Hidink-Benitez, fillon sfida ndërmjet Liverpulit dhe Juves
Dëshira e “tulipanit” që të rikthehej në Premiershipin anglez, duket se ishte arsyeja kryesore për prishjen e kontratës me Rusinë
“Reds” po mendojnë për holandezin, spanjolli alternativë për bardhezinjtë
Gus Hidink mund të jetë trajneri i ardhshëm i Liverpulit. Nuk është çudi që së afërmi strategu holandez të udhëtojë drejt Anglisë, me synimin që të marrë drejtimin e stolit të “Reds”. Edhe pse është përfolur gjatë në ambientin juventin, ku cilësohej si pasardhësi i çiro Ferrarës, 63-vjeçari duket i destinuar që të punojë në “Anfilld Roud”, ku do të marrë postin e Rafa Benitez. “Intriga” e merkatos plotësohet nga fakti që trajneri spanjoll mund të ulet në stolin e Juventusit. Gjithçka pritet të ndodhë gjatë verës, kur klubi i Premiershipit dhe ai i Serisë A do të bëjnë bilancin e një sezoni që deri në këto momente ka qenë zhgënjyes.
Liverpuli, që ashtu si Juventusi u eliminua nga Champions League që prej fazës së grupeve, renditet i shtati në kampionat dhe rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në aktivitetin më prestigjioz për klube në edicionin e ardhshëm. Ata u eliminuan edhe nga FA Cup (Kupa e Anglisë), përballë modestëve të Riding: kjo humbje ka përkeqësuar financat në arkën e klubit dhe ka vënë seriozisht në dyshim të ardhmen e Benitez. Paraqitja e dobët me skuadrën e katërt nga fundi në Championship, e për rrjedhojë eliminimi, ka bërë që Liverpuli të humbasë afro 9 milionë euro (8 milionë paund). Gjatë viti të kaluar, çelsi përfitoi mbi 5.6 milionë euro (5 milionë paund) nga të drejtat televizive vetëm për ndeshjet nga turi i tretë deri në çerekfinale. Mes humbjeve llogaritet edhe mungesa e sponsorëve të rinj, shitja e biletave, por edhe shpenzimet e jashtëzakonshme të tifozëve britanikë sa herë që shkojnë në stadium. Për t’u theksuar është edhe fakti se gjatë vitit të kaluar, Liverpuli përfitoi afro 24 milionë euro (21 milionë paund) nga Liga e Kampioneve, ku u eliminua nga çelsi në çerekfinale, pas barazimit spektakolar 4-4 në “Stemford Brixh”. Fatura të kripura financiare për klubin që ka probleme të mëdha ekonomike mes “big”-ëve kontinentalë. Trajneri spanjoll përjeton momente të vështira edhe me dy pronarët e klubit, amerikanët Xhilet dhe Hiks, pasi gjatë merkatos së kaluar, nuk u afruan lojtarët për të cilët skuadra kishte më shumë nevojë. “Divorci” pas gjashtë sezonesh të kaluara në “Anfilld” duket gjithmonë e më pranë, pasi skuadra po tregon se ka nevojë të menjëhershme për reforma në aspektin teknik.
Në anën tjetër, situata e Ferrarës (të paktën për momentin) paraqitet më e qetë. Roberto Betega ka krijuar një klimë pozitive rreth trajnerit bardhezi, ndërsa skuadra është përgjigjur në fushë me kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Italisë, në ndeshjen përballë Napolit. Pavarësisht kësaj, Juventusi pritet që në muajin maj të bëjë të gjitha llogaritë: nuk përjashtohet rifillimi i të gjitha projekteve, ku lëvizja kryesore është ndërrimi i trajnerit. Benitez është një alternativë e pëlqyer nga drejtuesit e “Zonjës së Vjetër”, pasi në ekipet ku ka punuar, ka ditur të hapë një cikël dhe të fitojë trofe të rëndësishëm.
#