E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perimet, mrekullia e natyrës që shëron

Autori i Lajmit: red.
Perimet luajnë rol të rëndësishëm në organizmin e njeriut, në çdo kohë dhe për të gjitha stinët.
Ato përmbajnë kripëra minerale, karbohidrate, proteina, acide organike, fitoncide (antibiotikë bimorë) dhe veçanërisht, vitamina. Perimet nxisin veprimin e gjendrave të tretjes dhe ndikojnë drejtpërsëdrejti në përvetësimin e ushqimeve që treten me vështirësi. Perimet janë të pasura me kripëra të kaliumit, fosforit, kalciumit, magnezit, hekurit etj, të cilat treten lehtësisht nga organizmi i njeriut. Disa nga perimet janë të pasura me proteina në sasi të barabartë me mishin, si për shembull, bishtaja (që quhet mishi i gjelbër) dhe në përgjithësi bishtajoret. Sa për vitaminat, perimet mbajnë vendin e parë. Vitaminat luajnë rolin kryesor në shkëmbimin e lëndës (metabolizmit) në organizmin e njeriut, pa të cilat jeta do të ishte e pamundur. Janë tepër të rëndësishme për jetën e njeriut vitaminat A dhe C dhe nevojat e organimit me vitamina
plotësohen duke konsumuar jo sasi, por shumëllojshmëri perimesh.
Domatja, veti mbi lëkurën, zemrën dhe reumatizëm
Për vlerat e saj ushqyese gjen përdorim të gjerë. Eshtë e pasur me vitamina C dhe A. Gjithashtu me kripëra minerale, acide organike etj. Ndër kripërat, vend të rëndësishëm zënë potasi, fosfori, kaliumi, hekuri, magnezi raporti i të cilave krijon një ekuilibër të përsosur të ushqimit. Domatja përmban edhe antibiotikë bimorë si tomatina, e cila shërben në shërimin e sëmundjeve të lëkurës dhe aparatit tretës. Lëngu i domates ushtron ndikim të madh në shërimin e plagëve të infektuara si dhe ulçerave kronike. Vepron gjithashtu mbi sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut. Domatja ndikon në kurimin e formave të lehta reumatike.
Gjithashtu, ka veti kuruese edhe për nefrititin, artritin dhe kapsllëkun.
Speci, ndihmon shërimin nga fruthi dhe dizanteria
Gjen përdorim të gjerë i freskët dhe i konservuar si piper, në sallata, turshi etj. Ka vlera të mëdha sepse përmban elemente të domosdoshme për organizmin siç janë karbohidratet (glukozë e fruktozë), proteina dhe yndyrna. Sidomos, farat e tij që përmbajnë mbi 25% yndyrë. Speci është i pasur me potas. Lëngu i tij përmban kripëra të hekurit, që pasurojnë hemoglobinën e gjakut. Speci përmban vitaminë C më shumë se gjitha perimet e tjera, madje më shumë se limoni e portokalli. Për të siguruar nevojat ditore për vitaminë C duhet konsumuar 50gr speca të freskët. Edhe vlerat kurative janë të mëdha. Speci aktivizon gypin tretës, hap oreksin dhe ndihmon për shërimin e dispepsisë, fruthit, dizanterisë, rrufës etj. Në spec është
zbuluar edhe vitamina P1, që lufton sëmundjet e enëve të gjakut.
Qepa, ilaç për plagët e vogla dhe nervat
Ka vlera të larta ushqyese e kurative. Eshtë e pasur me kripëra minerale. Gjethet e njoma janë të pasura me proteina. Përmban edhe sheqer, vitamina A dhe C. Era karakteristike e qepës i detyrohet vajit eterik që ka përmbajtje squfuri. Qepa ndihmon shumë tretjen, pasi ndikon të lirohet acidi klorhidrik në stomak. Prania e këtij acidi luan rol në zhdukjen e baktereve të dëmshme, që hyjnë në stomak bashkë me ushqimin. Vaji eterik i qepës shkatërron sekrecionet helmuese të baktereve. Qepa lufton gripin dhe ndikon pozitivisht në zgjerimin e venave të gjakut. Kuron me sukses gërvishtjet e freskëta ose plagë të shkaktuara nga çpime, duke vendosur mbi vendin e dëmtuar, cipën e hollë të saj. Në mungesë të antibiotikëve, momentalisht mënjanon infeksionet. Përdorimi i qepës së gjallë pastron sistemin e frymëmarrjes. Ka veti kuruese për astmën si dhe bën mirë të përdoret nga ata ata që vuajnë nga sistemi nervor (melankoli, nevrasteni).
Hudhra kuron artero-skelorën dhe sinozitin
Hudhra e thatë përdoret për të përmirësuar shijen e gjellëve, ruajtjen e konservave dhe të turshive. Që në kohë të lashta, popujt kanë njohur vetitë e saj dezinfektuese. Mjekësia moderne i ka njohur edhe aftësinë për të kuruar artero-sklerozën, tensionin e rritur të gjakut dhe çrregullimet e qarkullimit të gjakut. Eshtë e pasur me vitamina, karbohidrate e vitaminë C. Hudhra e thatë përmban rreth 58% insulinë. Një kg hudhër jep 1300 kalori. Ajo është e pasur në kripëra të kalciumit, jodit e squfurit. Veprimi i fortë baktericid i detyrohet fitoncideve, të cilat vrasin bakteret e tuberkulozit, tifos, paratifos, dizanterisë, kolerës, gripit, sinozitit etj. Veprimi baktericid i hudhrave përdoret në industrinë e konservave për të zhdukur mikroorganizmat që kalbin lëndën organike. Përdorimi i hudhrës ndikon në zgjatjen e jetës. Preparatet farmaceutike që prodhohen prej saj kanë efekte më të mëdha se penicilina.
Majdanozi, antiseptik dhe pastrues i mushkërive
Bimë aromatike që njihet dhe përdoret si erëz, por është një nga perimet me vlera të pallogaritshme ushqimore, e shëruese për disa lloje sëmundjesh. Prandaj është e këshillueshme që majdanozi të përdoret sa më gjerësisht në të gjitha format, në gjellë, në sallata, sidomos i freskët. Eshtë nga bimët më të pasura me proteina dhe në vitaminë C e sheqerna. Eshtë nga ilaçet e mira për uljen e tensionit të gjakut, hap oreksin, është diuretik dhe antiseptik shumë i mirë i gjakut. Vepron në sëmundjet e mushkërive. Eshtë e këshillueshme që fëmijët e vegjël të konsumojnë sa më shumë majdanoz gjatë ditës, të larë.

