E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pasqyra” në Ministrinë e Kulturës

28/01/2011  Nxitja dhe zhvillimi i industrisë turistike në vend, i lidhur ngushtë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare, forcimin e identitetit kombëtar, nxitjen dhe promovimin e artit dhe kulturës, fuqizimin e kapaciteteve dhe infrastrukturës sportive, si dhe vëmendje më e madhe ndaj politikave dhe programeve rinore, ka qenë në vëmendjen e veprimtarisë së Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve gjatë vitit që lamë pas. Të paktën kjo theksohet në një informacion të përmbledhur nga ministri i TKRS-së, Ferdinand Xhaferaj, lidhur me zhvillimet për vitin 2010, si edhe për objektivat në vitin që sapo ka hyrë. Ministri Xhaferaj tha gjithashtu se ajo që ndodhi një javë më parë e ka dëmtuar rëndë industrinë turistike. “Tentativa e Edi Ramës për të marrë pushtetin me dhunë, për të marrë godinën e Kryeministrisë i ka dhënë një goditje të rëndë industrisë turistike”, nënvizoi Xhaferaj.

Turizmi

Ndryshimi i imazhit të vendit, përmirësimi rrënjësor i infrastrukturës, promocioni agresiv duke kombinuar spotet promocionale në rrjete televizive prestigjioze të rajonit, sipas Xhaferajt kanë sjellë si rezultat një prurje të rëndësishme turistësh në Shqipëri. Kështu vërehet se në vitin 2010 kanë vizituar Shqipërinë 3.5 milionë turistë. “Për më saktë viti që sapo lamë pas ka sjellë më shumë se 500.000 vizitorë të huaj krahasuar me një vit më parë. Ky vit ka shënuar sukses në pasqyrimin e turizmit shqiptar në mediat e huaja ndër më prestigjiozet në botë, ku: Reuters, “New York Times”, CNN, RAI, “Lonely Planet Guide”, por edhe “Financial Times” kanë në lajmet e tyre një emërues të përbashkët duke propozuar Shqipërinë si një destinacion që nuk duhet lënë pa vizituar në vitin 2011”. “Me qëllim përmirësimin e shërbimit turistik në vend, dhe për krijimin e një data-base mbarëkombëtar për shërbimet turistike, për herë të parë në muajin shkurt 2010 u krijuan Zyrat e Shërbimit Turistik (ZSHT) në 9 qarqe të vendit”. Gjithashtu në vitin që lamë pas u krijua Programi i Parë dhe Kursi Njëvjeçar i Kualifikimit për “Guidat Turistike”, u krijua Regjistri Kombëtar i Burimeve Turistike. Aktualisht MTKRS po bashkëpunon me Komisionin Evropian dhe programin “Një OKB” për projektet: “Zhvillim i Qëndrueshëm dhe Integral i Qendrave të Trashëgimisë Historike” projekt në vlerën 3 148 262 euro. Një tjetër projekt është projekti për restaurimin e kalave në qendra të banuara, përkatësisht Tiranë, Krujë dhe Himarë dhe vendosjen e këtyre potencialeve të trashëguara (arkitekturore, tradite, historie, arkeologjike, etj) të lëna në harresë, në shërbim të turizmit. Faza e dytë e këtij projekti në vlerën 5 milionë euro, parashikohet të shtrihet në Korçë, Elbasan, Berat dhe Shkodër e fillon të konkretizohet në fillim të vitit 2011.

Po në këtë linjë është edhe projekti i Turizmit dhe Mjedisit në rajonin e Kukësit. Qëllimi i projektit është të kontribuojë në promovimin e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme, tërheqje ndaj rajonit të Kukësit, si dhe të nxisë bashkëpunimin ndërkufitar Shqipëri – Kosovë.

