E Diel, 1 Nëntor 2026

Hilari Klinton: Irani të heqë dorë nga armët bërthamore

Klinton e dha këtë deklaratë përpara një audience në Institutin Brookings ku pohoi se në rast se Irani nuk merr parasysh këshillat e organizatave botërore mbi çështjet bërthamore, do të ketë një varg pasojash për këtë shtet.
 
"Mesazhi ynë do të jetë mëse i qartë, ne jemi seriozë dhe së shpejti do të shohim nëse autoritetet iraniane janë serioze. Në samitin që do të mbahet në  Nju Jork, ne do të punojmë me partnerët tanë për t’i sqaruar  Iranit shumë problematika  dhe për të theksuar se angazhimi duhet të prodhojë rezultate reale. Ne nuk kemi dëshirë të zhvillojmë bisedime pa veprim, "- u shpreh Klinton.

Këto deklarata paraprijnë samitin që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Nju Jork, ku do të diskutohet mbi  përdorimin e armëve bërthamore. SHBA nuk kishte marrë pjesë në këtë samit që prej 10 vitesh, që nga viti 1999.
 
Klinton tha se ishte koha që  Irani të tregonte  se ishte serioz në lidhje me shqetësimin ndërkombëtar për armatimet bërthamore. Gjithashtu Sekretarja e Shtetit  shtoi se nuk  donte të paragjykonte rezultatin e mundshëm të diskutimeve, por përsëriti se Uashingtoni nuk do të vinte në këtë samit thjesht për të folur.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›