E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hillary Clinton filloi turneun në Afrikë

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka mbërritur në kryeqytetin e Senegalit, Dakar, duke nisur kështu turneun e saj në kontinentin afrikan.

Çështjet e sigurisë do të jenë kryesore në agjendën e Clinton në turneun që nis disa muaj pasi militantët islamikë kanë pushtuar disa pjesë të Malit, vendit fqinj me Senegalin.

Turneu 11-ditor i sekretares amerikane të Shtetit do të përfshijë edhe vizita në Sudanin e Jugut, Ugandë, Kenia, Malavi, Afrikë të Jugut dhe Ganë.

Hillary Clinton do të takohet me presidentin senegalez, Macky Sall dhe pritet që Clinton të vlerësojë zgjedhjet e fundit në Senegal, duke e konsideruar këtë vend si një shembull demokracie në Afrikë.

Gjatë turneut, Hillary Clinton do të takohet edhe me liderin anti-aparteid të Afrikës së Jugut, 94-vjeçarin Nelson Mandela, i cili tashmë jeton në vendlindjen e tij Qunu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›