Hillary, më pranë postit të kryediplomates amerikane
Uashington-Hillary Clinton është kandidatura më e mundshme për Sekretare Shteti në SHBA. Burime të Partisë Demokrate thonë se presidenti i zgjedhur Barak Obama po shkon drejt emërimit të ish rivales së tij në postin e Sekretares së Shtetit. Sipas burimeve, zoti Obama do ta bëjë publik këtë lajm rreth Ditës së Falenderimit të enjten e ardhshme.
Zyrtarë të Partisë Demokrate thonë se ekipi i tranzicionit i zotit Obama ka zgjidhur çështje që lidhen me deklarimet financiare të bashkëshortit të saj, Bill Klinton. Ish presidenti Klinton ra dakord t’i nënshtrohej një kontrolli të tërësishëm etik në mënyrë që gruaja e tij të kishte mundësi të merrte postin e kryediplomates së vendit.
Sipas të njëjtave burime, proçesi i emërimit i zonjës Klinton do të kalojë pa probleme, në rast se nuk ndodhin ngjarje të paparashikuara.
Presidenti i zgjedhur Obama pati javën e kaluar një takim sekret me senatoren Klinton.
Ndërkaq dje shefi i ardhshëm i kabinetit të zotit Obama, Rahm Emanuel u takua me udhëheqësit republikanë në Kongres për të diskutuar mbi mënyrat më të mira për bashkëpunim pas 20 janarit, kur zoti Obama do të betohet si presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara.