Mazhoranca miraton dekretin e Presidentit për kreun e KLSH

Nesër në seancë plenare, Kuvendi do votojë kandidaturën e Bujar Leskaj
Kuvendi do të votojë nesër kandidaturën e Bujar Leskajt si kreu i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Komisioni parlamentar i ekonomisë dhe financave votoi sot pro kandidaturës së Bujar Leskajt në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke miratuar kështu edhe dekretin e presidentit Bamir Topi, për emërimin e tij. Ashtu siç kishte paralajmëruar më herët deputetët e opozitës votuan kundër dekretit të presidentit Topi për emërimin e Leskajt ndërsa janë shprehur se po kështu do të votojnë edhe në seancën plenare. Bujar Leskaj ka paraqitur para komisionit të ekonomisë programin e tij për KLSH-në ku një prej çështjeve kryesore është edhe reformimi i këtij institucioni. Ai gjithashtu ka theksuar se do të kërkojë heqjen e imunitetit për kreun e KLSH-së ndërsa theksoi se auditi është sfida për këtë institucion. Dekretimi i emrit të Bujar Lesksajt si kreu i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit u bë nga presidenti Topi në 17 nëntor, pas rrëzimit të Sali Shehut, dekretuar si kandidatura e parë e zgjedhur nga kreu i shtetit.