E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, edhe 12 vjet, qyteti paguan për fshatin

Autori i Lajmit: red.
Edhe për 12 vite të tjera qytetarët që janë kontribues të skemës aktuale të pensioneve do të vazhdojnë të paguajnë kontribute më të larta sesa kontribuesit e fshatit. Me logjikë skema duket se është e padrejtë, pasi kur këta kontribues të kthehen në përfitues,(pasi kanë mbushur moshën për pension), pavarësisht sa kontribute kanë derdhur, masa e pensionit barazohet për të gjithë.
Skema
Naim Balluku, specialisti i sektorit të kontributeve në ISSH shpjegon diferëncën 12-vjeçare të kontributeve të fshatit me ato të qytetit. Sipas tij, kjo skemë është ndërmarrë me synimin e ndërgjegjësimit dhe ndihmës sociale ndaj fermerëve për të paguar sigurimet shoqërore. Sipas skemës së re, pensionet e fshatit do të barazohen me ato të qytetit në vitin 2012.
Diferenca
Specialistët e ISSH-së pranojnë se kontributet e fshatit janë më të vogla se ato të qytetit, por se kjo nuk e rrezikon skemën. Specialisti Naim Balluku argumenton se në vitin 2020 kontributet e fshatit do të barazohen me ato të qytetit dhe kjo do të balancojë skemën e nisur. “Kjo skemë nuk ka rrezik, pasi diferencimi do të balancohet ndër vite. Kjo do të thotë se, vit pas viti, kontributet e fshatit do të vijnë duke u rritur. Për shembull, vitin e kaluar të vetëpunësuarit në bujqësi (fermerët) për zonat fushore kanë pagur 10.000 lekë në vit kontribute shoqërore, ndërsa aktualisht kontributi që ata derdhin është rritur në 12000 lekë në vit. Ndërsa për zonat malore të vetëpunësuarit paguajnë më pak. Një vit më parë, masa vjetore e kontributeve për ta ka qenë 6500 lekë në vit, ndërsa aktualisht është rritur në 7800 lekë. Pra deri në vitin 2020 diferenca e derdhjes së kontributeve do të vazhdojë deri sa të barazohet viti pas viti pas 12 vjetësh”, - shpjegoi për gazetën “Ballkan”, specialisti në ISSH, Naim Balluku.
Favorizimi
Me këto masa kontributesh, fermeri paguan 20 për qind të shumës që paguan i vetëpunësuari në qytet. Sipas ISSH-së, favorizimi specifik që u bëhet të vetëpunësuarve në bujqësi, është fakti se ata paguajnë për periudha të kaluara, në ato masa kontributesh që kanë qenë në vitet korresponduese, të cilat, sipas specialistëve, kanë qenë me të vërtetë simbolike. Kështu, nisur nga këto të dhëna ndër vite, niveli i pagesave ka qenë i ndryshëm duke u rritur vit pas viti.
Niveli i kontributeve
Nëse deri në vitin 2001 fermerët në zonat fushore paguanin 1 620 lekë në vit dhe fermerët në zonat malore 972 lekë në vit, aktualisht (2008) kontributi është rritur përkatësisht 12000 lekë për kategorinë e parë dhe 7 800 lekë për kategorinë e dytë (fermerët e zonave malore).
Ndarja e zonave
Ndarja e zonave në fushore dhe malore është përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.76 datë 18.01.1993 sipas shtrirjes gjeografike. Sipas skemës, një fermer që siguron 14 vite (1994-2008) paguan 12,7 për qind të shumës në zonat fushore dhe 8.2 për qind të shumës në zonat malore. Të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë kontributet çdo vit kalendarik, në baza tremujore me një urdhër veprimi që e marrin nga inspektorët e sigurimeve shoqërore të komunës. Afati kohor i pagesës nuk është më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik.

