E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipotekat, zbardhen shkeljet e rënda me pronat

Autori i Lajmit: red.
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka zbardhur të gjitha shkeljet e kryera me pronat në të gjithë vendin, kryesisht zonat, ku çmimet e tregut janë shumë të larta. Shkeljet i përkasin periudhës 2005-2007. Lajmin e bën të ditur zëdhënësi i KLSH-së, Edvin Morava.
KLSH ka ushtruar kontroll në Zyrën Vendore të regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, në Zyrën Qendrore të Registrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, në Degën e Tatim-Taksave Tiranë dhe në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare. Periudha e kontrollit ka përfshirë vitet 2005-2007 dhe për probleme të veçanta është shtrirë në periudha kohore të mëparshme.
Përfundimi i kontrolleve
Në përfundim të këtyre kontrolleve, krahas punës së bërë janë konstatuar parregullsi dhe shkelje të dispozitave ligjore, si vijon:
Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë (ZQRPP)
1. Në zbatim të urdhrit të kryeregjistruesit me nr.61, datë 02.08.1999 “Për regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme në raste të veçanta” për vitet 2005, 2006 dhe 2007 janë miratuar regjistrime të veçanta dhe janë konstatuar këto shkejle:
Nga ish-kryeregjistruesi i ZQRPP Tiranë, janë miratuar regjistrime të veçanta të akteve të marrjes së tokës nga përdorimi në pronësi, brenda zonës urbane, të qytetit të Fierit gjithsej 32 ha, ndërkohë që ligji e ka përjashtuar dhënien në pronësi të tokave nujqësore që ndodhen brenda vijës kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave të banuara.
2. Në katër raste, ish-kryeregjistruesi ka miratuar regjistrime të veçanta për një sipërfaqe prej 64.000 m2 për ish-specialistë të NB Frutore, në Bashkinë Patos, ku ligji e ka përjashtuar dhënien në pronësi të tokës bujqësore për ish-specialistët për tokat bujqësore, të cilët kanë të drejtë të lidhin vetëm kontratë qiraje.
3. Në 11 raste “Aktet e marrjes së tokës në pronësi” rezultojnë pa vulën e Seksionit të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës (SAMT) të qarkut përkatës, ndërsa në pesë raste “Aktet e marrjes së tokës në pronësi” u janë dhënë ish-punonjësve dhe ish-specialistëve të NB-ve.
II. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë
Në zonën kadastrale–Komuna Dajt
Janë konstatuar raste për një sipërfaqe prej 323.490 m2 tokë “Pyll” në zonën kadastrale Linzë, Lanabregas, Priskë e madhe dhe Babrru, të khtyer me Vendim të ish-Komisionit të Kthimit të Pronave Tiranë, ku vërtetësia e pronës së pretenduar nga subjekti i shpronësuar është mbështetur në vërtetime të falsifikuara.
Janë konstatuar raste për një sipërfaqe prej 672.140 m2 “pyll”, Komuna Dajt, ku janë regjistruar vendime të ish-Komisionit të Kthimit të Pronave Tiranë, në të cilat vërtetësia e pronës së pretenduar nga subjekti i shpronësuar nuk është mbështetur në dokumentin kadastral, ku të vërtetojë pronësinë para Reformës Agrare të vitit 1946.
-Në zonën kadastrale 2380, fshati Lanabregas është regjistruar pronë në regjistrat e Hipotekës me mbivendosje pasurie me sipërfaqe rreth 45.000 m2 “pyll”, me vendndodhje Mali i Dajtit.
-Në zonën kadastrale 2460, fshati Linzë është bërë regjistrimi fillestar i sipërfaqes prej 9.100 m2 tokë truall” brenda territorit ushtarak dhe mbi këtë sipërfaqe të kthyer janë marrë gjithsej 4 vendime për njohje dhe kompensim prone në favor të trashëgimtarëve të ish-pronarëve të tjerë, duke krijuar mbivendosje pronash.
-Në zonën kadastrale 2380, fshati Lanabregas janë konstatuar raste për një sipërfaqe prej 7.680 m2 ”arë”, janë pajisur me certifikatë pronësie, jo sipas “Aktit të marrjes në pronësi (AMTP) (dokumenti ligjor), por sipas sipërfaqeve që disponon pronari.

