Hikei: Nuk njohim KOKSH-in e ri, do ketë zgjedhje
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) nuk i njeh zhvillimet e fundit në lidhje me Asamblenë jashtëzakonshme të KOKSH-it, e cila zgjodhi për president Esat Ademin. Pasi na e kishin bërë të ditur nëpërmjet shkresave një gjë të tillë, organizata ombrellë e komiteteve olimpike të të gjitha vendeve ka zgjedhur të na e thotë edhe drejtpërdrejt në sy. Presidentit i Komitetit Olimpik Evropian, Patrik Hikei, bashkë me sekretarin e përgjithshëm Rafaele Panjoci, kanë takuar dje ministrin e Sporteve, Ardian Turku dhe drejtorin e Sporteve, Vasil Bici. Takimi ka qenë privat, ndërkohë që më pas përfaqësuesit e organizatës kontinentale kanë bërë të njohura për shtypin përfundimet e tyre. "Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar na ka kërkuar të vijmë këtu dhe të dëgjojmë të gjitha palët dhe më pas të shkruajmë një raport për bordin drejtues të ‘CIO‘-s. Nuk ka vend për sjellje të tilla dhe asambleja është e jashtëligjshme. Kur situata të qetësohet, duhet të zhvillohen zgjedhje sipas statusit të KOKSH-it", u shpreh Hikei. Po ashtu, evropianët e kanë konsideruar të çuditshëm faktin se statuti i KOKSH-it duhej firmosur nga ministri. Në fund kanë treguar gatishmërinë e tyre për të mbështetur sportistët tanë, të cilët do të marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare, nëse nuk do të ketë ndonjë penalizim nga IOC.