E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipnoza nacionaliste e një ish-komunisti

Fatmir Grajçevci/profesor filozofie

-Sot askush nuk e mohon faktin se kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, që po i numëron ditët e fundit të mandatit të 2, është personaliteti i Shqipërisë që ka ndikimin më të madh te shqiptarët e Kosovës mbase edhe në pjesën lindore të saj dhe te shqiptarët e ish -Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Aq shumë e çmojnë sa deklarojnë me krenari se ai është idoli i tyre, pa e vrarë mendjen se me dhjetëra herë në ditë shqiptojnë dëshminë e përkatësisë së fesë islame e cila ndalon rreptësisht idiolatrinë!!! Jezu Krishti do të thoshte: Fali o Zot se nuk dinë. Por ata bëjnë këtë sakrilegj në mënyrë të pavetëdijshme dhe dashurojnë marrëzisht Salën pa qenë të vetëdijshëm për fytyrën tjetër, atë reale të Sali Berishës. A thua a është ai i tillë sikur deklarohet e hiqet para masës, elektoratit e mjeteve të informimit?

A thua ju kujtohen shqiptarëve britmat e tij në Tetovë kur bashkë me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, të pushtuar nga emocionet që ju shkaktoi dashuria e masës së hipnotizuar ata deklaronin se do të jenë gardian të të gjithë shqiptarëve kudo që ata ndodhen dhe se do të angazhohen për realizimin e ëndrrës më të madhe të kombit shqiptar, bërjen e Shqipërisë etnike. Pse pak javë më vonë ata heshtën dhe u bënë sikur struci kur regjimi i Beogradit shkuli lapidarin e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, kushtuar atyre që me gjakun dhe jetën e tyre u angazhuan për çlirimin dhe bashkimin e kombit shqiptar deri në rënien e tyre heroike!!! Cila është arsyeja që institucione të caktuara të Shqipërisë së qeverisur nga Sali Berisha zvarrisin për vite me radhë realizimin e projektit për ndërtimin e interkonjicion 400 kilovoltësh Shqipëri-Kosovë që do të na bënte Kosovën të pavarur nga furnizimi me energji elektrike nga Serbia???

Janë edhe shumë fakte të tjera. Gjatë paraqitjeve nëpër emisione të ndryshme ai dhe soji i tillë na paraqiten se ka qenë viktima të komunizmit ani pse kurrë në jetën e tyre nuk kanë ngritur kokën asnjëherë apo të kenë shkruar një fjalë të vetme kundër komunizmit ani pse tani na hiqen se kanë shkruar me një stil të tillë sa na paska qenë i pakapshëm për aparatin shtetëror të kohës!!! Por pavarësisht deklaratave të tij, ai ka qenë i privilegjuar në atë regjim. Për çudi, askush si ish komunistët, ish-socialistët, ish-ateistët, ish-puthadorët, ish-shërbëtorët e plotë ish të tjerë nuk dinë ta luajnë dhe shfrytëzojnë më mirë se këta rolin e viktimës. Por ata mund ta luajnë dhe të përfitojnë nga ky rol derisa spektatorët ta kuptojnë se ky është vetëm një aktrim, vetëm një ndërrim i qimes por jo edhe i zakonit, sepse sa herë që i ofrohet mundësia për ta luajtur rolin e ujkut ata do t’ia kalojnë ujkut. Sali Berisha e do Shqipërisë vetëm kur mund ta sundojë atë, sepse e pamë se si ishte i gatshëm për t’ia vënë flakën në ’97-ën e ’98–ën kur ishte në opozitë, ai e do nacionalizmin vetëm kur mund të përfitojë nëpërmjet tij, sikur bëri në Tetovë, ai bëhet patriot vetëm për t’ia zgjatur pushtetin vetes dhe oborrit të tij mbi Shqipërisë dhe ai do t’ia del mbanë me këto marifete deri atëherë kur nëpërmjet këtij aktrimi hipnotizon mendjet e personave lehtë të nënshtrueshëm nga sugjestionimi.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›