Himarë, mbishkrime antishqiptare në gjuhën greke
Himara është mbushur gjatë ditëve të fundit me parulla dhe mbishkrime antishqiptare. Këto mbishkrime janë më së shumti kundër Çamërisë dhe çamëve. Çamët rracë e qelbur, Himara është greke, Vorioepiri tokë greke, Himara baraz Greqi, janë disa nga parullat antishqiptare të shkruara në gjuhën greke në Himarë.
Në qytetin e Himarës këto shkrime janë të përhapura jo vetëm në të gjitha rrugët, por dhe në aksin nacional Vlorë-Himarë-Sarandë. Shkrimet nisnin që në hyrje të Dhërmiut e deri në brendësi të qytetit të Himarës. Krahas shkrimeve greke, ndodhej edhe flamuri grek.
Banorë të Himarës kanë thënë se këto parulla janë shkruar kryesisht gjatë këtyre dy ditëve të fundit, nga persona që nuk janë identifikuar. Policia nuk ka marrë ende asnjë masë ndaj këtyre mbishkrimeve.