Studimi
Dietat vegjetariane rihapin polemika
“Nuk është etike që një nënë të heqë nga dieta e fëmijës së saj, ushqimet me origjinë shtazore, gjatë periudhës së ushqimit me qumësht, e për më tepër, t u imponojë fëmijëve një ushqim rigorozisht vegjetarian: pa djathë, gjalpë ose bukë”. Ka studime të mjaftueshme, që tregojnë sesi fëmijët e mamave vegjetariane, të privuara nga proteinat shtazore, lindin më të vegjël dhe rritëm më të ngadaltë, një efekt që mund të kthehet në problem të vazhdueshëm për jetën e tyre të mëvonshme. Kjo deklaratë, vetëm një vit pas deklaratave të tjera pro dietave vegjetariane, rihap debatin mbi vlerat e dietave që bazohen në ushqime si perimet dhe frutat. Ky kundërshtim erdhi menjëherë pas një studimi që përfshiu rreth 544 studentë afrikanë, të rritur vetëm me drithëra, me mangësi të dukshme në vitaminat B12, zink dhe hekur. Ka mjaftuar që t u jepet atyre për dy vjet, një minimum sasie mishi në ditë, që të kthehëshin në njerëz më energjikë dhe aktivë. Të menjëhershme kanë qenë replikat e Asociimit Amerikan të Vegjetarianëve, sipas të cilëve, vegjetarianët e të gjithë botës duhet të tjenë të bindur, se perimet dhe frutat janë ushqimet më të shëndetshme për njeriun.

Disa ushqime kundër depresionit
Arra
Përveç efekteve tashmë të njohura fiziologjike, mendohet të ketë edhe efekte shumë të mira antidepresive.
Salmoni
Përveçse i pasur me vitaminat dhe mineralet që i përmbajnë shumica e peshqve, përmban edhe sasi të larta me Omega-3 dhe uridinë
Panxharsheqeri
Shumë i pasur me uridinë, çka e bën veçanërisht të vlefshëm si ushqim antidepresant
Soja
E njohur për qumështin dhe nënproduktet e saj, përveçse nuk ka kolesterol, është shumë e pasur me Omega-3

Si të blini gjëra të shëndetshme në dyqan
• Mbani një listë të artikujve që duhen blerë dhe mundohuni që t i përmbaheni
• Përpiquni që t i gatuani vetë ushqimet dhe rrini larg ushqimeve të përgatitura
• Merrni miell prej kokrrash të plota të drithit në vend të bukës së bardhë, brumërave
dhe orizit
• Nëse hani mish, zgjidhni copa me sa më pak dhjamë
• Përveçse janë ushqime të dobishme në vetvete, thjerrëzat, fasulet dhe mielli i sojës
mund të përdoren edhe si asortimente në pjatat me mish
• Duke lexuar etiketat e ushqimeve mund ta kontrolloni sasinë e sheqerit dhe të
konservuesve të tjerë në ushqim
• Blini diçka të re çdo javë, që ta provojë e gjithë familja.

Për të vegjlit
Nxitini fëmijët tuaj, që të hanë ushqime të të gjitha grupeve e llojeve:
• Karbohidrate – bukë, drithëra, biskota të thata, brumëra, oriz, patate
• Fruta dhe perime – të freskëta, të ngrira ose të konservuara, të thata dhe lëngje frutash
• Produkte qumështi – qumësht, kos, djathë, gjalpë dhe margarinë, gjizë
• Proteina – mish, peshk, vezë, fasule, bishtaja, arra, lajthi, bajame dhe fara
Ky lajm është publikuar: 08/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›