Berisha: Ish-të përndjekurit do të marrin 10 % të privatizimeve
TIRANË- Ish të përndjekurit politikë përveç fondit të parashikuar në projekt-buxhetin e vitit 2009 do të përfitojnë dhe 10 për qind të të ardhurave që do të sigurohen nga privatizimi i ndërmarrjeve me kapital shtetëror. Premtimi është bërë dje nga kryeministri Sali Berisha, i cili ka konfirmuar se vëmendja e qeverisë ndaj kësaj shtrese nuk ka humbur, duke garantuar nga ana tjetër se për vitin 2009 kjo shtresë do të ketë mundësi të përfitojë më shumë nga ana financiare. “Për ish-të përndjekurit ne kemi parashikuar që gjatë vitit të ardhshëm përveç fondit të përcaktuar në buxhet do të jepen dhe 10 për qind e privatizimeve që do të bëhen”, - deklaroi kryeministri, ne emisionin “Opinion”. Ndërkohë, një çështje tjetër që trumbetohet nga qeveria gjatë vitit 2009 do të jetë dhe ajo e legalizimeve për të cilën shefi i ekzekutivit ka theksuar se ky proces do të përfundojë brenda afateve të premtuara. “Ka pasur disa probleme ligjore të cilat kanë penguar procesin, por unë sot ju siguroj se gjatë kësaj periudhe është bërë një punë e madhe dhe serioze përgaditore. Tashmë ka nisur ky proces dhe unë jam optimist se do të vijoj me sukses”, - u shpreh kryeministri Berisha. Ndërkohë ai ka siguruar se procesi i legalizimeve nuk do të shtrihet në zonat turistike, siç është edhe zona bregdetare. “Asnjë tokë as në Gjirin e Lalëzit dhe në asnjë zonë tjetër turistike nuk do të legalizohet asnjë ndërtesë e bërë në kundërshtim me ligjin. Ky është një përcaktim që bënë ligji dhe ne jemi të vendosur ti përmbahemi atij”, - tha Berisha. Po mbrëmë, duke iu përgjigjur interesimit të qytetarëve përmes sms-ve të drejtuara në studio, kryeministri deklaroi se për dosjet, Partia Demokratike është e gatshme që të bashkëpunoje me opozitën. Në të kundërt, Berisha shtoi se ligji do të kalojë gjithsesi.