E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, ngrihet grupi për vlerësimin e përmbytjeve në Lezhë dhe Shkodër

TIRANË – Këshilli i Ministrave miratoi procedurat dhe strukturat që do të merren me dëmshpërblimin e banorëve të zonave të përmbytura në qarqet e Lezhës dhe Shkodrës. Në këtë proces do të përfshihet edhe Komisioni Ndërministror i Emergjencave Civile. Në mbledhjen e qeverisë, zhvilluar ditën e djeshme, u miratua vendimi “Për ngritjen e grupeve të punës për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe përmbytjet në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës”. Në këtë vendim përcaktohet “mënyra e ngritjes së grupeve të punës, vlerësimi i dëmeve, por edhe mënyrat e përballimit nga ana financiare e dëmshpërblimit të tyre. “Kryeministri Berisha bëri me dije se grupet e punës do të jenë të përbëra nga specialistë qendrorë nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Shëndetësisë dhe ALUIZNI, por dhe nga specialistë vendorë të qarkut të Shkodrës e Lezhës, si dhe nga komunat e prekura nga përmbytja”, - thonë burimet zyrtare të Këshillit të Ministrave. Sipas tyre, “këto grupe do të udhëhiqen nga këshillit i qarkut përkatës, por një rol të veçantë do të luajë edhe Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile”.
Kreu i qeverisë theksoi se në bazë të këtij vendimi do të bëhet vlerësimi i të gjitha dëmeve të bëra në ndërtesa; të reja apo të vjetra, në stalla, hangarë dhe vathë, në objekte sociale dhe publike, në orendi shtëpiake, pajisje elektro-shtëpiake, në të mbjella, në gjënë e gjallë e bazën ushqimore të tyre. I gjithë procesi do të bazohet në dokumentacionin real, në foto satelitore që faktojnë përmbytjen e objekteve, në regjistrin e matrikulimit të gjësë së gjallë, si dhe në të gjitha të dhënat nga vëzhgimet në vend.
Paraprakisht dëmi i përllogaritur nga qeveria arrin mbi 65 milionë euro, por ekspertët mendojnë se ai është shumë më i madh, duke pasur parasysh, përveç dëmeve materiale, dhe dëmtimin e infrastrukturës dhe tokës, e cila do më shumë se një vit për t’u rikthyer në sipërfaqe për kultivimin e kulturave bujqësore.

Situatë e rëndë në Shkodër, mbi 620 shtëpi dhe 5 mijë hektarë nën ujë

Komiteti Ndërministror i Emergjencave paraqet të dhënat nga terreni
Prej disa ditësh nuk ndryshon harta e sipërfaqeve të përmbytura

SHKODËR – Prej katër ditësh nuk ka ndryshuar sipërfaqja e zonave të përmbytura nga uji në qarkun e Shkodrës për shkak të bllokimit të kanaleve të shkarkimit. Edhe gjatë ditës së djeshme u raportua zyrtarisht një sipërfaqe nën ujë rreth 5 mijë hektarë, ndërsa ka një reduktim në numrin e banesave të përmbytura. Rreth 620 shtëpi janë të pabanueshme për shkak të sasisë së ujërave. Edhe pas 20 ditësh situata vazhdon të jetë problematike në komunat e Velipojës, e cila regjistron 2000 hektarë nën ujë dhe Bushat, me rreth 1000 hektarë të përmbytur. Ndërsa në zonat e tjera ka përmirësime të ndjeshme. Megjithëse është e ndaluar që të rikthehen nëpër banesa, shumë familje shkodrane kanë hyrë në shtëpitë e tyre të shkatërruara dhe po merren me riparimin e dëmeve të shkaktuara nga katastrofa.

Situata
Burimet zyrtare të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile raportojnë se “situata në zonat e prekura nga përmbytja në qarkun e Shkodrës po shkon drejt normalizimit”. Sipas tyre, pjesa më e madhe e akseve rrugore janë vënë në qarkullim, por probleme ka në rrugën lokale Velipojë-Ura e Gjo Lulit, në të cilën kalojnë vetëm mjete të tonazheve të rënda. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, në qarkun e Shkodrës janë rreth 4964 hektarë të përmbytura. Po ashtu, 135 shtëpi ndodhen nën ujë tërësisht dhe 486 shtëpi të tjera kanë prani të theksuar të ujit rreth e qark tyre. Situata më e rënduar është në komunat e Velipojës dhe Bushatit. Edhe në Dajç dhe Ana Mali ka sërish probleme, pasi ka ende sipërfaqe të konsiderueshme të përmbytura. Problemi më madh për ekipet e emergjencës në terren është rivënia në punë e kanaleve të shkarkimit të ujërave.

Masat
Një ekip i Ministrisë së Mjedisit me ekspertët përkatës po inspekton zonën e prekur nga përmbytja me qëllim hartimin e planeve dhe përcaktimin e zonave të ndërhyrjes. Po ashtu, në Shkodër ndodhen edhe specialistët e Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik, të cilët kanë vazhduar edhe gjatë ditës së mërkurë me dezinfektimin e sistemit të ujësjellës-kanalizimeve. Ndër problemet e mëdha të kësaj emergjence është edhe trajtimi i personave të zhvendosur. Raportimet më të fundit flasin për një numër personash të evakuuar që ndodhen në qendrat e pritjes rreth 1640 persona. 1/3 e tyre janë strehuar tek të afërmit apo rikthyer nëpër banesa. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se strukturat e Forcave të Armatosura po punojnë në komunën e Velipojës, ndërsa Bordi i Kullimit të Ministrisë së Bujqësisë po punojnë për riparimin dhe mbushjen me çakull e gurë të rrugës për në argjinaturën e Çasit. Gjatë ditës së djeshme janë bërë riparime edhe në argjinaturat e Dajçit, në Samrisht, Daragjat, Shirq dhe Marinaj.

GJENDJA NË QARKUN E SHKODRËS (Raportimi i KNEC, datë 20 janar 2009)

Nr Njësia vendore Tokë e përmbytur Persona të mbetur në evakuim Shtëpi të përmbytura Shtëpi të rrethuara nga uji
1 B. Shkodër 30 ha 473 30
2 K. Dajç 900 ha 800 35 200
3 K. Ana Malit 750 ha 100 30 106
4 K. Velipojë 2000 ha 100 20 50
5 K. Bërdicë 250 ha
6 K. Guri Zi - - -
7 K. Bushat 1000 ha 170 50 100
8 K. Qendër, M.Madhe 15 ha
9 K. Kastrat,M.Madhe 15 ha
10 K.Gruemire, M.Madh 4 ha
K.Rrethina
Gjithsej 4964 ha 1643 135 shtëpi 486 shtëpi

21 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›