni Hi Classic do të vazhdoj nismën e tij të pasurimit të edhe shumë bibliotekave tjera, po pothuaj të gjitha vendet shqipfolëse.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›