Çfarë përfitojnë fermerët e siguruar
Vetëm për një shpërblim lindje, një fermere përfiton pothuajse atë masë shpërblimi, sa një fermer paguan për kontributet e sigurimeve shoqërore për 14 vite. Të gjitha vitet e sigurimit në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi, trajtohen si vjetërsi pune në qytet dhe përfitimet jepen si për të vetëpunësuarit në qytet. Në rast se një fermer ka plotësuar vjetërsinë e nevojshme për të përfituar një pension të plotë, pra 35 vite, dhe ½ e kësaj vjetërsie e ka plotësuar si i vetëpunësuar në bujqësi, ai do të përfitojë pension të plotë si të vetëpunësuarit në qytet. Ndërsa kur nuk i plotëson këto vite, fermerit i bëhet një shtesë në pensionin e akorduar, për çdo vit që ka kontribuar si i vetëpunësuar në bujqësi.

-Pension pleqërie
-Pension invaliditeti
-Pension familjar
-Leje barrëlindje për gratë
-Sigurim shëndetësor falas

Si veprohet për të bërë sigurimin

Fermeri lidhet me inspektorin e sigurimeve shoqërore në komunë ose bashki. Ky i fundit e informon për shumën e kontributeve që duhet të paguajë dhe plotëson urdhërveprimin për masën e pagesës, ndarë në sigurim shoqëror dhe shëndetësor. Me marrjen e këtij dokumenti, fermeri bën pagesën në zyrën postare ose në llogaritë bankare të ISSH-së. Me kryerjen e pagesës i paraqet inspektorit të sigurimeve shoqërore mandat arkëtimin. Në bazë të këtij dokumenti, inspektori bën regjistrimin në regjistrin përkatës dhe në këto kushte fermeri konsiderohet i siguruar. Sipas të dhënave nga ISSH-ja, në praktikën e përditshme ndeshen raste ku fermerët kërkojnë të sigurohen mbasi kanë mbushur moshën për pension. Sigurimi shoqëror mbas lindjes së të drejtës për përfitim është i pavlefshëm. Në këtë kuadër, duhet të sensibilizohen fermerët që të paguajnë kontributet për sigurimet shoqërore brenda afateve ligjore, pra brenda tremujorit, për të mos u ngarkuar me kamatëvonesa që do të ishin një ngarkesë e tepërt për buxhetin modest të fermerëve.

Kriteret për pensionet e fshatit

Duke qenë se skema e sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi, financohet në pjesën më të madhe nga shteti, për t u siguruar dhe për të përfituar nga kjo skemë kërkohet nga fermerët:
- Të kenë tokë në pronësi, në përdorim ose me qira
- Të kenë aktivitet bujqësor e blegtoral
- Të zhvillojnë aktivitetin e tyre brenda rrethit ku kanë qendrën e banimit

Dokumentet

- Certifikatë familjare
- Vërtetim pronësie mbi tokën, të lëshuar nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të komunës ose bashkisë ose akt noterial, që vërteton tjetërsimin e tokës (blerje, qiramarrje etj).
- Vërtetim nga komuna që ushtron veprimtari bujqësore dhe blegtorale

Tabela për nivelet e kontributeve sipas viteve

Vitet Zonat fushore Zonat malore
1993-2001 1 620 972
2002 3 890 2335
2003 5 215 3592
2004 5 215 3592
2005 7 820 5390
2006 10 000 6500
2007 10 000 6500
2008 12 000 7800

Sigurimi
Shëndetësor
(2008) 3 360 2016

Harta e zonave të fermerëve

Zonat fushore Zonat malore
(12 000) (7 800)
Berat Skrapar
Kuçovë Peshkopi
Durrës Bulqizë
Krujë Mat
Elbasan Gramsh
Peqin Librazhd
Fier Tepelenë
Mallakastër Kukës
Lushnje Has
Gjirokastër Tropojë
Përmet Mirditë
Korçë Malësi e Madhe
Pogradec Pukë
Devoll Kolonjë
Lezhë
Laç
Shkodër
Tiranë
Kavajë
Vlorë
Sarandë
Delvinë

Ky lajm është publikuar: 08/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›