E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipokrizia e Ramës, me gazetarët në opozitë me të

02-05-2012 / Gazeta 55

Edi Rama ka thirrur sot përfaqësuesit e medias në një tryezë konsultimi, duke regjistruar apogjeun e sjelljes së tij hipokrite me gazetarët. Që nga hyrja në politikë, ai s’ka pranuar kurrë të intervistohet nga gazetarët në opozitë me të dhe ka themeluar marrëdhënien vasale “mos pyesni, por dëgjomëni mua”. Përgjegjës për themelimin e një sërë institucionesh mediatike mercenare, Edvini sot i thërret mediat për t’u vetëmburrur si faktori kryesor që pengon lirinë e shtypit

Një tryezë e paralajmëruar e PS-së sot me gazetarët, nëpërmjet ftesave të shpërndara nga Edi Rama dje nëpër gjithë redaksitë e gazetave e televizioneve, pason serinë e tryezave të tipit “për një rilindje shqiptare”.
Siglimi i ftesës nga Edi Rama, sigurisht pasi njihesh edhe me “brendinë” e saj, nuk mund të mos lërë shijen e hipokrizisë së tij, veçanërisht me gazetarët në opozitë me atë.
“Do të diskutohet, jo vetëm mbi situatën aktuale me të cilën përballet media në vendin tonë…”, thuhet midis të tjerave në ftesën e sigluar prej Edi Ramës.
E thënë prej Edi Ramës kjo frazë tingëllon përveçse hipokrite, edhe absurde.
Tingëllon hipokrite dhe absurde, sepse është ky (Edi Rama) faktori kryesor, që nuk e lë shtypin të përparojë… Ose e thënë ndryshe, e ka lënë “të përparojë”, por duke futur si standard, të paktën që prej vitit 2000, mercenarizmin në media.
Duke filluar karrierën e tij politike si ministër i Kulturës dhe më pas si Kryebashkiak i Tiranës, nëpërmjet mercenarizmit të aplikuar prej tij si standard për mediat “afër tij”, deri para një viti, saktësisht para se të humbte bashkinë e Tiranës, për atë nuk ekziston te “situatë aktuale me të cilën përballet media në vendin tonë…”.
Një situatë e tillë nuk ekzistonte sepse mediat “afër tij”, në këmbim të mbështetjes që i bënin kryebashkiakut-kryesocialist, përfitonin nga fondet e punëve publike të bashkisë së Tiranës tendera “pa hesap” për të shqyer e çshqyer rrugë e puseta në Tiranë.
Dhe atëherë gjërat ishin “të ndara”.
Pronari i medias merrej me “menaxhimin” e “punëve publike” të Tiranës dhe bie fjala, gazetën ua linte në dorë për të bërë profesionistëve.
Kur ndodhi pastaj që Edi Rama të mos ishte më kryebashkiak, por thjesht dhe vetëm kryesocialsit, por kur ndodhi dhe tjetra, që po ky Edi Rama të mos kishte më në dorë fonde për punë publike me të cilat të shpërblente pronarët e mediave, atëherë këta të fundit zbuluan “tokën e premtuar”, zbuluan se kishin një dell për drejtues mediash dhe flakën gazetarët profesionistë e morën përsipër të drejtojnë vetë mediat…
Kjo për Edi Ramën na qenkërsh “situatë aktuale me të cilën përballet media në vendin tonë…”.
Këtë ka marrë përsipër ai të zgjidhë…
Dhe po këtë Edi Rama e thoshte vetë në ftesën e shpërndarë e sigluar prej tij, në të cilën shkruante midis të tjerave se do të diskutohet edhe “mbi idetë dhe alternativat që do të sigurojnë mirëfunksionimin e do të mbështesin lirinë dhe pavarësinë e mediave në Shqipëri”.
Në atë tryezë sot mund të diskutohen “ide”, por sa për “alternative” nuk mund të bëhet fjalë, sepse për aq kohë sa Edi Rama tashmë është thjesht dhe vetëm një kryetar partie (sikurse bie fjala edhe Evrin Mete, apo Petro Koçi) dhe nuk ka më në dorë shpërblimin e mediave (si “alternativë”) me fondet e punëve publike, ai praktikisht ka në dorë vetëm “çelësat e kashtës”.
Ndërsa, për sa i përket pjesës së “lirisë” dhe “pavarësisë”, gazetarët, shumë e shumë më herët se Edi Rama të kuptonte “situatën aktuale”, kanë pasur thjesht dhe vetëm nevojën të bëjnë punën e tyre. Përballë kësaj nevoje të gazetarëve, Edi Rama kur ka pasur në dorë, jo ti ndalojë, por ti lejojë gazetarët të bëjnë punën e tyre, nuk e ka bërë këtë. Jo vetëm kaq, por ka privuar “lirinë” dhe “pavarësinë” e gazetarëve, duke e shndërruar fillimisht ministrinë e Kulturës e më pas edhe Bashkinë e Tiranës, në “bunker”, ku asnjë gazetar nuk mbahet mend të ketë hyrë ndonjëherë, por edhe prej nga nuk mund “të vidhej” asnjë informacion…
… Dhe jo vetëm kaq
E keni vënë re besoj, kur del në konferenca shtypi…
Në mungesë të plotë të respektimit të “lirisë” dhe “pavarësisë” së gazetarëve nuk i përgjigjet asnjë pyetje, ndërsa nuk ka nguruar të fyejë gazetarët, apo, tu dërgojë “të fala” drejtues të mediave. Të gjitha këto, si për çudi i bënte kur ishte kryebashkiak-kryesocialist, kur ekzistonin (por ai nuk arrinte ti dallonte), “situata në media” “idetë” “alternativat”, “liria”, pavarësia”, por që nuk bëri asgjë për ti përmirësuar, megjithëse kishte shumë më shumë në dorë. Po aq çuditërisht do ti bëjë tani gjithë këto përmirësime, kur jo vetëm që s’ka asgjë në dorë, por nuk ka asnjë shembull të mirë çfarë ai të tregojë, që të besohet si një model i mirë i mundshëm se ai mund edhe “të rilindë”.
Për pasojë, në kushtet kur, me gjithë “inflacionin” e ftesave të shpërndara dje, deri edhe për mediat në opozitë me atë, por edhe pas ndërprerjes së marrëdhënieve formale me të gjithë mediat në opozitë me atë, në veçanti, por edhe me gjithë mediat e tjera në përgjithësi, ajo ftesë është thjesht dhe vetëm një hipokrizi, ku nuk pritet që Edi Rama të bëjë ndonjë gjë më ndryshe nga çfarë ka bërë historikisht me gazetarët…, veç ti thërrasë ata për tu thënë “dëgjomëni mua”…
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›