Hidh gurin e fshih dorën, për aleanca me dreqin e të birin...
Kam vënë re se, sa herë afrohen fusha zgjedhore, e majta ish-komuniste-enveriste, për rrjedhim antikombëtare, s’e ka për gjë të bëjë aleancë me dreqin e të birin që të gjejë të çara për t’u rikthyer me çdo mjet në pushtet. Ajo s’e ka për gjë të bllokojë reformat pro-evropiane, mjaft që të ngrejë mure ndarëse mes shqiptarësh, mjaft që t’u japë nostalgjikëve sinjale se komunizmi në Shqipëri nuk ka vdekur ende, ndonëse, në të vërtetë, është në grahmat e fundit që paralajmërojnë fatalitet të pashmangshëm. Le të kujtojmë tentativën për grusht shteti të 21 janarit 2011, as gjashtë muaj para zgjedhjeve vendore.
Afërmendsh, në të tilla rrethana, fushata e ardhshme zgjedhore pritet të jetë tepër e ashpër jo vetëm në planin politik, si rëndom në vende demokratike, por edhe në planin e interesave kombëtare, çka zor se mund të gjendet shembull në botën e përparuar. Për të përballuar zgjedhjet e pritshme, nga kampi opozitar vijnë sinjale domethënëse lidhur me aleancat e dyshimta të PS-së, qoftë në planin brendashtetëror, qoftë në planin brendakombëtar, qoftë në atë jashtëkombëtar.
Përvojat e së kaluarës, nuk duhen nënvleftësuar. Hidhësinë që patëm ndier, e kemi ende në gojë, ndaj ia vlen ta mbajmë parasysh. Sjell në kujtesë debatin për prishjen e Piramidës, që u ndez në vjeshtën e 2010-s me qëllim çoroditjeje të opinionit publik, si pretekst për të ringjallur kujtimin e Enver Hoxhës, as gjashtë muaj përpara zgjedhjeve vendore të 2011-s. Thënë ndryshe, debati synonte të mbante shtrënguar radhët e nostalgjikëve, të akrobatëve të korrupsionit e të krimit të organizuar, të nostalgjikëve, si edhe të llumit të shoqërisë së sotme në vendin tonë, përfaqësuar nga individë të hurit e të litarit, të aftë për të peshkuar në ujëra të turbullta. Tashmë s’ka pikë dyshimi përse Oketa, asohere deputet i PD-së, doli në mbrojtje të folesë së mumies pa mumie, çiban në mes të Tiranës, ani se u fsheh pas gishtit si “inxhinier arkitekt” që i ardhkësh keq të prishej ai farë monument arkitekture. Sot nuk ia vlen të merresh më me Piramidën, as në planin juridik, as në atë të “vlerave arkitekturore”. Madje se ç’ vlera ka pasur e ka i ashtuquajturi mauzole (lexo: piramidë) qoftë edhe nga ana utilitare, përgjigjen ia pati dhënë profesionalisht zotit Oketa arkitekti Fiqret Bekteshi, bash në faqet e gazetës sonë. E solla këtë fakt në kujtesë të lexuesit, si shembull kuptimplotë të asaj që shqip i thonë “hidh gurin e fshih dorën”.
