Vizita historike e zonjës Klinton në Kuvend dhe 3 ligjet e pamiratuara
Lideri i opozitës vijon të mbajë barrikadën ndaj ligjeve që kërkon BE-ja dhe mbështesin fort edhe SHBA-të, duke treguar se mbetet i rreshtuar kundër aspiratës së shqiptarëve dhe nuk i konsideron miqtë e tyre historikë. Në fjalimin e nesërm, sekretarja Klinton do të mbështesë integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE, ndërkohë që përballë, brezi i dytë i bllokmenëve do të jetë aty si tregues se do jenë përherë kundërshtarë të SHBA e Perëndimit
Vizita e sekretares amerikane të Shtetit Hillari Klinton në Tiranë dhe fjala që ajo do të mbajë në Kuvend për marrëdhëniet speciale mes dy kombeve dhe për avokatinë që superfuqia më e madhe e botës i bën procesit të integrimit euroatlantik të vendit po përballet me qëndrimin neveritës të opozitës shqiptare. Pasi gëlltitën goditjen që morën me rekomandimin e dhënë me 10 tetor për statusin e vendit kandidat, opozita po hesht si fija e barit e po vijon bojkotin e çfarëdolloj mbledhjeje komisioni që ka në rend dite miratimin e 3 nismave parlamentare, të cituara në rekomandimin e Brukselit. Nismat tashmë janë prej muajsh në parlament e për to ka veç vlerësimet e ekspertëve ndërkombëtarë e kurrfarë amendimi a kritike nga ana e deputetëve socialistë. Barrikada anti-integrim mbetet në këmbë, si një njollë e 100 vjetorit të pavarësisë, por edhe si një karshillëk ndaj vizitës historike që po presim. Edi Rama është vetëshpallur si kandidat për kryeministër dhe s’ka lënë lobist që mund të njohë për së largu Erion Veliaj pa e kandisur se ai është i pranueshëm për të drejtuar këtë vend. Bile u ka deklaruar në zyrën e tij të gjithë ambasadorëve të akredituar në Tiranë se “do të bëj gjithçka që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, në 100 vjetorin e pavarësisë”.
Por 3 ligjet në Komisionin e Ligjeve, mbeten të pamiratuara. Ato janë një fakt kokëfortë, se në krye të opozitës kemi një bredharak pas gomerëve, lagunave e gjelave të detit, se kemi një kryetar partie që i trajton deputetët si kooperativistë, duke u shuar valët e celularëve e duke u folur për punët komunale të bashkisë së Vlorës...por s’kemi një lider opozite që i mobilizon deputetët e tij të ngrenë barrikadën parlamentare e të votojnë rekomandimet e Brukselit, mundësisht para mbajtjes së fjalimit në Kuvend nga sekretarja Klinton.
Merret vesh se shqiptarët s’do ta pranojnë asnjëherë shantazhin që Edi Rama po u bën prej tre vitesh atyre, por as s’do të harrojnë turpin që po u lë në derë para miqve historikë, duke i lënë 3 ligjet e pamiratuara, që në fakt po shndërrohen në hapsane ku do mbyllet një antipolitikan e apatrid si ai.