Trashëgimia kulturore

Viti 2010 shënoi nisjen e reformës së institucioneve të trashëgimisë kulturore. Të gjitha strukturat e trashëgimisë kulturore janë vendosur nën varësinë profesionale dhe strukturore të Institutit të Monumenteve të Kulturës, “si institucion tërësisht i specializuar për të adresuar problematikat e trashëgimisë kulturore”. Sipas ministrit Xhaferaj, janë realizuar ndërhyrje madhore për rehabilitimin dhe restaurimin e qendrave historike, monumenteve të kulturës dhe objekteve të kultit në të gjithë Shqipërinë, si dhe ndryshime të rëndësishme në aktet nënligjore. Ndërhyrjet kryesore të realizuara janë: restaurim i fasadave dhe ndërhyrje konstruktive në objektet e Pazarit të Vjetër në Gjirokastër (buxhet shteti dhe financimi i shtetit nëpërmjet UNESCO-s). Nënvizohet se financimi prej 1.2 milionë USD tashmë ka përfunduar me sukses. Një tjetër ndërhyrje e rëndësishme ka qenë ajo për rikonstuksionin e Muzeut Arkeologjik në Korçë në shumën prej 2.6 milionë lekësh. Janë kryer punime restauruese në Kullën e Sahatit, Tiranë, në bashkëpunim edhe me ambasadën amerikane në Tiranë, nëpërmjet fondit të ambasadorit të SHBA-së. Ministri foli edhe për bashkëpunimin me fondin ONE UN të qeverisë spanjolle për shtetin shqiptar dhe që synon edhe ndërhyrje rikonceptuese në Muzeun Historik Kombëtar, parqet arkeologjike të Apolonisë dhe Antigonesë. “Janë miratuar nga Këshilli i Ministrave rregulloret e administrimit të zonave arkeologjike të Shkodrës dhe Elbasanit, si dhe janë në proces përgatitje dhe marrje mendimi nga ministritë e linjës edhe rregulloret e Lezhës, Vlorës, Durrësit, Sarandës, Beratit dhe Krujës”, vijoi më tutje ai, ndërsa theksoi se vëmendje e veçantë i është kushtuar Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore. “Në këtë vit në sesionin e radhës së Asamblesë së Përgjithshme të Shteteve palë në Konventën e UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Shpirtërore, Shqipëria u zgjodh me shumicë votash anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për katër vitet e ardhshme. Po kështu në këtë kuadër ka filluar të funksionojë Komiteti Kombëtar i Trashëgimisë Shpirtërore, i cili në mbledhjen e tij të parë shpalli Listën e Kryeveprave të Trashëgimisë Shpirtërore Kombëtare”.

Në fushën e artit dhe kulturës

Me qëllim “mirëfunksionimin e Institucioneve Artistike, si dhe promovimin e artit dhe kulturës në vend”, MTKRS miratoi ligjin e ri “Për Artin dhe Kulturën”. Në vijim të zbatimit të këtij ligji në vitin në vazhdim do të fillojë funksionimin Qendra Kombëtare për Artin dhe Kulturën. Ky ligj mundëson dhe obligon hapjen këtë vit të Teatrit të Komedisë dhe Cirkun.

Viti 2010 shënoi afrimin në skenën shqiptare të personaliteteve dhe artistëve të rinj shqiptarë që performojnë dhe veprojnë në Evropë dhe botë nëpërmjet projektit “Fondi i Ekselencës”. Kështu u ngjitën para publikut shqiptari tenori Saimir Pirgu dhe sopranoja Inva Mula në operën “Përrallat e Hofmanit”.

2010-a u shpall si viti i Nënë Terezës për nder të 100-vjetorit të lindjes së bamirëses shqiptare. Rreth 15 aktivitete kombëtare në të gjitha zhanret e artit dhe kulturës u organizua nga MTKRS, në nder të Nobelistes së madhe shqiptare.

Në fushën e rinisë

Shqipëria gjatë vitit të fundit është përfshirë në procesin e Rishikimit të Politikave Rinore, i realizuar nga Këshilli i Evropës. Ekspertët e Këshillit të Evropës për çështjet e të rinjve në përfundim të këtij procesi kanë dorëzuar Dokumentin e Rishikimit të Politikave Rinore në Shqipëri, i cili është një udhërrëfyes për qeverinë shqiptare në lidhje me problematikën, prioritetet dhe alternativat e implementimit të strategjisë, planit të veprimit dhe politikave rinore në nivel kombëtar. Ministri foli për programe trajnimi dhe aktivitete për rritjen e pjesëmarrjes e të rinjve në jetën publike, vendimmarrje, fuqizimin e organizatave rinore, promovimin e një jete të shëndetshme përmes përfshirjes së të rinjve në veprimtari njohëse dhe edukuese, me karakter sportiv e kulturor, për parandalimin e fenomeneve negative dhe sjelljeve me risk social. Gjatë 2010-ës janë zbatuar më shumë se 60 projekte rinore, duke bërë kujdes edhe për shpërndarjen gjeografike të tyre.

Në fushën e sporteve

MTKRS e ka përqendruar punën e saj në dy drejtime kryesore. Drejtimi i parë është promovimi i “Sportit për të Gjithë”, si një mjet për të përmirësuar cilësinë e jetës në ditët e sotme, ndërsa drejtimi i dytë përfshin mbrojtjen e sportit kundrejt rreziqeve me të cilat po haset sot, si doping-u dhe dhuna. Edhe në këtë fushë janë synuar përmirësime të kuadrit ligjor si: Miratimi i Strategjisë Kombëtare të Sportit, që është për miratim në Këshillin e Ministrave. Për miratim në VKM është edhe një shtesë dhe ndryshim në Vendimin e Këshillit të Ministrave të 2008-ës, “Për kriteret e përcaktimit të nivelit të lartë sportiv, për mënyrën e shpërblimit të sportistëve, që i arrijnë këto nivele, si dhe për përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive”. Sipas Xhaferajt, në zbatim të konventave të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë ka funksionuar në mënyrë efikase “Komisioni Kombëtar Antidoping”. Gjatë vitit të fundit janë krijuar tre Federata të reja Sportive: “Federata Shqiptare e Sportit të Velave”, “Federata Shqiptare e Gjuetarëve dhe Peshkatarëve”, si dhe “Federata Shqiptare e Aeronautikës”. Gjithashtu kemi arritur të riorganizojmë Agjencisë së Shërbimit të Sportit si në aspektin teknik, ashtu dhe atë administrativ.

