Hipotekat, ku ndodhen 33 objektet që marrin tapitë

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Basha
Bashkia publikon listën. Gati dosjet edhe për 27 të tjera.
Bashkia e Tiranës publikon vendndodhjen e 33 objekteve që morën dy ditë më parë lejen e përdorimit. Bëhet fjalë për 1853 apartamente, të cilave u hapet rruga e hipotekimit brenda një kohe të shkurtër. Do të pajisen me certifikatën e pronësisë edhe një numër i madh ambientesh tregtare, shërbimi apo parkimi, të gjitha këto me një sipërfaqe totale prej rreth 274 700 m2 ndërtim. Bashkia e Tiranës ka përfunduar punën edhe për rreth 27 dosje, të cilat kanë nevojë vetëm për angazhimin e subjekteve ndërtuese, për plotësimin e dokumentacionit të domosdoshëm për pajisjen me këto leje. Finalizimi i këtij procesi vetëm për këtë grup prej 27 dosjesh, do të bëjë të mundur hapjen e rrugës për hipotekimin e mbi 920 apartamentesh banimi, një numri të madh ambientesh tregtare, shërbimi apo parkimi, të gjitha këto me një sipërfaqe totale prej rreth 133 000 m2 ndërtim. Nga sa deklaroi dy ditë më parë kryebashkiaku, janë mbi 700 milionë euro kapital që po zhbllokohet si rezultat i këtij procesi. Pezull kanë mbetur edhe 130 objekte për të cilat nuk janë përfunduar dosjet nga subjektet ndërtuese. Bëhet fjalë për 2000 familje, të cilat, si pasojë e kësaj situate, nuk po arrijnë të marrin certifikatat e pronësisë. Basha u bëri thirrje ndërtuesve të përfundojnë sa më shpejt dokumentacionin. Pas kësaj faze, udhëzimi për mënyrën si do të regjistrohen objektet parashikon një tjetër hallkë. Në rastet kur Drejtoria e Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës konstaton se për objektet e ndërtuara me leje ndërtimi janë lëshuar lejet e shfrytëzimit, brenda 5 ditëve nga ky konstatim, informon Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, thuhet në udhëzim. Sipas tij, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, brenda 30 ditëve nga data e administrimit të lejeve të shfrytëzimit dhe të lejes së sheshit të ndërtimit, verifikon nëse objektet për të cilat janë lëshuar leje shfrytëzimi janë të regjistruara. Kur konstaton se objekti për të cilin është lëshuar leja e shfrytëzimit nuk është regjistruar, i kërkon Drejtorisë së Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës përcjelljen e dokumentacionit të parashikuar.

Objektet
Debate në Komisionin e Ekonomisë për amnistinë fiskale
Rivlerësimi i shtëpive, PS: Shtyni afatin deri në 2013

Komisioni i Ekonomisë
Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme që u shty deri në fund të muajit gusht, u diskutua dje në Komisionin e Ekonomisë. Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, u shpreh se kjo shtyrje afati erdhi si efekt i kërkesave dhe interesit të lartë të qytetarëve për të rivlerësuar pasuritë e paluajtshme. Duke iu referuar shifrave, Rushaj u shpreh se aplikimet arritën në 800 në ditë, duke e bërë të pamundur përpunimin e tyre nga administrata. Në këto kushte u vendos që të shtyhej amnistia vetëm për pjesën e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme dhe se afati gusht është një afat i përshtatshëm edhe për emigrantët, që mund të përfitojnë nëse janë të interesuar. Por kjo shtyrje nuk është pritur mirë nga opozita. Deputetët e PS, Arben Malaj dhe Ervin Koçi, janë shprehur se amnistia e qeverisë ka dështuar dhe se përmes shtyrjes së vazhdueshme të afatit nuk bëhet gjë tjetër veçse keqedukohet taksapaguesi. Gjithsesi, në qëndrimin e saj opozita ishte dakord që interesit të qytetarëve për të rivlerësuar pasurinë ti jepej përgjigje me shtyrje të afateve. Ne mendojmë që afati të shtyhet, por të shtyhet më shumë ndoshta deri në vitin 2013, sepse kështu do të mundësojmë që të përfitojnë të gjithë. Askush nuk na garanton që ju nuk do e sillni sërish këtu ligjin për shtyrje tjetër, sepse në dijeninë tonë emigrantët që jetojnë në Perëndim vijnë në Shqipëri pas 15 gushtit. Kush na garanton që edhe si tani nuk do kemi një fluks dhe nuk do kemi sërish shtyrje të afatit? Kështu që është mirë të lihet më shumë kohë, u shpreh deputetja e PS, Mimi Kodheli.
ZIRINA LLAMBRO