Pak a shumë, e njëjta situatë po përsëritet edhe në prag të zgjedhjeve të pritshme. Madje, ky shtator ka zbuluar plot prej atyre që hedhin gurin e fshehin dorën, duke dhënë sinjale të besueshme se aleancat e PS-së do të synojnë këdo e ngado. Shembullin më domethënës na e dha zoti Majko, me deklaratën e vet për Mbretin Zog i Parë dhe, më pas, me një shkrim në gazetën Panorama. Jam i bindur se zotin deputet të PS-së, nuk e ka ngrënë ndonjëherë meraku për të rivlerësuar ndonjë etapë të historisë sonë, pavarësisht eklektizmit që e përshkon shkrimin fund e krye lidhur me figurën e Ahmet Zogut. Po aq i bindur jam se ai nuk “kurban i mbretërorëve”, siç rreket të na mbushë mendjen. Nëse e pati shqetësuar fakti se ndonjë ndër nostalgjikët e Enver Hoxhës mund ta keqkuptonte alibinë e tij, sipas meje, do të ishte i mjaftueshëm një shkrim i Majkos te “Zëri i Popullit”, me të cilin kapelat “alla Xherxhinski” ngrysin ditën e gdhijnë natën. Dalja e deputetit socialist në një gazetë të pavarur është tepër domethënëse. Hidh gurin e fshih dorën, ai synon tërthorazi rishikimin e figurës së Enver Hoxhës, në të njëjtën gjatësi vale me ata që kërkojnë ngritjen e një përmendoreje të ish-diktatorit, me qëllim që t’i pritet rruga një tjetre për ish-mbretin. Mirëpo zoti Majko harron se përmendoren e Hoxhës e zvarriti populli i Tiranës, teksa vetë deputeti i sotëm i PS-së ishte ndrydhur në grevën e urisë të studentëve, e cila i kumtoi botës mbarë se ish-diktatori i Shqipërisë, një aventurier përdalë, i veshur rastësisht me petk komunisti, nuk do të kishte më vend në Tiranë. Ndërkohë, Zogu i Parë, ai burrë shteti të cilin nuk guxon ta përbaltë drejtpërdrejt zoti Majko, s”ka pasur asnjëherë përmendore në vendin që e ngriti nga hiçi, në shtet. Përkundrazi, edhe varrin e Nënës Mbretëreshë e hodhi në erë njeriu që terrorizoi të gjallë e të vdekur, për të cilin zoti Majko kërkon t’i jepet në histori “vendi që i takon”. Le që ç’ them! Nga një anë ai ka plotësisht të drejtë, përderisa ende nuk i janë hequr ish-diktatorit dekoratat “Hero i Popullit” dhe “Hero i Punës”, përderisa nuk është dënuar pas vdekjes si kriminel dhe përderisa po e shohim nëpër faqe gazetash e nëpër ekrane televizorësh më tepër se ç’e patëm parë gjatë viteve të diktaturës.
Para do ditësh, lexova debatin mes gazetarit kuksian Rexhep Shahu dhe gazetarit kosovar Enver Robelli. Debati, bërë publik në gazetën “55” nga Rexhep Shahu, të cilin s’e njoh, por e që vlerësoj prej shkrimeve të tij, sidomos për Rrugën e Kombit, më kujtoi një artiokull të Robellit botuar në fletushkën e Mero Bazes “Tema”, në fillim të gushtit. Shkrimi mbante titullin “Veshka e Verës dhe imazhi i Kosovës”. Duke ditur se emri Vera është tepër i përhapur në botën shqiptare, mendova se ndonjë fatkeqe nga Kosova me emrin Vera do të kishte parë kushedi se çfarë llahtari nga ndonjë mjek i pandërgjegjshëm kosovar, aq sa imazhi i Kosovës do të merrte me siguri tatëpjetën. Kur e lexova shkrimin, zhgënjimi im ishte i plotë. Bëhej fjalë për një fatkeqe ruse, emigrante në Izrael, e cila kushedi se për çfarë arsyeje ia kishte shitur njërën veshkë një gjermani me emrin Valter. Ndonëse jo gjithmonë për t’u duartrokitur, as për t’u përbuzur, janë gjëra që ndodhin sot në botë për shumë arsye: humanitare, lidhjesh familjare, ekonomike etj., ku hyjnë edhe trafiqet e paligjshme të organeve njerëzore. Ja, pra, bash në këtë linjë e kishte shtjelluar shkrimin e vet ky farë gazetari, mesa duket, me banim në Zvicër që, po të gërryesh në internet, mund ta hasësh më tepër të shprehur në gjuhën serbokroatishte se në gjuhën amtare. Hidh gurin e fshih dorën, qëllimi i shkrimit ishte t’i bënte jehonë raportit famëkeq të Dik Martit, duke iu rikthyer debatit për trafik të supozuar organesh nga ana e UÇK-së dhe duke gjetur rastin të sulmonte edhe Prishtinën, edhe Tiranën zyrtare njëherësh. Mero Baze, padyshim, nuk do ta linte të shkonte huq një rast i tillë i rrallë, ndonëse ngjarja e fatkeqes ruse me emrin Vera ishte dhe është në ndjekje nga ana e organeve të drejtësisë për çështje çmimesh e abuzimesh financiare.
