E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hillary Clinton takohet me Presidenten Jahjaga

Washington – Hillary Clinton ka pritur sot presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila ndodhet sot në vizitë zyrtare në Washington.

Sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton dhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kanë nënshkruar në Departamentin e Shtetit një marrëveshje për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Zonja Clinton, pasi foli për rëndësinë e marrëveshjes, përsëriti mbështetjen e fortë për sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës. “Presidenti Obama dhe unë - ka thënë Sekretarja e Shtetit - jemi të përkushtuar për të garantuar se e ardhmja që Kosova po përpiqet të ndërtojë, do të ketë rëndësi të madhe në radhë të parë për popullin e Kosovës por edhe për të gjithë rajonin”.

Clinton tha se ajo shpreson që vendimi i javës së shkuar i Bashkimit Europian të hapë rrugën për integrimin e Kosovës në BE.

Nga ana e saj, presidentja Jahjaga e quajti marrëveshjen e nënshkruar në Departamentin e Shtetit një akt të fuqishëm simbolik që flet për marrëdhëniet e forta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo tha se SHBA i kanë qëndruar kurdoherë pranë Kosovës.

“Qëndrimi ynë - tha zonja Jahjaga – është ndërtimi i marrëdhënieve të mira me të gjithë fqinjët. Kosova është vend i ri me një histori të gjatë dhe ka një trashëgimi të pasur kulturore”.

Presidentja e Kosovës ndodhet në Washington për një sërë aktivitetesh. Nesër, ajo do të marrë pjesë në përurimin e një nisme të re të Sekretares së Shtetit Clinton për të shtuar numrin e grave në shërbimin publik dhe në udhëheqjen politike të të gjitha niveleve.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Hillary Clinton komentoi dhe gjendjen në veriun e Kosovës. Ajo tha se SHBA janë konsultuar me Kombet e Bashkuara dhe me të tjerë të cilët nuk kanë raportuar për ndonjë krizë humanitare në rajon.

“SHBA, - tha zonja Clinton, - i bëjnë thirrje banorëve të Kosovës, veçanërisht në veri, që të punojnë së bashku, në bazë të Kushtetutës së Kosovës ata gëzojnë të drejta të barabarta. Sa më shpejt të ndodhë integrimi i të gjithë qytetarëve në shtetin e tyre, aq më i shpejtë do të jetë krijimi i asaj të ardhmeje që presidentja dëshiron për popullin e saj”.

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›