E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipotekimi i 260 apartamenteve mblidhet Keshilli bashkiak

Këshilli Bashkiak i Tiranës është mbledhur pasditen e së enjtes për të miratuar rreth 18 vendime, ndër të cilat edhe aktualizimin e aktit normativ të qeverisë, për hipotekimin e 260 blloqeve banimi, nga i cili do të përfitojnë 50 mijë qytetarë. Në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës qe po vijon ende qe nga ora 18.00 janë miratuar 14 projekt vendime nga 18 që permbante rendi i dites i parashikuar.
13 prej tyre kanë marrë votat e të gjithë anëtarëve ndërsa dhënia e titullit “mirënjohje e qytetit të Tiranës” artistit Veli Rada është abstenuar nga këshilltarët e majtë.

Kreu i bashkisë Lulzim Basha ka bërë një panoramë të detajuar të gjithë rendit të ditës, duke e vënë theksin tek vendimet që sjellin zhvillim ekonomik dhe punësimin për qytetin e Tiranës.

“Ne brenda një kohe fare të shkurtër të jemi në gjendje të aplikojmë apo të japim lejet e shfrytëzimit për afro 11 mijë njësi banimi, dyqane etj., që përfaqësojnë siç thashë interesat e afro 50 mijë qytetarëve të Tiranës, por në të njëjtën kohë përfaqësojnë një kapital shumë të madh kolateral të ngrirë, i cili shpresojmë që me këtë proces të futet në treg, të futet në qarkullim. Bëhet fjalë për dhjetëra, qindra, miliona euro vlerë të këtij kolaterali, i cili padyshim do të ndihmojë edhe më tej axhendën tonë për t’i dhënë qytetit tonë sa më shumë frymëmarrje dhe oksigjen në fushën e zhvillimit ekonomik dhe krijimit të shanseve për punësim”-deklaroi Basha.

Po kështu 179 familje do të subvencionohen për interesat e kredisë së butë dhe 8 familje do të trajtohen me bonus strehimi.Pavarësisht konsensusit për shtresat në nevojë, nuk munguan debatet për planin urbanistik të Tiranës ndonëse nuk ishte në rend të ditës.

Një tjetër vendim, për të cilin foli Basha ishte edhe reduktimi në masën 30% të taksave për një sërë kategorish biznesesh të vogla dhe të mesëm. Ky vendim sipas kreut të bashkisë, do ti japë një dinamikë zhvillimit ekonomik si dhe do të krijojë mundësinë për rritjen e punësimit.

Mbledhja e këshillit bashkiak të Tiranës është ende duke shqyrtuar edhe katër projekt vendime të tjera.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›