Nuk më duken pa lidhje “veshka e Verës”, bindja e Enver Robellit se zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri do të kontestohen (debati Shahu – Robelli), doracaku transzhener “Tema” me tjetërsimet e veta që njihen botërisht, dhe fushata elektorale që ka nisur tashmë. Kanë nisur, pra, edhe tentativat e mundshme për aleanca me dreqin e të birin, mjaft që PD, Berisha dhe koalicioni qeverisës, t’i humbin zgjedhjet e 2013-s. Një ndër rrugët e aleancave të mundshme me stemë antikombëtare, mesa duket, kalon nëpër kufijtë e Shqipërisë e të Kosovës, endet te veshka e ruses Vera, te raporti i Dik Martit, te revista gjermane “Der Spiegel”, - me prirje drejt së majtës - e cila, me të drejtë, kërkon t’i gjejë fundin abuzimit për një rast transpalitimi bërë në Gjermani, dhe vjen e fle te fletushka e Mero Bazes, për të nisur një cikël të ri.
Nuk ia vlen të zgjatesh më, duke kërkuar të gjesh rrugët e panumërta që të çojnë tek aleanca e PS-së me dreqin e të birin. Ato janë evidente, pasi në to janë përzier nostalgjikë të regjimit komunist ose jo nostalgjikë, por të mëkuar me botëkuptim komunist, ndonëse të goditur prej saj për shkaqe grindjesh klanore; antikombëtarë të shpallur ose kinse atdhetarë të kamufluar, të cilët kërkojnë “halë në përpeq”, për të njollosur arritjet e derisotme të Shqipërisë e të Kosovës; analistë të vetëquajtur të pavarur ose kryetarë OJQ-sh me prejardhje nga nomenklatura komuniste etj. Fijet janë të shumta, qëllimi një: bllokimi i së ardhmes europiane të shqiptarëve, duke përdorur si start të radhës shansin e zgjedhjeve të ardhshme. Ndryshe, si mund të shpjegohet konkluzioni ku ka arritur një analist i njohur prej atyre që na kanë mbirë në sy ekraneve të televizioneve, duke e gjykuar të panevojshëm SHISH-n (SHIK, e quan analisti i thekur ende!), me sebepin e debatit që u ndez pas shkarkimit të ish- kryetarit dhe zëvendësimit të tij me zotin Visho Ajazi? Mua nuk më duket aspak ngutje nga ana e tij për t’ia hyrë badihava analizës së veprimtarisë së një shërbimi inteligjent, siç është SHISH-i. Aq më tepër që analisti, specialist për gjithçka, ka vënë në përdorim hamendjen ose të thënat e të thashat, derisa nuk njeh në themel specifikat e institucionit. Nuk më duket, nga ana tjetër, as shtysë e brendshme e analistit për të qenë i pranishëm në çdo debat, qoftë për nevoja ekonomike, qoftë për shkak mbivlerësimi të vetvetes. Përkundrazi. Analiza kësisoj janë të qëllimshme, derisa bashkë me idetë shpesh interesante, nxjerrin krye lajthitjet (me dashje apo pa dashje?) të cilat për analistin në fjalë, nuk kanë qenë të pakta. Përmend atë për zhvlerësimin e Rrugës së Kombit të cilën, më pak se një vit përpara zgjedhjeve të 2011-s, hidh gurin e fshih dorën, e quajti “luks absurd”, ose kjo për SHISH-in, bash në nismat e fushatës elektorale.