Sfidat e sigurisë, NATO i bën thirrje Rusisë për bashkëpunim

Bruksel, 18 shtator NOA-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen bëri thirrje sot në Bruksel për një rishikim të përbashkët të sfidave të sigurisë në shekullin e 21 dhe tha se Rusia duhet të jetë një pjesëmarrëse reale dhe një partnere në sigurimin evropian dhe ndërkombëtar.
Zoti Rasmussen tha se Rusia, NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara duhet të shikojnë mundësinë e lidhjes së sistemeve të raketave në një kohë të përshtatshme.
I dërguari i Rusisë në NATO, Dmitry Rogozin tha se komentet e zotit Rasmussen janë shumë pozitive dhe shumë konstruktive. Ai tha se ata duhet ti analizojnë së bashku propozimet e ndryshme.
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Evropës Perëndimore u ngrohën pas rënies së qeverisë komuniste në Moskë. Por ato u tensionuan përsëri vitin e kaluar kur Rusia i shtoi përpjekjet për ndikim në vendet ish komuniste të Evropës Lindore dhe dërgoi trupa për të ndërhyrë në Gjeorgji.
Fjalimi i zotit Rasmussen shënon një qasje të re ndaj marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit.
Duke kërkuar marrëdhënie të reja me Rusinë, ai i bëri thirrje Moskës ti bashkohet koalicionit perëndimor për presion maksimal ndaj Iranit që ai të heqë dorë nga ambicjet bërthamore.