Rikthehet pasiguria per te ardhmen e euros

Rikthehen pasiguritë mbi të ardhmen e monedhës europiane. Pasiguria për krijimin e një qeverie në Itali kthen frikën e një kontaminimi edhe për vendet e tjera. Në Bruksel kryeministri në ikje i Italisë Mario Monti ka zhvilluar takime me krerët më të lartë të BE. Presidenti i KiE, Herman Van Rompuy pas takimit me Montin ka shprehur besimin e plotë se Italia do të vijojë të jetë anëtare e qëndrueshme dhe e fortë e BE dhe Eurozonës. Ai ka kërkuar të jetë bindës, duke argumentuar se reformat strukturore të aplikuara deri më tani ne Itali kanë ndihmuar në rikthimin e besimit të tregjeve dhe të vet Italisë në rangun ndërkombëtar. Nëse do të vijoni me reformat ka thënë Rompuy do të rritet ndjeshëm ekonomia e vendit. Një ditë më parë Monti ka biseduar edhe me presidentin e KE Hose Manuel Barroso. Burime nga ky takim flasin për diskutimet rreth samitit të ardhshëm të BE mbi politikat fiskale dhe ekonomike të vendeve anëtare. “Kemi besim mbi aftësitë e Italisë për sigurimin e kushteve të stabilitetit politik, në interes të saj dhe të Europës në tërësi” është shprehur Barroso. Por nga Gjermania, ministri i Financave, Ëolfgang Shoble deklaron se nëse Italia nuk do ta zgjidh shpejt pasigurinë mbi qeverisjen e vendit, rrezikohet një rast i ngjashëm me Greqinë e cila mund të infektojë të gjithë Europën. Këtyre deklaratave u është përgjigjur presidenti italian Napolitano. Nuk ka asnjë lloj rreziku infektimi, ne nuk jemi të sëmurë u ka thënë ai gazetarëve gjermanë. Italia nuk është pa qeveri, qeveria aktuale do të qëndrojë në detyrë deri sa të formohet një e re dhe në këtë kuptim ka sqaruar presidenti italian qeveria Monti do të përfaqësojë Italinë edhe në samitin e marsit të BE.