Supriza e pritshme e Rakip Sulit ne Kamez
Kujt i ka rënë rasti të kalojë përmes qytetit të Kamzës nuk mund të mos i ketë rënë në sy një fakt trishtues: tërë shtyllat elektrike përgjatë gjithë rrugës kryesore të qytetit janë lyer vetëm me bojë blu! Fasadat kryesore janë ngjyer blu. Edhe muret e Bashkisë janë blu
Kujt i ka rënë rasti të kalojë përmes qytetit të Kamzës nuk mund të mos i ketë rënë në sy një fakt trishtues: tërë shtyllat elektrike përgjatë gjithë rrugës kryesore të qytetit janë lyer vetëm me bojë blu! Fasadat kryesore janë ngjyer blu. Edhe muret e Bashkisë janë blu. Blu është edhe ngjyra e mureve të brëndshme të zyrave, edhe kolltuqet e deri edhe tërë orenditë e këtyre zyrave!
Shkurt, kryetari i Bashkisë së qytetit të Kamzës, kandidat aktual për kreun e kësaj Bashkie, nuk ka pyetur se në qytetin e Kamzës dhe në tërë lagjet e Bathores ka edhe banorë të bindjeve të tjera, socialistë, demokristianë, socialdemokratë, republikanë etj! Ngjyrën blu e ka shndërruar në armë për të ushtruar dhunë të fuqishme psikologjike mbi tërë banorët e këtij komuniteti.
Shumë kohë para ditës së parë zyrtare të çeljes së fushatës së zgjedhjeve krejt qyteti i Kamzës, dhe jo vetëm ky, qenë mbuluar nga mijëra flamurë blu! Ditën që nisi periudha zyrtare e zgjedhjeve për pushtetin lokal, në përputhje me kërkesat e Kodit Zgjedhor socialistët morën masa për të vendosur simbolet e tyre. Sipas këtij Kodi kërkohej që njëra shtyllë të shfrytëzohej nga Partia Socialiste, tjetra, mbas saj – nga Partia Socialiste, si dy forca politike kryesore. Mirëpo, ku pyet Xhelal Mziu për Kod Zgjedhor! Sapo pa që shtabi zgjedhor i Partisë Socialiste po ndërtonte dekorin e saj propagandistik, gjithmonë sipas Kodit Zgjedhor, kandidati demokrat shfrytëzoi postin që mban: urdhëroi Policinë Bashkiake që tiu kundërvihej militantëve socialistë!
Kur u pa, se beniamini i Sali Berishës nisi të vepronte në kundërshtim të hapur me Kodin Zgjedhor, atëhere drejtuesit e shtabit zgjedhor të Partisë Socialiste të Bashkisë iu drejtuan organeve kompetente. I dërgojnë një shkresë zyrtare kryetarit të Bashkisë, që të liroheshin vendet ku do të duhej të vendoseshin flamurët dhe mjetet e tjera propagandistike të opozitës. Mirëpo, ku mund të pranonte zoti Mziu! Unë jam Sali Berisha i Kamzës dhe i Bathores, vazhdon të mendojë ai. Jo vetëm që nuk lejoi mjedis propagandistik për forcën politike me të cilën rivalizon, por bëri të kundërtën: vuri në lëvizje Policinë Bashkiake dhe atë Ndërtimore! Kërkesa e shtabit zgjedhor të kandidatit Rakip Suli u përsërit, por sërish Mziu nuk u tund nga e tija. Në këto rrethana, ishte e natyrshme që të fillohej nga puna për krijimin e mjedisit propagandistik. Si duket, kaq iu desh kryetarit aktual që të fillonte zakonin: lejoi të përdorej dhuna fizike! Në qoftë se nuk do të kishte ndërhyrë në kohë Policia e Rendit, pasojat do të mund të ishin të paparashikueshme.
Duke pasur mbështetjen e gjithanshme të kryeministrit Berisha dhe duke imituar format dhe mënyrat se si ka vepruar dhe vazhdon të veprojë ky usta i tij në krye të Qeverisë, kandidati demokrat i Bashkisë për qytetin e Kamzës vazhdon ta mbajë vazhdimisht të ngritur tensionin brënda komunitetit! Me sa merret vesh, kjo mënyrë të sjelluri është pjesë e strategjisë së tij në këtë fushatë zgjedhore. Në një kohë që i kërkohet të krijojë kushte balancuese veprimi për të gjitha forcat politike, Mziu lejon të organizohen hapur veprime provokative! Para tri ditësh, ndërsa ishin duke kryer veprimet e një propagande politike normale e të natyrshme, simpatizantë të Partisë Demokratike sajuan incident, deri edhe dëmtimin e dy makinave të militantëve të Partisë Socialiste. Sa e tmerrshme! Banorë të të njëjtit qytet, për hir të karrikes së kryebashkiakut, ndërsehen njëri kundër tjetrit!
Epo, edhe mund të ndodhin incidente kësisoj, mund të mendojë ndokush. I ka këto lufta politike!!! Gjykuar me gjakftohtësi, mund të të shkojë mëndja se mund të rastis të ketë zënka, deri edhe ndonjë veprim i shkëputur i kundraligjshëm. Se njërëzit nuk janë të prerë njëlloj si me gërshërë. Mirëpo, në Kamzë e në Bathore nuk kemi të bëjmë me ndonjë zënkë a provokim dosido. Aty tensionimi i situatës, me shkak apo pa shkak është shndërruar në strategji nga ana e kryetarit aktual të Bashkisë! Kur shikohen të tilla përballje masive njerëzish të bindjeve të ndryshme, puna e do që të delet me deklarata publike për të frenuar gjaknxehtësitë dhe për të ndaluar kësisoj veprimet e rrezikshme. Fakti që Xhelal Mziu nuk është prononcuar asnjëherë kundër veprimeve të dhunshme tregon, se ai jo vetëm që nuk eshtë kundër tyre, por, përkundrazi, me sa kuptohet duket se është i interesuar për sa më shumë terror psikologjik! Kuptohet açik, se ky kandidati demokrat i është futur detit me këmbë. Nga çvihet re në qytetin e Kamzës dhe në mbarë Bathoren kandidati demokrat i Bashkisë së Kamzës po e ndjen se është para disfatës. Shumica e banorëve e kanë kuptuar, se para tyre kanë pasur një kryetar që shikon vetëm interesat e tij dhe ato të Berishës. Kanë mësuar, gjithashtu, se tashmë u ka ardhur një kandidat për kryetar Bashkie pa asnjë teserë partie në xhep. I gjendur para një rivali të tillë, që i ka xhepat plot dhe, si i tillë, nuk ka nevojë për të vjedhur, Xhelal Mziu nuk gjen rrugë tjetër për tiu kundërvunë, veç asaj të mbjelljes së terrorit psikologjik, deri edhe fizik. Banorët e Kamzës dhe të Bathores, që nuk u rreh shumë për trimëritë e këtij apo të atij kandidati për kryetar Bashkie, kërkojnë rritje të mirëqënies përmes efektivitetit më të lartë të investimeve.
Unë kam qënë demokrat i flaktë, – tha një një mesoburrë gjatë një takimi të organizuar me Rakip Sulin, – por këtë herë do të votojë familjarisht me bindje të plotë për kandidatin pa teserë partie, Rakip Suli. Dhe pse? Sepse ky nuk vjen për vete. Ky vjen për ne…