Prioritetet

Hapësirë turizmit kulturor dhe malor

Ligji i ri për Turizmin që është në fazën e diskutimit me grupet e interesit parashikon harmonizimin e iniciativave private dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërsektorial. Do të punohet për krijimin e lehtësirave fiskale në vend, duke synuar përafrimin e detyrimit të TVSH (Tatimi i Vlerës së Shtuar) për bizneset turistike me vlerat mesatare të rajonit tonë. Më konkretisht nga 20% që është aktualisht synohet të jetë 8-10%. MTKRS, për turizmin kulturor është e vendosur të përmirësojë ndjeshëm prezantimin e monumenteve të kulturës, qendrave arkeologjike dhe muzeve të saj, me qëllim krijimin e një rrjeti prej rreth 20 destinacionesh të rëndësishme të trashëgimisë kulturore që do të rijetëzohen dhe më mirë prezantohen në funksion të turizmit kulturor. Nxitja e bashkëpunimit me universitete dhe fakultete turizmi, por edhe bashkëpunimi me aktorë si GTZ, SNV, USAID, Rritje Albania për trajnimet dhe hartimin e përmirësimin e kurikulave në fushën e turizmit, shërbimeve turistike dhe promocionit. Do të krijohen mundësi për zhvillimin e turizmit malor.

Restaurime dhe rikonceptim në muzeume

Në maj 2011 do të fillojnë ndërhyrjet infrastrukturore në Kalanë e Elbasanit, Beratit, Pazarin e Korçës dhe Shkodër me një fond prej 5 milionë eurosh të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë në kuadër të IPA 2009. Synohet përmirësimi i aksesit të vizitorëve në Butrint, do të bëhet ndërhyrje radikale në menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, nëpërmjet gërmimeve arkeologjike në funksion të turizmit dhe rigjenerimin e muzeut arkeologjik, i cili është në rikonstruksion, me investimet në Amfiteatrin e Durrësit dhe rikonceptimin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, etj. Për herë të parë do të hapet gjatë 2011 pavijoni i ri i etnografisë në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe do të rikonceptohet pavijoni i genocidit. Po këtë vit përfundon rikonstruksioni i Muzeut Arkeologjik të Apolonisë me vlerë financimi rreth 140.000 USD (UNDP-UNESCO). Zgjerimi dhe rikonceptimi i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe vijimi i rikonceptimit të Muzeut Historik Kombëtar është një tjetër objektiv i këtij viti.

Arti dhe rinia

Në fushën e artit dhe të kulturës do të vazhdojë reformë legjislative. Do të miratohen ligjet në proces, do të ngrihen institucionet e reja kombëtare të kulturës. Ministri nënvizoi dhe njëherë se kultura do të vihet në funksion të turizmit për një marketing dhe turizëm kulturor, me qëllim prezantimin e kulturës shqiptare. Ndërkohë, stina skenike 2011-2012 që përkon edhe festimet e 100 - vjetorit të Pavarësisë do t’i bëjë jehonë kësaj ngjarjeje historike në aktivitetin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Teatrit Kombëtar dhe Galerisë Kombëtare të Arteve. Në fushën e rinisë do të hartohet projekt-vendimi për Agjencinë Kombëtare të Rinisë, “si strukturë eksperte për implementimin e politikave në fushën e rinisë në kuadër të Strategjisë së Rinisë dhe Planit Kombëtar të Veprimit 2007-2013”. Ndërkohë do të hartohet edhe projekt-ligji për rininë, ligj i cili parashikon mekanizmat mbështetës për veprim, përfaqësim dhe infrastrukturë ligjore, institucionalizimin e strukturave rinore, bordet këshillimore për rininë, me qëllim forcimin e statusit të të rinjve dhe mbështetjen e tyre. Do të krijohen edhe qendrat e informimit rinor në 12 prefekturat e vendit me synim “rritjen e aksesit të shërbimeve për të rinjtë në të gjitha fushat”.

Sportet

Këtë vit synohet që të mbështeten sportistë cilësorë, për rezultatet e niveleve të larta, duke i konsideruar si pasuri kombëtare dhe do të bëhet “trajtimi me maksimumin e mundësive për të garantuar arritjen e vazhdueshme të cilësisë së lartë”. Një program i veçantë do të funksionojë mbi mbështetjen e Sporteve Olimpike me synim përfaqësimin dinjitoz të ekipeve kombëtare në aktivitetet kualifikuese për Lojërat Olimpike Londër 2012. Një objektiv tjetër është privatizimi i klubeve sportive, kryesisht ato të futbollit, në bashkëpunim me F.SH.F. Për herë të parë akordohet një fond investimesh prej 540 milionë lekësh në fushën e sportit. Për t’u shënuar është fillimi i punimeve për stadiumin e ri, si dhe transformimi i ish-kompleksit “Dinamo” në qendër sportive në shërbim të gjithë sporteve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›