E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipokrizia e Bashës me romët

“Dashuria për romët sot ishte në kulmin e saj. Kjo për shkak se ishte Dita Ndërkombëtare e Romëve. Të gjithë politikanët ishin kujdesur që të dilnin të qeshur përkrah disa romëve, që më shumë i kishin për dekor. Madje kandidati i Partisë Demokratike në Durrës, u pa duke kërcyer me romët. Për votat çfarë nuk do të bënte Ferdinand Xhaferraj. Por hipokrizia më e madhe në këtë mes ishte ajo e ministrit të Brendshëm, njëkohësisht kandidat i Partisë Demokratike për Tiranën, Lulzim Bashës. Vetëm para disa javësh ishim dëshmitarë të një krimi të tmerrshëm që u zhvillua në Tiranën ku do të garojë Basha. Disa persona të armatosur, mesa duket me suport politik nga e djathta, shkatërruan shtëpitë e dhjetëra familjeve rome, ndërsa policia nuk lëvizi asgjë. U desh ndërhyrja e diplomacisë që gjërat të ndryshojnë, por vetëm për këtë rast. Madje problemi i romëve doli edhe në takimin mes Bashkimit Europian e Shqipërisë para pak ditësh.

Në lidhje me qëndrimet e Bashës ndaj romëve ka reaguar opozita me anë të deputetes socialiste, Vasilika Hysi.

Disa javë më parë, 45 familje rome u shpërngulën me forcë nga banesat e tyre, ndërkohë që ata denonconin çdo ditë  në polici dhunën e ushtruar dhe policia heshte. Sot, kandidati i Saliut për Bashkinë e Tiranës, nuk mund të dalë e të luajë teatrin e radhës duke u hequr sikur merakoset për hallet e komunitetit rom. Ishte ky njeri që si Ministër i brendshëm nuk bëri asgjë për të mbrojtur 45 familjet rome që u sulmuan për ditë me radhë, në mes të Tiranës, nga banditë të armatosur dhe u detyruan të shpërngulen me forcë nga banesat e tyre. Ishte policia e Lulit të Saliut, ajo që jo vetëm ndenji duarkryq, ndërkohë që familjet rome i nënshtroheshin dhunës, kërcënimeve dhe djegies së banesave të tyre, por që u përpoq ta fshihte këtë ngjarje, duke ngjallur reagimin e ashpër të medias, shoqërisë civile dhe të partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë dhe fillim të procedim gjyqësor ndaj personave që me veprimet e tyre ushtruan dhune dhe e lejuan atë.

Sot, me 8 prill, Ditën Ndërkombëtare të Romëve, familjet rome të shpërngulura dhe gjithë qytetarët, shqiptarë nuk kishin nevojë të shohin teatër, por prisnin që kandidati i Berishës për bashkinë e Tiranës  të kërkonte ndjesë publike për heshtjen e treguar dhe që nuk mbrojti familjet rome të dhunuara. Saliu dhe kandidati i tij për Tiranën nuk mund ti mashtrojnë më qytetarët duke luajtur teatër, tha Hysi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›