Në zonën kadastrale–Komuna Kashar
-Në zonën kadastrale 2679, fshati Mëzez është regjistruar sipërfaqja prej 1.050 m2 “trual”, pa pasur më parë një dokument ligjor, por vetëm me një vërtetim të faktit juridik të ndërtimit të një ndërtese me dy kate.
-Në zonën kadastrale 2679, fshati Mëzez është regjistruar një pikë karburanti, pa leje ndërtimi dhe jashtë sipërfaqes së sheshit të ndërtimit, pasuri e një shtetasi tjetër, duke krijuar jo vetëm mbivendosje pronash, por i është shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm pasuror dhe financiar prej rreth 19.8 milionë lekë.
-Në zonën kadastrale 3866, fshati Yzberisht, në 31 raste me sipërfaqe prej 159.540 m2 tokë bujqësore janë regjistruar kalime të pronës nga “shtet” në pronë private me dokumentacionin të ardhur direkt nga komuna Kashar me akte të marrjes së tokës në pronësi ”dublikatë” pa konfirmim nga Këshilli i Qarkut Tiranë.
Në zonën kadastrale-Komuna Farkë
- Në 97 pasuri me sipërfaqe prej 416.140 m2, megjithëse mungojnë AMTP-të, pranë arkivit të ZRPP, nga ana e ish-regjistruesit është bërë i mundur ligjërimi i regjistrit fillestar, duke pajisur fermerët me certifikatë pronësie, (nga viti 1998 e në vazhdim).
-Në 86 raste me sipërfaqe 920.846 m2 AMTP-të janë të pakonfirmuara nga Këshilli i Qarkut Tiranë.
- Në 34 raste me sipërfaqe 429.457 m2 AMTP-të janë (dublikatë) dhe të pakonfirmuara nga Këshilli i Qarkut Tiranë.

Zona Urbane

Territori të Uzina Dinamo, 128 milionë lekë dëm shtetit

Në zonën kadastrale 8340, brenda territorit të uzinës “Dinamo” është regjistruar një sipërfaqe prej 4.605 m2 “truall” e kthyer nga ish-Komisioni i Kthimit të Kompensimit të Pronave në Tiranë, nga ku rezultoi se kjo pasuri me këtë sipërfaqe ka qenë e shitur nga ish-pronarët me kontratë-shitje, ish-administratës ushtarake italiane. Regjistrimi i kësaj sipërfaqeje nga ish-punonjësit e Zyrës së Regjistrimit, i ka shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm pasuror rreth 128 milionë lekë.
-Në zonën kadastrale 8160 është regjistruar territori i ish-shkollës “Kosova” me vendndodhje Rr.e Elbasanit, me një sipërfaqe prej 2.468 m2 tokë “truall” e kthyer nga ish-KKKP Tiranë, nga ku rezultoi se kj opasuri me këtë sipërfaqe ka qenë e blerë nga ish-Bashkia e Tiranës për ndërtimin e ish-shkollës “Maria Pia Savoia”, në vitin 1942, gjithsej 2551 m2 tokë truall.
Në zonën kadastrale 8370 janë regjistruar dy godina me 11 kate, ku tre kate janë shtesë mbi lejen e miratuar me Vendimin nr.577, datë 25.8.1998, të ish-KRRT-së së Bashkisë së Tiranës.
Në zonën kadastrale ë8350 është regjistruar një banesë 6 me kate, me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi 2.372 m2, ku 5 kate janë mbi lejen e miratuar me vendimin nr.689, datë 22.12.1997 të ish KRRT-së së Bashkisë së Tiranës.
Ky lajm është publikuar: 08/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›